13 prill 2007

Vëzhgimet e ditës

Sot në mëngjes kur dola për të bërë vrap, u shkëmbeva rrugës me një grup fëmijësh të shoqëruar nga një edukatore.  Nuk duhet t'i kishin kaluar pesë vjeç.  Ishin ende topolakë e njomakë sa që të ftonin t'u afroheshe e t'u shkulje faqkat.  Mes tyre kishte të bardhë, të zinj, aziatikë, djem edhe vajza.  Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti se ishin zënë për dore dy-nga-dy.  Duart e tyre—më saktë, doçkat—shtrëngonin ato të shokut a shoqes, pa dallim race.  Kështu më lindi pyetja:  deri në ç'moshë janë fëmijët aq të pafajshëm sa të mos e kenë aspak problem—madje, as të mos mendojnë—se fëmija që kanë zënë dorë-për-dore është i një race tjetër?  Përgjigja m'u kthye menjëherë:  derisa të dalë një më i rritur e disave syresh t'u thotë se mes tyre dhe shokëve ka dallim dhe ky dallim mbështetet tek pamja e tyre e jashtme.  Mos i prishni fëmijët, ju lutem shumë.  Të njëjtën gjë mund të them edhe për ato «çifte» fëmijësh me dy vajza edhe me dy djem, përsëri të zënë dorë-për-dore.  Kush do t'u thotë se të zësh një djalë tjetër apo një vajzë tjetër për dore duket keq?  Se një gjë e tillë të çon në homoseksualizëm që është gjë e keqe?  Lërini të jetojnë në padjallëzinë e tyre.  Në mos ju si prindër ose si të rritur tek të cilët ata kanë besim, do t'i djallëzojë një ditë bota, shoqëria.  Kjo është e pashmangshme.

Ndryshim teme:  jargavanët kanë filluar të çelin, çka vërteton edhe një herë (jo se e vija në dyshim) se klima në Paris është më e butë se në Drenovë, ku jargavanët fillonin të çelnin apo kishin çelur pak para 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve.

Dalje fare nga tema:  përkthimit po i afrohet fundi... ndryshimet e fundit kam shpresë t'i bëj para së mërkurës dhe libri do të jetë gati për botim.  Po kush do ta botojë?!

Nuk ka komente: