03 prill 2007

Pyetje një Ballisti [ose «Ju njohim se cilët jini»*]

Pyetjet e mëposhtme i shkrova fillimisht në anglisht me qëllim që t'ia jepja dikujt t'ia bënte zotit Sejfi Protopapa në kumtimin që do mbajë në Boston University të premte më datën 6 prill (datë që përkon me ditën para datës së pushtimit të Shqipërisë nga forcat fashiste italiane). Në pamundësi për t'ia bërë këto pyetje vetë dhe duke menduar se s'do t'i bëhen prej kurrkujt, po i shkruaj këtu dhe nëse i lexon dikush nga pjesëmarrësit dhe i intereson t'ia bëjë, i jap lejën time. Pyetjet i kam të shkruara dhe në anglisht.

»«

Është e lehtë të hamendësosh dhe të krijosh një pamje të një Shqipërie «si do të ishte» sot, gjashtëdhjetë e dy vjet pas mbarimit të luftës. Edhe pse është e sigurt se Balli Kombëtar do të kishte udhëhequr ndryshe, nuk jam i sigurt se do të kishte udhëhequr më mirë. Si dëshmitar, ju duhet ta njihni më mirë se kushdo tjetër këtu gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria para dhe sidomos pas luftës: e shkatërruar, në varfëri të theksuar, tmerrësisht analfabete dhe me një ekonomi bujqësore gjysmë-feudale, çka do të thoshte vetëm shfrytëzim të të varfërve. Ishte vërtet kjo shtresë e popullsisë që i dha përkrahjen më të gjerë Partisë Komuniste të Shqipërisë—jo Partisë Komuniste në të cilën u shndërrua Partia Komuniste pasi mori pushtetin, por Partisë Komuniste e cila para dhe gjatë luftës premtoi begati, ndarje të tokës, pasurisë dhe fundin e shfrytëzimit në duart e pronarëve feudalë, të cilët, edhe pse kishin kaluar disa dhjetëvjeçarë nga rënia e Perandorisë Osmane, vazhdonin ta quanin veten «bejlerë». Çfarë u ofronte Balli Kombëtar dhe a do të gëzonte ndonjëherë përkrahjen e shqiptarit të mesëm?

Fakti se familjet dhe personat më të varfër—dhe, rrjedhimisht, më të numërt—përkrahën Partinë Komuniste tregon se ju nuk gëzonit popullaritet të gjerë gjatë luftës dhe se nuk do ta gëzonit këtë edhe pas saj; për pasojë, të dalësh sot dhe të japësh një pamje me ngjyra të bukura të Shqipërisë nën Ballin Kombëtar më duket si një përpjekje e ulët për të vënë në dukje largimin tuaj nga të gjitha tiparet negative të regjimit komunist dhe për të korrur lavde dhe famë si kofini pas të vjelit, siç i themi në Shqipëri. Balli Kombëtar mbahet mend sot për bastisjet, plaçkitjet dhe ndonjëherë djegiet e fshatrave që i quanin «baza komunistësh». Në familjen time Balli Kombëtar mbahet mend për diçka më të rëndë: për njerëzit që dërguan të vrisnin gjyshin tim, një komunist dhe partizan i cili u qëndroi besnik idealeve komuniste që nga krijimi i grupit të parë komunist në Korçë më 1924 e deri në vdekjen e tij gjashtëdhjetë e tre vjet më pas. A mendoni vërtet se Balli Kombëtar do të kishte ndërtuar një Shqipëri më të mirë nëpërmjet këtyre bastisjeve, plaçkitjeve, madje dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë?

Balli Kombëtar mbahet mend edhe për një gjë tjetër në Shqipëri, që, ndonëse është një pamje e tij e përhapur nga propaganda komuniste, me sa kam mësuar, ka qenë edhe e vërtetë: anëtarët e Ballit Kombëtar ishin kryesisht bejlerë pasanikë që kishin si shqetësim të vetëm luftën kundër komunistëve për të parandaluar atë që këta të fundit kishin ndërmend të bënin pas luftës, pra reformën agrare. Është gjithashtu përsëri e lehtë për ish-anëtarë të Ballit Kombëtar të ngrihen e të thonë se janë veteranë, ashtu siç thoni dhe ju (duke e vënë kështu veten në një shkallë me gjyshin tim, të cilin «partia» juaj deshi ta vriste), dhe të tregojnë se luftuan për të mirën e Shqipërisë ndërkohë që komunistët bënin pazare me Jugosllavinë dhe si përfundim i dhanë Kosovën. Çfarëdo ujdi që mund të kenë pasur komunistët me Titon dhe Jugosllavinë, ajo ka dalë sheshit, ose do ta nxjerrë historia. Njëkohësisht, ju nuk duhet të mohoni e as të fshihni faktin se edhe Balli Kombëtar kishte përkrahje nga fuqi të huaja, madje aq të largëta sa Shtetet e Bashkuara (çka mund të shpjegojë azilin tuaj pas luftës). Drejt me thënë, dy ndarjet e krijuara gjatë luftës në Shqipëri ishin ushtarë të një lufte më të madhe midis Lindjes dhe Perëndimit. Historia tregoi se komunistët dolën fitimtarë në Shqipëri (e përsëris, me ndihmën e popullit) dhe pak nga pak u larguan nga fuqitë e Lindjes, pra aleatët e tyre, derisa arritën në izolimin pothuajse të plotë të Shqipërisë. A do të ishte larguar në të njëjtën mënyrë Balli Kombëtar nga fuqitë që do të përpiqeshin të kontrollonin politikën e tij të brendshme dhe të jashtme, apo do të ishte bërë një gur shahu i fuqive të Perëndimit, siç mësuam kohët e fundit se paskësh qenë Greqia duke lejuar vendosjen e raketave bërthamore amerikane në trojet e veta?

»«

*SHËNIM: «Ju njohim se cilët jini; nuk është nevoja të hapet libri i veprave të bëra...»

-Nga vjersha «Krerëve tradhëtorë» e Asdrenit

Nuk ka komente: