13 prill 2007

Fushata për zgjedhjet presidenciale në Francë

Më datën 22 prill zhvillohet votimi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë. Ky është posti më i lartë i vendit, i krahasueshëm me postin e presidentit të Sh.B.A.-ve. Kandidatët kryesorë në këto zgjedhje janë Ségolène Royal (Partia Socialiste), Nicolas Sarkozy (Bashkimi i Lëvizjes Popullore - e djathta), François Bayrou (Bashkimi për Demokracinë Franceze - qendra) dhe Jean-Marie LePen (Balli Kombëtar - e djathta ekstreme).

Ndonëse i fundit nuk ka epërsi në sondazhet e fundit që janë bërë, kam mësuar se kështu ndodh gjithmonë dhe pastaj në zgjedhjet e vërteta fiton vota të mjaftueshme për të qenë kandidat për votimin e dytë (2 maj). Është e kotë të them se nuk pajtohem aspak me politikën e tij, e aq më pak të mund të pranoj se një njeri i tillë, me pikëpamje raciste, homofobe, pothuajse nazi-fashiste, synon të bëhet kreu i një republike si Franca. Shpresoj vetëm që dhe një pjesë e mirë e votuesve francezë të jenë po aq të ndërgjegjshëm sa unë dhe të mos ia japin votën një kandidati të tillë që në votimin e parë. Nuk e meriton të shkojë në votimin e dytë siç ndodhi para pesë vjetësh.

Bayrou, nga ana tjetër, mësova se fitoi popullaritet falë një sondazhi të paguar, ku e nxorrën me përqindje të lartë, çka e detyroi votuesin të kthehej drejt tij dhe t'i vinte pak veshin. Kjo çoi në një rritje të vërtetë të shifrave për të, por, me sa duket, kohët e fundit ka filluar të bjerë kundër dy kandidatëve kryesorë.

Këta kandidatë janë Ségolène Royal dhe Nicolas Sarkozy. E para është socialiste (dhe, nëse më lejohet, më e pashmja nga të gjithë kandidatët), ndonëse e qortuar shumë prej partisë së saj në shumë prej qëndrimeve të saj. Gjithsesi, të gjithë ata që përkrahin sadopak një politikë të majtë, duket se kanë vendosur të votojnë për të. Shpeshherë shprehin se këtë nuk do ta bëjnë me dëshirë të plotë, por vetëm sepse është më e mirë se fituesi tjetër i mundshëm, Nicolas Sarkozy. Ky këtu, ndonëse i një partie të djathtë të qendrës, ka qëndrime më djathtiste se ç'i lejon pozita e partisë së tij. Ai është kritikuar ashpër për qëndrimin që ka mbajtur ndaj imigracionit dhe rrëmujave jashtë qyteteve, sidomos pasi ka qenë edhe ministër i brendshëm.

Pas kësaj paraqitjeje të shkurtër (ndoshta mërzitëse) të kandidatëve, po i futem temës që më shtyu të shkruaja këtë radhë: fushata elektorale. Para disa ditësh filloi caku kohor brenda së cilit kandidatët kanë të drejtë të vendosin afishe dhe të transmetojnë mesazhe në radio dhe televizion. Qytetaria franceze e lejon afishimin vetëm në vende të caktuara, në stenda të vendosura posaçërisht për këtë fushatë, çka lejon barazi në përfaqësim, si edhe pengon rrëmujën apo shëmtimin e ndërtesave nëpër qytete. Në njërën prej sërëve të stendave që janë vendosur nëpër Paris më bëri përshtypje se si kishin reaguar disa (të rinj, padyshim) ndaj kandidatëve.

Vlen të theksohet se në lagjen trembëdhjetë të Parisit, ku është vendosur edhe stenda në fjalë, banorët i përkasin kryesisht shkallës së mesme dhe mes tyre ka shumë intelektualë. Ja si është lënë afishja e kandidates së PS-së: e pacënuar.


Nga ana tjetër, kandidati Nicolas Sarkozy, i urryer në përgjithësi nga rinia, kishte pësuar keq nga dora e dikujt, i cili ose e cila, me anë të vizatimit, e kishte krahasuar me një goxha personazh historik.


Por ka edhe më keq. Kandidati i Ballit Kombëtar ishte zhdukur pothuajse fare nga stenda. Deri nesër a pasnesër, atij ndoshta nuk i mbetet as nam as nishan. Asgjë nuk do të më çudiste.


Ja, pra, edhe qytetaria e mirënjohur dhe e respektuar franceze njeh ndonjëherë shkarje si puna e këtyre. Megjithëse reagimi im ishte nënqeshja (dhe ndoshta pak kënaqësi), nuk di ç'qëndrim do të mbaja po të isha krejt objektiv në këtë mes.

Nuk ka komente: