Po shfaqen postimet me emërtimin shqip. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin shqip. Shfaq të gjitha postimet

10 mars 2014

«Ferrparajsa»

Pa pikë pezmi vdes qysh nesër,
po fundja fatit pse t’ia prish?
Pushtoma shpirtin, verë e vjetër,
më lidh me pranga perëndish.

Shkëlqen parajsa përmatanë,
s’ka ferr e terr e tmerr pa fre,
se nga të gjithë që shkuan e vanë
asnjë s’u kthye prapë mbi dhe.

Por çfarë mërzie e përzishme
rrafshirë e botës n’amëshim!
Pa pabesi të befasishme,
pa një përplasje, një tundim.

M’u ndiz në deje zjarr i parë,
me prush e afsh më përkëdhel.
Një mijë demonë ta heqin zvarrë,
i zmbraps ky dufi yt rebel!

Me yjet flet kur pret vetëm
në ferrparajsa gjithësish.
Plugoma shpirtin, verë e vjetër,
të thyej pranga perëndish.

Xhevahir SPAHIU

24 shtator 2013

«Shembja e një nate dashurie»

Ktheva kokën, mbajta hapat:
binin tjegullat, binin trarët,
binte qielli i një nate dashurie.
Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,
shemben yjet tani, bëhen pluhur.
Dritare s’ka, ka sy të zgavërt,
s’ka mure me plasaritje të etshme,
skelete fjalësh në gjysmerrësirë,
skelete ëndrrash, premtimesh të nesërme.
Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,
një grusht eshtrash të një nate gërmadhë.
Në cep te rrënimit
dy burra po pinë qetë-qetë cigare.
Ej, ju atje! Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,
edhe pak e llava do të dalë jashtë meje si tek vullkanet.
Mos u kthe në kujtim, i thashë
mos u kthe në harrim, më tha;
botës i falëm një natë dashurie
dhe kjo s’është pak.
Një natë. Dhe çfarë nate!
Dora mbi sup,
hëna mbi mal,
qielli i kaltër i botës mbi krye…
Mbajeni, mbajeni!
Ajo po bie… po bie….
Dhe ishte një natë e paemër,
siç ishin të paemërt yjet.
Kini mëshirë, mos e shembni atë natë!
Është rënkimi im apo klithma e saj?
Kini mëshirë, kini mëshirë!
Ajo ishte një natë dashurie
që kurrë s’duhej të kish gdhirë.
Kini mëshirë,
në mos, po atje nën gurë,
nën peshën e natës së shembur do të shembem,
i vrarë jo nga urrejtja, po nga dashuria,
që, përjetësisht quhet dhembje…

Xhevahir SPAHIU

15 shkurt 2013

«Njeriu dhe koha»

Vërtitet një re e zezë mbi botë
e zezë si unë
leh natën një qen i tërbuar nën portë
tërbuar si unë

zvarritet një gjarpër nga rrugë e vithisur
një gjarpër si unë
kalojnë në shtigje plot njerëz të krisur
të krisur si unë

lëkunden në qoshe të rrugëve kurvat
lëkunden si unë
bërtasin lypsarët si kafshët në guvat
në guvat si unë

kërcejnë majmunët në pyjet e xhunglat
majmunçe dhe unë
jeton botë e çmendur me vallet dhe plumbat
e çmendur si unë

tmerrohet njeriu kur lind mbinjeriu
tmerrohem dhe unë
kur vdes mbinjeriu merr zemër fatziu
marr zemër dhe unë

Dritëro AGOLLI

26 korrik 2012

«Parisi, vendlindja»

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake
nuk do të na presë njeri i gjallë.
Në Paris do të hyjmë
ëndrrat do t'i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t'i lajmë sytë, duart lythore,
do t'i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t'i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi,
do t'i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pist do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s'do ti përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do ta harrojmë vendlindjen.

Ali PODRIMJA

19 nëntor 2011

«Ndjenjë e dashuruar»

Me ndjenjat jam ulur në dhomë e bisedoj
ato janë dashuruar me ty, unë nuk i besoj
me hire trëndafilash dimri, që celin mbi re,
të krahasojnë
si harqe ylberësh hutuar
rreth flokëve të tu duan të qëndrojnë

Mbi udhët e fletës sime fillojnë të vrapojnë
dhe tingujt nga pas po i ndjekin
unë për një çast ndaloj
të gjithë më shikojnë dhe nisin e presin
u them po shkoj, hej, ta takoj

Nga duart e hënës të marr, nga yjet e ftohtë.
Mbi krahët e mia të mbaj, nga ëndrrat të mbroj.
Rreth teje ndjenjat e mia dhe tingujt e lashtë
njëherazi thonë
ky djalë që ju shihni pranë ka shekuj me radhë
që po ju kërkon

Harrohemi në brigje prekjesh, në këngë vetëtimash
në dete të artë buzëqeshjesh
ecim mbi perla vargjesh, në maja të lira
ku vetëm një zë është dëgjuar
heeej, heeeej jam dashuruar.....

Ervin HATIBI

24 prill 2011

«"Shpirti" i dhespotit»

Dëgjomni Shqipëtarë
T’u dëftenj një gjë të rallë,
Ndë Shqipëri që ka ngjarë
E ka mbetur si përrallë.

Mos thoni se flasë fjalë të kota;
Se çdo gjë a punë q’është bërë
Del sheshit; se ashtu është bota
Ç’dëgjon edhe sheh, e nxjerr të tërë.

Pra, edhe kjo ç’u them unë
Është fare e vërtetë,
Se e panë edh’ e zunë
E më s’është pun’ e mshehtë.

Ish ndë qytet të Shqipërisë
Një dhespot me mësime të mëdha,
Qi kish ardhur ng’anët e Greqisë
Që të na predikojë feja ç’ka.

Ndër kishe kurdoherë që vinte
Mbante fjalë, dhe këshilla jipte,
Kurrë 'nonjëherë më vënt s’rinte
Po gjith kështu besnikët i kripte:

O vëllezër dëgjoni,
U thosh me ëmbëlsirë,
Besën mos e mohoni
Se si këjo s’ka m’e mirë!
Kjo na mëson ndë jetë
Të rojmë të nderuar,
Dhe pastaj Zoti vetë
Na ka për të bekuar.

Gjën’ e tjetrit kurrë mos lakmoni
As sytë të mos i shtini mi ‘të,
Po atë që kini të shëkoni
Se pastaj kjo në mëkate u vë.
Këto kështu ay duk’u thënë
Vetvetëhen nuk e numuronte
Po më nj’anë ng’ata e kish vënë;
Se asnjeri ta pyesë s’kuxonte!

Pa pyesni tashi uratën,
Ay që këshillon të tjerët,
Vallë ç’bën ditën edhe natën
Kur nuk e shohin, si ndë t’errët?
Këtë punë asnjë s’e dinte
Përveç fatit q’ashtu e solli,
Se me miken ay kur rinte
Askujt mendja nuk’ ja polli,
Ay që botën e mësonte
Si të sillet e si të mbahet,
Vet’ ay këto i punonte;
Si një ujk deles që s’i ndahet.

Ashtu pra një ditë kur po hante
Bashkë me një mike bukuroshe,
Mezin e saj me duar ja mbante
Edh’ i shtrëngonte duart bardhoshe.
Oh! ti je shpirti im! sa të dua
Si ty më s’ka tjatër asgjëkundi
Ti o shpirt, o pëllumb më do mua?
Dhe si e puth, mjekrën e shkundi!

Po atë çast për fat të keq
Një djalosh qi jashtë ishte,
Ndë një vërë syrin e ndreq
E, pa uratën kur e çvishte!
Haj o shpirt të rimë këtu
Të lozim të dy, të qeshim
I thosh urata, ja kështu
Edhe valles t’ia ngjeshim!

. . . . . .
. . . . . .
. . . . . .

Ish e Djelë. Shkolla kish provime
Dhe parësia qe mbledhur atje,
Mësonjësi i priste me nderime
Gjithëve sa vinin brënda vënt u le.
Ja dhe Dhespoti vjen duke qeshur
Dhe mi një fron të lartë zë vënt,
Parësin’ e mer si me të përqeshur
Se ishin të paditur munt e pa mënt.
Nisen provimet, djemt’ i pyesin
Për çdo punë që ka dituria,
Për njerinë a kafshët që vdesin
Ç’bëhet shpirti q’u dha Perëndia.

Më kot djemtë po përpiqen
Që të përgjigjen si ç’duhet
E nga robat gjith po hiqen.
Kur, një, nd’hundë kruhet:
Ç’ke ti, or djalosh, i thotë
Mësonjësi me një çudi,
Pse kthehesh ashtu si rotë
Po s’thua gjëkafshë në di?
Pra, thuaj, në di pa frikë
Si është shpirti që kemi?
Eja më pranë një çikë
Që të dimë se ku jemi.

«Unë di, thotë djali, m’emër të Zotit
Se shpirti është një grua e çveshur,
Se e pashë mi gjunjët të Dhespotit
Kur ay i thoshte: o shpirt! duke qeshur!!»

ASDREN
Reze djelli

23 prill 2011

«Në shtëpi të vjetër»

Nuk del më gjyshja në dritare
Me macen mua të më presë...
Nën një selvi, diku në varre,
Ajo po prehet, pastë ndjesë!
Sa të panjohur shoh te porta!
Të vegjël me xhaketa çjerrë:
Kush mban domate nëpër shporta,
Kush lot me gurë — bën poterë...
Kush hap një libër, një fletore,
Kush zgjidh probleme gjeometrike,
Kush bën me lule një kurorë,
Kush pret një cingël me një thikë.
Unë, o fëmijë, prindërit tuaj
I njoh se bashkë qeshëm, qamë,
I njoh, se bashkë lidhëm duaj,
I njoh, se bashkë malit vamë.
Pse të habitur më vështroni?
E dini?
Linda, ja, këtu,
Te kjo shtëpi, ku ju qëndroni,
Te ky ahur, te këto dru...
Njëzet e tetë vjet më parë
U ndie një zë nëpër mëhallë
Nga një fëmi' i vockël fare,
Fytyrëkuq e flokërrallë.
Ja, ky fëmi' kam qenë unë
Një çerek shekulli të shkuar,
Që thirra, qava, bëra zhurmë
Te kjo shtëpi hardhimbuluar.
Nga strehët shumë pika ranë...
U ngrita,
dola nga kjo portë
Dhe brodha vendin anembanë,
Dhe udhën mora nëpër botë...

1959

Dritëro AGOLLI

18 prill 2011

«Përralla e të vogëlit zoti Moric, i cili u bë tullac»

Na ishte një herë një burrë i vogël e i moshuar që quhej zoti Moric, i cili kishte këpucë shumë të mëdha dhe tok me to një pallto të zezë dhe një shkop ombrelle shiu, me të cilat dilte shpesh të shëtiste.

Kur në Berlin hyri dimri i gjatë, dimri më i gjatë në botë, njerëzit pak nga pak u bënë të këqinj.

Shoferët shanin se rrugët qenë aq rrëshqitëse sa u rrëshqisnin makinat. Policët rrugorë shanin se duhet të qëndronin përherë rrugëve në të ftohtë. Shitëset shanin se në dyqane bënte shumë ftohtë. Mbledhësit e mbeturinave shanin se dëbora nuk kish të sosur. Shpërndarësi i qumështit shanin se qumështi në shishe i bëhej akull. Fëmijët shanin se i kishin veshët e skuqura krejt të ngrira; dhe qentë nuk lehnin më si të tërbuar nga të ftohtit, por dridheshin dhe u kërcisnin dhëmbët prej tij, gjë që dukej po ashtu shumë e keqe.

Në një mëngjes të tillë me dëborë, doli zoti Moric shëtitje me qenin e tij blu dhe mendoi: «Sa të këqinj janë njerëzit; ka ardhur koha që vera të vijë sërish dhe të çelin lulet.»

E ndërsa ecte kështu nëpërmes njerëzve sharanikë nëpër pazar, i mbinë shpejt mbi kokë shumë drekëza, tulipanë dhe zambakë dhe trëndafila dhe karafila, si dhe luledylli dhe luledele. Në fillim ai nuk vuri re asgjë, e megjithatë kapelja i qe ngritur me kohë sipër kokës së tij, ngaqë lulet sa vinin e shtoheshin dhe rriteshin.

Një grua i qëndroi përpara dhe i tha: «Oh, po ju rritkan lule të bukura mbi kokë!»
«Lule mbi kokën time?!» - tha zoti Moric, «një gjë e tillë nuk është e mundur!»

«Posi jo! Shikohuni në xhamin e vitrinës, se atje do të mund të shikoni pasqyrimin tuaj. A më lejoni të këpus një lule?»

Dhe zoti Moric pa në pasqyrimin e xhamit të vitrinës se vërtet mbi kokën e tij po rriteshin lule; lule të mëdha dhe plot ngjyra, nga të gjitha llojet, dhe i tha: «Po ta doni një, me gjithë qejf….»

«Do të më pëlqente një trëndafil i vogël» - tha gruaja dhe e këputi një për vete.

«Edhe unë dua një karafil për tim vëlla,» - tha një vajzë e vogël, dhe zoti Moric u përkul që vajza të arrinte mbi kokën e tij. Por ai nuk kishte nevojë të përkulej kaq shumë, se vetë qe më i vogël se njerëzit e tjerë. Kështu ardhën shumë njerëz dhe këputën lule nga koka e të vogëlit zoti Moric, por kjo nuk e lëndonte atë aspak, se lulet rriteshin prapë më pas; dhe sepse në kokë ndjente një gudulisje të lezetshme, sikur dikush ia ledhatonte me dashamirësi; dhe zoti Moric qe i gëzuar, ngaqë kish mundësi t’u jepte njerëzve lule në mes të dimrit. Gjithnjë e më shumë vinin tok e tok plot njerëz dhe qeshnin e çuditeshin e këpusnin lule nga koka e të vogëlit zoti Moric, dhe asnjë prej atyre që kishin marrë nga një lule nuk tha një fjalë të keqe atë ditë.

Mirëpo më vonë erdhi edhe polici Maks Kunkel. Maks Kunkeli punonte që prej dhjetë vjetësh si polic në atë pazar, por një gjë të tillë s’ia kishin zënë sytë më parë! Një njeri me lule mbi kokë! Çau nëpërmes turmës së njerëzve dhe kur qëndroi përpara të vogëlit zoti Moric, bërtiti: «Ç’bëhet këtu?! Lule mbi kokë, zotëri? Nxirrni menjëherë letërnjoftimin, ju lutem».

Dhe i vogëli zoti Moric kërkoi sa kërkoi pastaj i dëshpëruar i tha: « E kam pasur kurdoherë me vete, e kam pasur kurdoherë në xhep!»

Dhe sa më shumë kërkonte, aq më tepër zhdukeshin lulet mbi kokën e tij.

«Aha!» - tha polici Maks Kunkel, «keni lule mbi kokë, por letërnjoftim në xhep nuk paskeni!»

Dhe zoti Moric ende i frikësuar kërkonte letërnjoftimin e tij, sa u skuq nga zori; dhe sa më thellë kërkonte—madje deri brenda astarit të xhaketës—aq më tepër vyshkeshin lulet, sa kapelja e tij pak nga pak iu ul prapë mbi kokë! Në dëshpërim e sipër, zoti Moric hoqi kapelen dhe, kur ja! nën të gjeti këllëfin e grisur plastik të letërnjoftimit. Po ç’qenkësh kjo?! Flokët i kishin rënë të gjitha! Zotit Moric nuk i kish mbetur as edhe një qime mbi kokë. Ai i kaloi një herë duart nëpër kokën e zbathur dhe pastaj vuri shpejt mbi të kapelen.

«Hë, pra, ja ku qenka letërnjoftimi» - tha me të mirë polici Maks Kunkel «dhe lule sikur s’paskeni më mbi kokë, apo jo?!»

«Jo…» - tha zoti Moric dhe futi shpejt në xhep letërnjoftimin. Pastaj, duke nxituar sa kish mundësi në rrugën rrëshqitëse, vrapoi për në shtëpi. Aty qëndroi gjatë përpara pasqyrës dhe i tha vetes: «Tani je tullac, zoti Moric!»

Volf BIRMAN
_____________________________

Wolf BIERMANN është këngëtar dhe këngëshkrues gjerman, me karrierë të gjatë si në RF, ashtu edhe në RD të Gjermanisë. Fillimisht me banim në pjesën që do të bëhej RFGj, i nxitur nga parimet e tij komuniste, ai kaloi kufirin për në RDGj, ku fitoi përkrahjen e udhëheqësve dhe intelektualëve të kohës.

Edhe pse me bindje komuniste, Biermann nuk rreshti së kritikuari mangësitë e qeverisë së RDGj-së, e cila e frikësuar nga popullariteti i tij shfrytëzoi rastin e largimit të tij për një koncert drejt RFGj-së për t'i hequr nënshtetësinë dhe për t'i ndaluar kthimin në RDGj.

_____________________________

Vendosa ta përkthej këtë tregim sepse nëpërmjet veçorive të tij «përrallore» pasqyron më së miri punën, përpjekjet, dhe vetëmohimin e prekshëm të atyre komunistëve të vërtetë, jo vetëm në RDGj, por edhe në Shqipëri e tjetërkund, të cilët larg pushtetit punuan dhe u përpoqën gjatë gjithë jetës së tyre për të mirën e të gjithëve.

Ndonëse me dy vjet mësimi të gjermanishtes, përkthimin e kësaj «përralle» e jap pa kurrfarë ngurrimi. Gjithsesi, s'do mend se ka gabime dhe për këtë e marr vetë përgjegjësinë. Desha vetëm ta bëja të fliste në shqip, sepse, me sa kam mundur të zbuloj, nuk është përkthyer asnjëherë.

04 prill 2011

«Mos!»

(Sakolit)

I lumtur është në jetë
Ay njeri që kupëtoj,
Një dashuri me të vërtetë
E fatin kurrë nuk' e mallkoj!

Të dëshëronj dhe ty i dashur
Këtë lumtësi ta shijosh,
Të rosh fatbardhë edhe i pasur
E fatin kurrë mos e mallkosh!

Dua për tynë në trëndafilët
Pranë së dashurës tinë të rrish,
E t'u këndojnë zoqtë bilbilët
Buzët e kuqe kur t'ja thëthish!

Dua për tynë që fush' e malet
Edhe sa mban këjo gjithësi,
Asaj q'e do asaj t'i falet
Që ti të jesh në lumtësi!

Mihal GRAMENO

26 mars 2011

«Të pi!»

I

Haj verëshitës sill të pi!
Të lutem nxire butin jashtë,
Këtu ma verë afër t'i rri
Të pi, të dehem sa për gjashtë
Dhe vendit të mos luanj.
Zemrimet s'dua më t'i ndjej!
Me verë t'i mbyt sa të shuhen,
Në gas të qarët do ta kthej
Mendime mua nuk' më duhen
Veç etjen le ta shuanj!

II

Haj verëshitës shtjer' mos rri!
Sa më pëlqen e shkreta verë;
Të çel të bën si më të ri
Të ndizet gjaku menjëherë
Të gjitha rrotull qeshin.
Dëshirë kam një ças t'jem mbret!
Çdo vrer që kam do ta bëj mjaltë,
Të ronj i lumtur pak mi dhet;
Se nesër dhe do t'jem e baltë
Dhe, breg do ta bënj sheshin!

ASDREN

«Ti me sy të zinj!»

O moj ti me sy të zij
Q'i ke flokët porsi ar,
Eja mezin të ta marr:
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij
Q'i ke buzët si qershi,
Falma dorën e mos ri:
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij
Me vështrimet si rrufe,
Falmi sytë që më sheh:
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij
Me ato lule rreth në bres,
Nem një lule të mos vdes:
Se po s'ardhe do t'të vij!

ASDREN

«Ku shtrohet vala...»

(Romancë)

Ku shtrohet vala përmbi zall
E fryn një këng' e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.

Q'ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë...
Dh'i shtinja sytë gjith përdhe—
Gjithë përdhe m'i shtinje sytë...

Po me t'u ndarë vet e vet,
Më s'kishim turp që s'kishte fjalë...
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith' përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.

. . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . .

Q'ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këngë e pakuptuar.

Se kish kuptim, që s'kish kuptim,
Kuptim' i fellë-i mallit tonë;
Se malli jon' ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s'dashuronja-as un' as ti,
Po dashuronte dashuria:
Një dashuri — një fshehtësi
M'e fshehur sesa fshehtësia.

Lasgush PORADECI

17 mars 2011

«5 minuta pas orës tetë në një fshat të vogël»

Terri po ulet ngadalë si një zog i plagosur me flatra të mëdha e të rënda.
Disa gjethe pranë meje fërfëllijnë ëmbël.
Në shtëpitë e kacavjerrura pas kodrës kujtohen të ndizen dritat,
Që me yjet ngatërrohen lehtë
E në oxhakun e një shtëpie mbështet butë hëna e njomë.
Pulat në një kotec rrotullojnë sytë dhe nxjerrin pasthirrma të tulatura nga gjumi.
Dhe përroi pa fjalë që ndrin pjesë-pjesë
Ështe me siguri gjerdan argjendi i zbuluar papritur në një tempull antik.
Një qen sakaton heshtjen, pas tij të tjerë.
Muallin e trembur një lopë që kthehet vonë nga kullota
E cila tërhiqet me zor me litar nga një vajzë e heshtur;
Gërvin një qerre mes fushës paanë,
Qerrtari këndon me zë të shpejtë
(Mos do të largojë frikën vallë?)
Fshatarët kthehen nga puna,
Dyer që hapen dhe mbyllen,
Unë përkëdhel një mace të përvuajtuar,
Që perëndon sytë orë e çast.
Tani ime më lan enët – tek unë e ka mendjen,
Tani im atë dëgjon lajmet – tek unë e ka mendjen,
Tek unë mendjen dhe vëllai atje në Tiranë...
Ora tetë e pesë.

Ervin HATIBI
Përditë shoh qiellin, 1989

02 mars 2011

«Katër këshilla vetes»

Mos u bëj poet nëse s'mund të lindësh
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.

Ngrehu mbi veten në do t'rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat e gjakut tënd.

N'se dashurohesh, dashurohu n'flakë e n'valë,
jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

Mos u bëj poet nëse s'mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

Azem SHKRELI

01 mars 2011

«Lavdi i saj»

Ajo është pikësëpari nga ato që dua t’i lëvdojnë.
I kam ardhur rreth shtëpisë, shkuar poshtë e lart
Siç shkon njeriu që një libër ka botuar,
Apo një vajzë e re që një fustan të ri mbart;
E ndonëse bisedën me hir a pahir e kam drejtuar
Ku tema kryesore të bëhej lavdi i saj
Një grua prapë për përralla ka dashur të fliste,
Apo një burrë hutimthi të ëndërronte pastaj,
Sikur një tjetër emër ndër mend i shkonte e vinte.
Ajo është pikësëpari nga ato që dua t’i lëvdojnë.
S’do të flas më për libra a luftën e gjatë
Por do të ec nëpër ferrat e thata derisa të takoj
Një lypës strehuar nga era dhe me atë të ngratë
Të bëj çmos të dal ku emrin e saj të shqiptoj.
Sa të ketë leckamanë, emrin kanë për t’ia mësuar
Dhe do t’kënaqen të kujtojnë se në kohë të largëta,
Ndonëse të rinjtë e patën lëvduar e pleqtë fajësuar,
Mes të varfërve, si pleq e të rinj, i thurnin lëvdata.

William Butler YEATS

09 shkurt 2011

«Portret diplomati shtatanik»

E ka shtatin tri pëllëmbë
Dhe fytyrën qeramidhe
Si sqeparë ka ca dhëmbë
Dhe një t'ecur karavidhe.

Një grusht këmbë i ka miku
Në këpucë fron të lartë
Bark e kokë si shiniku
Dhe një pamje sysh, të thartë.

Dhe nga duart është i gjatë
Po: shpesh-her i ka të gjata...
Gjith të duket t'jet' i urtë
Po në shpirt m'i zi se nata.

Kur shkon rrugës s'e nxë vendi
Shkel e mfryhet si gjel deti
Djathtë e mëngjër hedh sy shpendi
Me mënyra mendje-lehti.

Kur me shokët rri me fjalë
Për t'i bindur sa q'u thotë
Përpëlitet mun si ngjalë
Pa dhe trupn' e kthen si rrotë.

Miqësinë e ka për cipë
Peshë kurrë s'i ka vënë
Dhe sado q'i shtije kripë
Kripa shije s'i ka lënë.

Di të sillet qysh të duash
Plot mënyra ledhatare
Por mënyrat po t'ia gjuash
Sheh si dhelpër qenka fare.

Jet' e tija plot mistere
Si dhe letrat sibiline
Vepërat si gjemba ferre
Rend si korbi pas stërvine.

Ndrron përdita mij besime
Për qëllime satanike
Merr e jep e çfaq mendime
Me dredhi makjavelike.

Fjal' e tija ka të bindur
Veç për sa që nuk e njohin
Sa për vepra s'është i lindur
Flas për vepra që të ngrohin.

Një bisedë porsa nisi
I çthur fjalët si të dojë
Djallëzi q'e ka prej fisi
Sipas çastit në nevojë.

Se ka frymë diplomati
Le të mburret zotërija
Por qashtu me q'e do fati
Si lum ne dhe Shqipërija!

ASDREN

Dituria

Dituria është që e bën njerinë të quhet njeri e të çquhetë nga të gjithë kafshët' e-tjera, të cilatë lëvizin dhe ecin' e han' e pinë edhe ato si edhe njeriu. Sa do mënt të tepër të ketë njeriu nukë munt kurrë të dijë prej vetiu gjithë të vërtetat dhe gjithë ç'i duhetë të dijë as me të dëgjuar' e me të parë munt të bëhetë njeri i-diturë, as edhe me të vuarë, se jet' e njeriut ësht' e-pakë. Gjithë ç'kanë mundurë të mësojnë, të kupëtojnë a të çpikinë, njerëzit që kanë shkruar për-mi dhet përpara nesh që nga mijëra vjet e tëhu, gjithë ç'ka ngjarë, gjithë ç'është bërë e gjithë ç'janë munduarë njerës të urtë e me mënt tepërë, gjithë ç'kanë par'e ç'kanë vuar' ata që kanë vuajturë në-për vende larg' e të-pa-di-turë, me një fjalë gjithë çka ngjarë në jetët, gjithë ç'ka çpikur' a mbledhur njeriu dhe gjithë ç'ka gjeturë në natyrat, të gjitha janë të shkruara dhe këto bëjnë të diturin' e njeriut, e-cila s'fitohetë për-veçse në mësim. Pr'andaj, munt të themi se dituria është mësimi, edhe i pa-mësuari s'munt kurrë të jet' i-diturë. I mësuari di ç'është bërë që nga krej i jetës' e tëhu; di ç'ka mbi dhet e nënë dhet, di ç'është dheu, çështë qielli, ç'është natyra, ç'është vetë, di ç'do që munt të dihet, edhe kupton ç'do që munt të kupëtohetë. I pamësuari s'di përveç ç'sheh me sy e ç'dëgjon me veshë; për atë jeta niset edhe soset me gjalljet të ti, nuk di as ç'është bërë me parë tij, as ç'munt të bëhetë pas tij; për atë dheu ësht' aqë sa e sheh ay edhe qielli ashtu siç e sheh ay.

Pleqtë tanë thoshin «mos pyet të mësuarënë, po të vuarënë». Ajo fjalë ishte e-drejtë për atë kohë, në të cilënë mësimi e dituria nuk ish tjatërë gjë për-veç mësimi i besësë a shumë shumë e i nonjë gjuhe të huaj. Po të jet' ashtu, vërtet mësimi nukë zë dot vendin e vuajtjes, po sot në ditë tënë mësimi e dituria janë shumë më të gjera e më të forta se ç'pandeheshin atë-herë. Sot për sot nëpër vendet e qytetuarë dituria është si djellë që mbulon me dritat e me shkëndiat të ti gjithë ç'është, e s'lë errësirë gjëkunt. Mësimi në ato vende nuk është vetëmë për besët, as vetëmë për të mësuarë gjuhë, po për të ndritunë mëndjenë me ç'do farë diturie. Gjithë ç'mësohetë sot është shkruar nga njerës jo vetëm të diturë por edhe të vuarë. Sot nuk ka njeri m'i vuarë se i-mësuari, se ay di jo vetëmë ç'ka vuarë vetë, po edhe ç'kanë vuarë mijëra njerës përpara tij.

Për dy gjëra i duhet njeriut dituria. E para të marrë vesh e të kuptojë gjithë ç'i sheh syri, ç'i dëgjon veshi, ç'i zë dora, ç'i shkel këmba edhe gjithë ç'i vjen ndër mënt; të dijë se ç'është, ç'ka qenë, ç'do të bëhetë, ku është, nga ka ardhurë, ku do të vejë. E dyta, të muntnjë të fitojë sa më tepërë e të rronjë sa më mirë, jo vetëmë duke u bërë shkronjës a nënurdhrës, po më tepërë duke nxjerrë nga dheu e nga natyra gjëra të vjejtura, me të cilatë edhe ay edhe gjithë njerëzia të mundinë të bëjnë shumë punëra, e duke gjeturë ç'do farë udhe e çdo farë lehcije, për të vajturë njerëzia sa mbar' e më mbarë. Mundimë të themi që e par' e këtyre dy shërbimeve, që pret njeriu nga dituria, ësht' e pa-lënttë, e dyta e lënttë. Vërtet njeriu është mbrujturë me një natyrë, e cila e ç'pon të kërkonjë, të pyesë e të dojë të marrë vesh ç'do gjë, do të dijë jo vetëmë ç'i duhet, po edhe ç'do gjë; do të dijë vetëmë për të diturë. Këtu është çquarj' e njeriut nga kafshët e tjera; po i varfëri njeriu i paditurë është mësuarë të mos pyesë e të mos kërkonjë shumë gjerra që duhesh t'i pyette e t'i kërkonte më parë se çdo gjë. Kur shohim një njeri që shkon udhësë, na ha zëmëra e pyesim e të mos dimë se na vetë, ç'jemi, nga kemi ardhur e ku do të vemi? Qysh të mos dimë ç'kemi brenda në trup tënë, si jemi gjallë, ç'është ky gjak që punon nëpër rembat e trupit tënë, si shohëmë, si dëgjojmë? Qysh të mos pyesim pse bëhetë natë, pse hapetë dita, ç'është dielli, ç'janë këta yj, ç'është ky shi që bije pika-pika, nga vjen gjëmimi, nga del vetëtima, nga bije rufeja? Si cilido, kur ka qenë foshnje, me të zënë të flasë, më parë se ç'do gjë, këto ka pyeturë, po duke parë se të mëdhenjtë qeshinë me këto pyetje të ti, e duke marë vesh që as s'i dininë, është mësuarë edhe ay ti shoh e të mos i pyesë, t'i dëgjonj e të mos i dijë. Dituria vetëmë munt të përgjigjetë me gjithë këto pyetje, të përgjigjetë duke rrëfyerë ç'do gjë. Kjo është njëra faqe e diturisë. Të vimë në faqet tjatrë, në anët të lënttë, si thamë më sipër. Dituria sot i duhet ç'do neriu, jo vetëmë që të muntnjë të shkruanjë a të këndonjë një kartë a të mbledhë pesë numura, si pandehesh më parë, jo vetëmë që ti tregonjë gjithë të vërtetat, si thamë më siprë, po edhe që ndihnj' e ti apë dorënë në punët që do të punonjë për të rojturë. Edhe bujku që lëron arënë, edhe bariu që ruanë bagëtinë, dhe ç'do punëtor që bën një punë, ka nevojë për dituri, sepse i tregon një mijë urdhëra për të punuarë më leht' e më mirë e për të fituarë më tepërë. Qytetëria i ka holluarë aq punërat sa dor' e-ashpërë dhe mëndj' e-pa gdhendur' e të pa-diturit nuk mund të punonjë gjë të pëlqyerë. Në qytetëri' të-sotme nuk janë vetëmë mësonjëtoretë për të dhënë dritë botësë po janë çpikurë edhe shumë udhëra të-tjera, me të cilat u epet dritë edhe atyre që s'kanë vërsën (moshën) e të vajturit në mësonjëtore, tregohen' edhe shumë të vërteta të cilat s'mësohenë dot në mësonjëtore sa duhet. Një nga këto urdhra janë edhe fletoretë që flasënë për dituri , si edhe kjo kjo Drita, e-cila do të flasë për ç'do farë diturie, në mënyrë që të ëmbëlsohet prej saj, i-madhi e i-vogëli edhe secili do të gjenjë brenda, në të një gjë që t'i vlenjë që diç t'i mësonjë a t'a xbavitnjë.

