12 prill 2007

Mall për ata që s'i njoha kurrë

Në lajme sot lexova se më datën 11 prill na qenkësh përkujtuar 22-vjetori i vdekjes së shokut Enver Hoxha. Këtë ia bëra të ditur mamit, e cila më kujtoi se po kjo ditë përkon me vdekjen e gjyshes sime—pra, nënës së saj—ndonëse dy vjet pas vdekjes së Hoxhës. Më erdhi turp prej vetes se si nuk dita ta mbaj mend këtë datë, e aq më pak datën e vdekjes së dy gjyshërve. U harruan kaq shpejt vallë?

Gjyshi nga ana e babit vdiq në vitin 1966 (21 korrik) kur unë ende nuk kisha lindur. Vetë babi ishte katërmbëdhjetë vjeç. Gjyshi dhe gjyshja nga ana e mamit vdiqën përkatësisht më 15 mars dhe 11 prill 1987, kur unë isha tre vjeç. Ndonëse kujtimi më i hershëm që kam më rikthen në moshën dy-vjeçare, ai s'është veçse një rast i veçantë. Më pas, kujtimet mungojnë deri nga viti 1988, 1989 ku spikat përmbytja e shtëpisë, të cilën e mbaj mend sikur të kishte ndodhur dje. Fatkeqësisht, vdekja e gjyshit dhe gjyshes nga ana e mamit rastisën në këtë kohë dhe prandaj nuk i mbaj mend aspak. Motra ime thotë se i kujtohen disa ngjarje. Ndoshta. Fundja, ajo ishte shtatëmbëdhjetë muaj më e madhe se unë. Sidoqoftë, unë nuk rikujtoj asgjë dhe, ndonëse nuk i kam njohur mirë para se të ndërronin jetë, përsëri ua ndiej ndopak mungesën, së bashku me gjyshin nga ana e babit. Tiparet dhe personalitetet e tyre i kam rindërtuar vetëm prej fotografive dhe fjalëve që kam dëgjuar prej fëmijëve të tyre.

Së fundmi, e vetmja gjyshe që kam njohur ndërroi jetë para disa muajsh. Ishte humbja e parë që më ka prekur kaq shumë që nga fillimi i viteve '90. Kjo jo vetëm sepse e njihja, por edhe sepse në marrëdhëniet e mia me të ka pasur shumë vështirësi e pengesa që sot ngelen vetëm si pengje e pendesa. Gjithsesi, mungesa e saj, ndonëse e kalova njëherë si humbje, ende nuk më ka prekur. Pres të më godasë kur të rikthehem në Shqipëri në qershor.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.

Nuk ka komente: