10 dhjetor 2006

«të vetmes dashuri»

ti do ta hapësh këtë faqe,
do kundrosh vargjet e saj
dhe pa kuptuar kurrgjë
nga kjo gjuhë e kulluar
(e turbullt për ty)
do ta mbyllësh shpejt
për t'iu rikthyer jetës sate

ti nuk e di, o dashuria ime
se je frymëzimi që i fshehesh nga pas
se je përgjërimi i përnatshëm
ndaj ëndrrave që më pushtojnë gjumin
e prej së cilave dal ngadhnjimtar
vetëm në agim, kur rrezet e pakta
të diellit parizian
shpojnë e përshkojnë
xhamin e ndotur të dritares sime

ka kaluar koha, kanë rrjedhur ditët
kanë kulluar lotët, ka pikuar zemra
ka pasur dashuri
(të një-natshme)
pas teje, por nën thonjtë e epshit të mesnatës
mendja ime të kërkon veç ty
trupin tënd ëngjëllor
zërin tënd hyjnor
që jehon e depërton
rrëmujën e ndjenjave të mia
për t'i mposhtur si skllevër të përvuajtur
për të më lënduar, si thika zemrën
si flaka plagën, si dashuria
dashnorin e papërdëllyer

Nuk ka komente: