12 prill 2007

Meqë ra fjala për trokashkën e mullirit...

PAMJE E DYTË NË MULLI

[Brënda në një mulli, dy gra presin të bluajnë: zonja Tanë dhe
zonja Kote. Gur’ i mullirit po kthenet. Duken thasëtë pranë koshit.
Zonja Kote kërkon të bluajë më parë, po Tana s’e le].

Tana
Çbën ashtu, moj Kote?

Kote
S’është puna jote!

Tana
Moj, mos je e marrë?
Kam ardhë më parë.

Kote
S’munt të rri këtunë,
kam të tjera punë,
po hiqu nga unë!

Tana
Ç’thotë kjo murtajë!

Kote
Ujku të të hajë!

Tana
Tutje, moj mandatë!
Kam ardhë me natë.

Kote
Thuaj si të duash,
se u’ do të bluaj.

Tana
Nukë do të bluash,
se u’ këtu ç’ruaj?

Kote
Ruaj millonanë,
se kur të ka pranë...

Tana
Ftu! Moj gojë ndyrë,
moj turi lëtyrë!
Ç’e kam millonanë?
Kam burrënë pranë
Ti ku e ke nderë,
që përflet të tjerë?
Po gjithë të dinë:
Harrove bekshinë?
Sa herë të zunë?

Kote
Me bekshinë unë!
S’turpëronej pakë,
se je grua plakë!

Tana
Plakë? Pa hap sytë,
kush është m’e ndytë?
Jeshe ti për burrë?
Ndaj iku i mjerë
dhe s’të vjen më kurrë,
se i prishe nderë!

Kote
Moj kurvë, moj shtrigë!

Tana
Moj grua e ligë!

Kote
Moj sterrë, moj natë!

Tana
Moj gojëlopatë!

Kote
Moj byth’ e kusisë!

Tana
Tmer i njerëzisë!

Kote
Na! Porrato paç
kur kërkon të shaç!

Tana
Tutje, moj zagare!

Kote
Tutje, moj murdare!

Tana
Ikë, moj bishtdredhur!

Kote
O moj brasnj, e hedhur!

Tana
O moj vjedharake!

Kote
O moj shulanake!

Millonai
Ç’ikini që thërrini,
pak turp nukë kini?
Ini kushërira?
Silli si të pira!
Pse thërret, moj Kote?

Kote
S’është puna jote.

Millonai
Zonja Tanë, ç’patë?

Tana
Se kam ardhë me natë?

Kote
Po sepse ke ardhë?

Tana
Të bluash me radhë!

Millonai
Thotë mirë.

Kote (shtyn Millonanë)
Ç’thua?

Millonai
Pse shtyn, ç’ke me mua?

Tana (te Millonai)
Ç’e shukon, ç’i thuaj?
Kam ardhë të bluaj,
se martoj evlanë!

Millonai
Ç’faj të kam, moj Tanë?


Shkëputje nga drama Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër e Andon Zako Çajupit

Nuk ka komente: