Po shfaqen postimet me emërtimin asdren. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin asdren. Shfaq të gjitha postimet

24 prill 2011

«"Shpirti" i dhespotit»

Dëgjomni Shqipëtarë
T’u dëftenj një gjë të rallë,
Ndë Shqipëri që ka ngjarë
E ka mbetur si përrallë.

Mos thoni se flasë fjalë të kota;
Se çdo gjë a punë q’është bërë
Del sheshit; se ashtu është bota
Ç’dëgjon edhe sheh, e nxjerr të tërë.

Pra, edhe kjo ç’u them unë
Është fare e vërtetë,
Se e panë edh’ e zunë
E më s’është pun’ e mshehtë.

Ish ndë qytet të Shqipërisë
Një dhespot me mësime të mëdha,
Qi kish ardhur ng’anët e Greqisë
Që të na predikojë feja ç’ka.

Ndër kishe kurdoherë që vinte
Mbante fjalë, dhe këshilla jipte,
Kurrë 'nonjëherë më vënt s’rinte
Po gjith kështu besnikët i kripte:

O vëllezër dëgjoni,
U thosh me ëmbëlsirë,
Besën mos e mohoni
Se si këjo s’ka m’e mirë!
Kjo na mëson ndë jetë
Të rojmë të nderuar,
Dhe pastaj Zoti vetë
Na ka për të bekuar.

Gjën’ e tjetrit kurrë mos lakmoni
As sytë të mos i shtini mi ‘të,
Po atë që kini të shëkoni
Se pastaj kjo në mëkate u vë.
Këto kështu ay duk’u thënë
Vetvetëhen nuk e numuronte
Po më nj’anë ng’ata e kish vënë;
Se asnjeri ta pyesë s’kuxonte!

Pa pyesni tashi uratën,
Ay që këshillon të tjerët,
Vallë ç’bën ditën edhe natën
Kur nuk e shohin, si ndë t’errët?
Këtë punë asnjë s’e dinte
Përveç fatit q’ashtu e solli,
Se me miken ay kur rinte
Askujt mendja nuk’ ja polli,
Ay që botën e mësonte
Si të sillet e si të mbahet,
Vet’ ay këto i punonte;
Si një ujk deles që s’i ndahet.

Ashtu pra një ditë kur po hante
Bashkë me një mike bukuroshe,
Mezin e saj me duar ja mbante
Edh’ i shtrëngonte duart bardhoshe.
Oh! ti je shpirti im! sa të dua
Si ty më s’ka tjatër asgjëkundi
Ti o shpirt, o pëllumb më do mua?
Dhe si e puth, mjekrën e shkundi!

Po atë çast për fat të keq
Një djalosh qi jashtë ishte,
Ndë një vërë syrin e ndreq
E, pa uratën kur e çvishte!
Haj o shpirt të rimë këtu
Të lozim të dy, të qeshim
I thosh urata, ja kështu
Edhe valles t’ia ngjeshim!

. . . . . .
. . . . . .
. . . . . .

Ish e Djelë. Shkolla kish provime
Dhe parësia qe mbledhur atje,
Mësonjësi i priste me nderime
Gjithëve sa vinin brënda vënt u le.
Ja dhe Dhespoti vjen duke qeshur
Dhe mi një fron të lartë zë vënt,
Parësin’ e mer si me të përqeshur
Se ishin të paditur munt e pa mënt.
Nisen provimet, djemt’ i pyesin
Për çdo punë që ka dituria,
Për njerinë a kafshët që vdesin
Ç’bëhet shpirti q’u dha Perëndia.

Më kot djemtë po përpiqen
Që të përgjigjen si ç’duhet
E nga robat gjith po hiqen.
Kur, një, nd’hundë kruhet:
Ç’ke ti, or djalosh, i thotë
Mësonjësi me një çudi,
Pse kthehesh ashtu si rotë
Po s’thua gjëkafshë në di?
Pra, thuaj, në di pa frikë
Si është shpirti që kemi?
Eja më pranë një çikë
Që të dimë se ku jemi.

«Unë di, thotë djali, m’emër të Zotit
Se shpirti është një grua e çveshur,
Se e pashë mi gjunjët të Dhespotit
Kur ay i thoshte: o shpirt! duke qeshur!!»

ASDREN
Reze djelli

26 mars 2011

«Të pi!»

I

Haj verëshitës sill të pi!
Të lutem nxire butin jashtë,
Këtu ma verë afër t'i rri
Të pi, të dehem sa për gjashtë
Dhe vendit të mos luanj.
Zemrimet s'dua më t'i ndjej!
Me verë t'i mbyt sa të shuhen,
Në gas të qarët do ta kthej
Mendime mua nuk' më duhen
Veç etjen le ta shuanj!

II

Haj verëshitës shtjer' mos rri!
Sa më pëlqen e shkreta verë;
Të çel të bën si më të ri
Të ndizet gjaku menjëherë
Të gjitha rrotull qeshin.
Dëshirë kam një ças t'jem mbret!
Çdo vrer që kam do ta bëj mjaltë,
Të ronj i lumtur pak mi dhet;
Se nesër dhe do t'jem e baltë
Dhe, breg do ta bënj sheshin!

ASDREN

«Ti me sy të zinj!»

O moj ti me sy të zij
Q'i ke flokët porsi ar,
Eja mezin të ta marr:
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij
Q'i ke buzët si qershi,
Falma dorën e mos ri:
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij
Me vështrimet si rrufe,
Falmi sytë që më sheh:
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij
Me ato lule rreth në bres,
Nem një lule të mos vdes:
Se po s'ardhe do t'të vij!

ASDREN

14 shkurt 2011

«Lumtësia»

Shumë thonjë se vjershat duhet të jenë
Të shkruara ashtu, që të jesh ndë gëzim
Të mos e helmojnë zemrën, të mos kenë
Çase hidhërimi që të biesh në trishtim!
Ta rëfejnë botën se gjithherë çkëlqen
Se s'ka brenga dhe lumtësia mbretëron!
Ah! ç'lumtësi, këtë sicilido e ndjen
E kush ësht ndë botë që këtë s'e kërkon?
Kur ay që e kërkon aq lumtësinë
Dhe s'mund t'arijë një qëllim që dëshiron
Mallëkon Perëndi edhe njerëzinë
Se s'i ndihn fati për atë q'ay lakmon!
Po kur njeriu është ndë kënaqësi
E s'ndjen nevojat e botës që e rrethon,
Oh! at'herë ç'i duhen dhe vjersha me bukuri
Kur ay e ka ndë taskët atë që e gëzon!

ASDREN
Reze djelli

09 shkurt 2011

«Portret diplomati shtatanik»

E ka shtatin tri pëllëmbë
Dhe fytyrën qeramidhe
Si sqeparë ka ca dhëmbë
Dhe një t'ecur karavidhe.

Një grusht këmbë i ka miku
Në këpucë fron të lartë
Bark e kokë si shiniku
Dhe një pamje sysh, të thartë.

Dhe nga duart është i gjatë
Po: shpesh-her i ka të gjata...
Gjith të duket t'jet' i urtë
Po në shpirt m'i zi se nata.

Kur shkon rrugës s'e nxë vendi
Shkel e mfryhet si gjel deti
Djathtë e mëngjër hedh sy shpendi
Me mënyra mendje-lehti.

Kur me shokët rri me fjalë
Për t'i bindur sa q'u thotë
Përpëlitet mun si ngjalë
Pa dhe trupn' e kthen si rrotë.

Miqësinë e ka për cipë
Peshë kurrë s'i ka vënë
Dhe sado q'i shtije kripë
Kripa shije s'i ka lënë.

Di të sillet qysh të duash
Plot mënyra ledhatare
Por mënyrat po t'ia gjuash
Sheh si dhelpër qenka fare.

Jet' e tija plot mistere
Si dhe letrat sibiline
Vepërat si gjemba ferre
Rend si korbi pas stërvine.

Ndrron përdita mij besime
Për qëllime satanike
Merr e jep e çfaq mendime
Me dredhi makjavelike.

Fjal' e tija ka të bindur
Veç për sa që nuk e njohin
Sa për vepra s'është i lindur
Flas për vepra që të ngrohin.

Një bisedë porsa nisi
I çthur fjalët si të dojë
Djallëzi q'e ka prej fisi
Sipas çastit në nevojë.

Se ka frymë diplomati
Le të mburret zotërija
Por qashtu me q'e do fati
Si lum ne dhe Shqipërija!

ASDREN

11 nëntor 2010

«Drenova»

(Asdrenit)

Ktu, afër kti burimit
që rrjedh me qetësi,
Nën hije t'ktyne pemve
Dëfreve ti n'fmini.

Këtu, në majë t'malit
Tek duket fshati jot,
N'qetsi po fryn ktu era,
Ngadal dhe gjethti lot.

Ktu, pranë kishe tuj ndejun,
Shoh fshatin ku ke le:
Se sa nji fshat i bukur!
Sa i bukur ky atdhe!

Hil MOSI

16 korrik 2010

«Një orë lumtësie»

Hëna ndrinte porsi argjënt
Kur ndë kopshtije bashkë vinim
Dhe me dorën mbi krahun tënd
Të ndihnja mbi bar të rrinim.

Ah, sa ëmbëlsirë ndjeva
Kur dorën ma zgjate
Atherë fare më s'e msheva
Mirëdashjen zemrës sate.

Lulet na çonin një erë
Shumë të ëmbël e të pëlqyer
Edhe zefirët nga herë
Na kujtonin pa kursyer.

Rrezet që na përgëzonin
Kur ishim të përqafuar
Dashurinë na e shtonin
Me një mall të pa rrëfyer.

Sa fjal' t'ëmbla më thoshe
Kur përkëdheleshim të dy
Dhe me syçkat bukuroshe
Më bënje të mos ndahem nga ty.

Po dyshimi nuk më linte
të të besonj se ti më do
Si hëna që rrezet mshifte
Dhe i çonte ku desh ajo.

Veç atherë kupëtova
Se je zemër plot mëshirë
Dhe veten time e ngrova
Kur më puthe me dëshirë.

ASDREN

07 shtator 2009

«Dashuro»

Shëko lisi si më flet
Fjalë t'ëmbla si më ushton,
Degët unj e më thërret
Dashuro, se koha shkon!

Maj' e plepit gjithënjë,
Kur tunt kryet më qorton,
Përpjek fletë më çon zë
Djalë ç'pret e s'dashuron!

Er' e malit me një ushtim
Dhe mburimi që kullon,
Gjithë më thonë plot gëzim:
Dashuro, se koha shkon!

Kopështit vasha që po pret
Si zog pylli që këndon,
Buzëqeshur më thërret,
Djalë ç'pret e s'dashuron!

Mua zemëra gjith më rreh
Brenda gjaku më valon
Ma ndes mallin më vë re
Dashuro, se koha shkon!

Çdo gjë rrotull më pyet
Djalë ç'pret e s'dashuron
Ditët shkojnë, jeta shket
Dashuro, se koha shkon!

ASDREN

15 shkurt 2009

«Lulekuqeja»



Lulekuqeja e mjera
asgjëkundi s'ka shtëpi,
e shkon jetën nd' arrati;
ajo s'është si të tjera,
s'ka stoli.

Fushës, kodrës, del vetiu,
verës ngrohet, dimrit ngrin,
vetë shkundet, vetë mbin
dhe kur skuqet, vjen veriu
dh' e përfshin.

Nëpër këmbë gjith' e shkelin,
vend në kopësht ajo s'ka,
dorë ndihme kurrë s'pa:
as e mbjellin, as e vjelin
shkoi e u tha...

Po veç ngjyra e saj si zjarri,
si një yll që xixëllon,
tërë bota e imiton;
është shenjë për së mbari
nga shëkon.

Ajo ngjyrë kur zë çfaqet,
mbreti fronë shkon e le,
njerëz robër fare s'sheh
vjen e drejta del në faqet:
si zot je.

Ajo ngjyrë nd' ato fletë
është shpresa, që tregon
një të ardhme që ëndërron...
Është flamuri ynë vetë,
që valon.

ASDREN

03 gusht 2007

«Mall nate» [ose «Jehonë e poezisë së mbrëmshme»]

Del hëna lëmsh si ar
Lart bregut porsi korë,
Me rrezet rreth kurorë;
Çel buzët, qesh si zanë
Me kryet gjith' mënjanë
Dhe faqet plot me zjarr!

Heth dritën nëpër gjeth
Gjith hargje edhe shigjeta,
Derth ngjyra faqezbeta,
Lot, tundet si fantomë
E syëmbël hyn në dhomë.
Bën qarke murit rreth.

—Haj, hënë, m'u afro,
Kur shtratit jam i shtrirë,
Si vashë zemërmirë;
Mi ballët puthmë nxehtë
Dhe mallin tem të shkretë
Prej shpirtit ma largo!

ASDREN

30 nëntor 2006

«Letrë prej katundit tim»




LETRË PREJ KATUNDIT TIM

Urdhëroni, zot, në fshatin tonë
me shtëpi të bardha si gjithmonë,
me avlli dhe porta pleqërishte
gjith' me buzëqeshje dhëndërrishte.
Kur dritaret qeshin bukurije
nga të vendit lule plot me hije:
borzilok i gjelbër që mban erë,
që të deh sikundër deh një verë;
me të bashk' e bufka magjistare,
që tërheq me pamjen ledhatare
dhe qershiz' e turpshme porsi vashë
q'i çel syth' e kuq të saj gjumashë.
Si dhe karafil e trëndafili
që padashur vjen të fton secili.
Po të hyni brenda do të shihni
si ju prehet syri nga q'e shtini.
Në të bardhë muret gjithë të lyer
si një trup i paqm' e i papërlyer;
Dhomat poshtë e rrotull bukur shtruar
gjithë me shtresa dore zonje shkruar
q'u shkëlqejnë ngjyrat qysh ylberi
me fytyra zhgabe dhe skifteri.
Prej shtëllungash dita pa u gdhirë
tjerrur lesht' e bardhë e fijedlirë
n'avlimend punuar ditë e natë
siç tek na me zell punojnë gratë.
Çdo q'u del nga duart e qëndisur
është gjith' lule e flutura stolisur
Më çdo send të vet e të shtëpisë
duket dora, mjeshtr' i bukurisë.
Pale diellit rrezet kur i çohen!
Faqe-faqe ngjyrat sheh si ndërrohen
dhe kur hën' e plotë vjen e bie
sheh pallate prrallsh plot magjije,
ku gjen krejt një pritje miqësore
si nër viset tona malësore,
tek ju presin jo më pak bujare,
zonja si dhe vajza shtatkrenare.

Urdhëroni, zot, në fshatin tonë
që pret dyerhapur si gjithmonë
se mundimi kot s'ka për t'ju vajtur
sado mend të keni për ta mbajtur.
Se një drek' e darkë do të gjeni
dhe një shtrat të lirë ku të fleni
dhe tek një i varfër po të shkelni
pa ju pritur mirë s'do të delni.
Ka secili miqtë për t'i prekur
Një lakror a mish a zog të pjekur,
vez' e petka gjalp' e kos a salcë
po gjith' aq të majmë mu si palcë.
Pale djathë, gjizë e dhallë!
Plot, se fshati ka mjaft gjë të gjallë:
dhen e dhi, si kecër ka dhe shqerra
lopë, viçër, dema dhe mëshqerra
nër kullota çuar me barinjtë
të shijojnë barin e kërthinjtë.
Dalëngadalë kur kthehen mbrëma herë
fyell e këmborë ziejnë n'erë.
Tufa-tufa malit kurse vijnë
të zë malli kur po blegërijnë
që t'ua mjelësh qumështin e majmë,
siç tek na q'e kanë mend sa mbajnë.

Urdhëroni, zot, në fshatin tonë
ky fryn er' e malit si gjithmonë,
se katundi ynë, fala Zotit,
është plot nga çdo prodhim të motit:
grurë ka, dhe misër e tërshërë,
pale vreshtat, zot, kur janë bërë:
t'ëmbël mjaltë rrushtë si ngaherë
që del syresh fort e shijshmja verë.
Ka dhe ara e qershi e thana,
por nër ne më shumë bëhen mana.
Porsi vëthë varg q'u mvaren sërët
gjersa skuqen, nxihen në të bërët,
që prej frytit tyre kaq të shquar
del një e pirë me emër të dëgjuar.
Pa ka dhe fasule t'ëmbla shumë,
se burimet rrjedhin porsi lumë.
Nër luadhe rritet bar me lule
dhe nër kopshte kunguj plot me tule.
Uj' i ftohtë derdhet nëpër kroje,
ujë q'ep shëndet po pive soje,
që del malit, shket përmes lajthie,
gur mi gur me sulmin ëngjërvie.

Pa ne kemi bujq e punëtorë
gjith' flori që del ku venë dorë.
Në fshat tonë burrat nuk përtojnë,
si diku, që gratë t'u lërojnë.
Ca dhe vatrës tyre në largohen
gjith' për fshatn' e vet ata mendohen,
nga të gjitha t'jetë plot shtëpia,
siç e do dhe nderi dhe vetija.

Portën miqve ne gjithmonë ua çelim
se zakonet, zot, ne nuk i shkelim
se ky vendi ynë mund ka të meta,
por për pritje miqsh i tretet jeta.

ASDREN

[Nëse kam gabime, i kërkoj ndjesë Asdrenit atje ku është, por s'kam faj unë; fajin e ka mendja se ndoshta s'mban dhe aq mirë sa mbante një herë e një kohë.

-S]

Pamja: «Vjeshtë në Drenovë», Vangjush MIO