Sami FRASHËRI
1884

03 shkurt 2011

«Lidhje e paçkëputur»

Ti moj Ëngjëll moj Shejtane
Moj Zambak e moj shafrane
Ti më dehe të papirë
Me tufan e me farmirë
Moj kurbatkë katarroshe
Moj sahroshe kokëboshe
Më përpjek qoshe më qoshe
Me zinxhir po më zvarrnis
Më shastis e më besdis
Më kërdis, më çakërdis
Ti ma syrgjynose gjumin
Ti më mbylle në budrumin
Ti më nxive në zullumin
Bashkë s’rrojmë dot
Ndahemi pra sot

Nuk ujdis dot ti me mua
Si për çift, për burr’ e grua
Unë hesht, ti po bërtet
Unë fle, ti po gërret
Unë ha, ti ramazan
Unë s’pi, ti zbras kazan
Unë rend, ti po çalon
Unë ngel, ti fluturon

Unë prush e ti dëborë
Unë drras’ e ti këmborë
Unë hi e ti vullkane
Unë mi e ti kapllane
Unë i ri, ti shkon më pleqtë
Unë plak, ti lot me djemtë
Çporru, prapa diellit
Ku s’hyn drit’e qiellit
S’piqemi gjëkund
Dasma mori fund!

Në më do, më ngushullo
Po s’më do, mos më mundo
Prema kokën dhe çliromë
Dhe në varr të zi mbulomë
Se kur ngjitem, kam një hall
Nuk shqitem, jam tutkall
Ndihmë, pra, për Zot
Puthm’ e vramë sot

Tani qan, u mallëngjeve
More vesh që u gënjeve
Tani zemrën ma gëzove
Se e shoh që u pendove
Tani dukesh si qëmoti
Kur më kape siç tha Zoti
Kokën time brigje-brigje
Ti moj flag’e ëmbël, digje!
Tok pra mbetemi
Sa të tretemi

Fan S. NOLI

«Ja sot... pastaj?»

85

Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?

Omar KHAJAM, Rubairat
Shqipëroi Fan S. Noli


02 shkurt 2011

«Madlena e vogël»

Shumë vite kishin kaluar nga koha kur, gjithçka që në Kombre nuk pat qenë teatri dhe drama e fjetjes sime nuk ekzistonin më për mua, kur, një ditë dimri, pasi hyra në shtëpi, ime më, me të parë që kisha ftohtë, ofroi të më jepte pak çaj, ndryshe nga ç'e kisha zakon. Në fillim s'pranova dhe më pas, nuk e di pse, ndërrova mendje. Ajo dërgoi dikë të më sillte një nga ato ëmbëlsirat e shkurtra dhe buçka që quhen Petites Madeleines, të cilat duken sikur janë formuar në valvën e valëzuar të një fistoni deti. Dhe, shpejt e shpejt, vetvetisht, i munduar nga dita e zymtë dhe pritja e një të nesërmeje të trishtë, çova drejt buzëve një lugë nga çaji ku kisha lënë të zbutej një copëz madlene. Por, pikërisht në çastin kur gllënjka e përzier me thërrime nga ëmbëlsira preku qiellzën time, fërgëllova, u vëmendësova pas asaj të jashtëzakonshmes që po ndodhte brenda meje. Një ëndje plot kënaqësi më kish pushtuar, tërhequr mënjanë, pa më të voglën dijeni për shkakun e saj. Po njëkohësisht m'i kishte bërë tallanditë e jetës të papërfillshme, rrënimet e saj të parrezikshme, shkurtësinë e saj vegimtare, në të njëjtën mënyrë si vepron dashuria, duke më mbushur me një thelb të çmuar. Ose, thënë më mirë, ky thelb nuk qe brenda meje, ai qeshë unë vetë. Nuk ndihesha më i pamjaftueshëm, i tepërt, i vdekshëm. Nga mund të më paskësh ardhur ky gëzim i fuqishëm? E ndieja që ai kish lidhje me shijen e çajit dhe të ëmbëlsirës, por që e tejkalonte pafundësisht, që s'duhej të qe i të njëjtit soj. Nga vinte? Ç'kuptim kishte? Ku ta kapje? Pi një gllënjkë tejtër dhe në të nuk gjej më shumë se tek e para, një e tretë më sjell edhe më pak se e dyta. Them se duhet ndalur; vetia e pijes duket se po bie. Duket qartë që e vërteta që kërkoj nuk është tek ajo, por tek unë. Ajo e zgjoi atje, por nuk e njeh dhe nuk mund të bëjë gjë tjetër veç të përsërisë pafundësisht, me fuqi gjithnjë e më të pakët, këtë dëshmi të cilës s'di t'i nxjerr kuptim dhe të cilën dua të paktën t'ia kërkoj sërish e ta rigjej pas pak të plotë, në dorën time, për një sqarim përfundimtar. E ul filxhanin dhe kthehem drejt mendjes sime. Asaj i takon të gjejë të vërtetën. Por si? Pasiguri e rëndë qenka sa herë që mendja ndihet e tejkaluar nga vetvetja; kur ajo, kërkuesja, është me gjithsej vetë vendi i errët ku duhet të kërkojë dhe ku gjithçka mbart nuk do t'i hyjë në punë. Të kërkojë? Jo vetëm kaq: të krijojë. Ajo është përballë diçkaje që ende nuk është vetë dhe që vetëm ajo do të mund të stisë, e më pas ta nxjerrë në dritë.
Dhe rinis të pyes veten se ç’mund të ketë qenë kjo gjendje e panjohur që nuk solli asnjë provë logjike, por dëshminë e lumturisë së saj, të vërtetësisë së saj përballë të cilës gjithë të tjerat zhduken. Dua të përpiqem ta bëj të rishfaqet. Ndjek hapat e mendjes prapa, drejt çastit kur piva lugën e parë të çajit. Gjej sërish të njëjtën gjendje, pa asnjë qartësi të re. I kërkoj mendjes dhe një përpjekje më shumë, të sjellë sërish ndjesinë që po arratiset. Dhe, që asgjë të mos ndërpresë vrullin me të cilin do të përçapet ta kapë sërish, largoj çdo pengesë, çdo mendim të huaj, i mbroj veshët dhe vëmendjen nga zhurmat e dhomës përbri. Por duke e ndier mendjen të më lodhet duke mos dalë kurrkund, e detyroj përkundrazi të merret me këtë shkëputje vëmendjeje që pak më parë s’ia lejova, të mendojë për diçka tjetër, të ripërtërihet para një tjetër përpjekjeje madhore. Pastaj për së dyti, boshatis gjithçka para saj, i vë përpara shijen ende të afërt të asaj gllënjkeje të parë dhe ndiej të fërgëllojë benda meje diçka që zhvendoset, që do të ngrihet, diçka si e shpërngulur nga një thellësi e madhe; nuk e di ç’është, por ajo ngjitet ngadalë; ndiej qëndresën dhe dëgjoj zhurmën e largësive të përshkuara.
Afërmendsh, ajo që regëtin kështu në thellësinë e vetes sime duhet të jetë pamja, kujtimi pamor, i cili, i lidhur pas kësaj shijeje, përçapet ta ndjekë deri tek unë. Por mendja përpiqet shumë larg, shumë turbullt; me zor zë të shquaj pasqyrimin e patrajtë ku përzihet vorbulla e pakapshme e ngjyrave të trazuara; por nuk mund t’ia dalloj formën, ta pyes, siç pyetet vetëm përkthyesi, të më përkthejë dëshminë e bashkëkohëses, e shoqes së saj të pandarë, të shijes, t’i kërkojë të më mësojë se për ç’rrethana të veçanta, për ç’epokë të së kaluarës bëhet fjalë.
Do të mbërrijë vallë deri në sipërfaqen e vetëdijes sime të kthjellët ky kujtim, ky çast i lashtë që tërheqja e një çasti të plotngjashëm erdhi nga kaq larg ta kërkojë, ta tronditë, ta ngrehë nga thellësia brenda meje? Nuk di. Tani nuk ndiej më asgjë, ai pushoi, ndoshta zbriti sërish; kush e di nëse do të ngrihet vallë ndonjëherë nga errësira e tij? Dhjetë herë më duhet të rinis, të zgjatem drejt tij. Dhe çdo herë paburrëria që na largon nga çdo detyrë e vështirë, nga çdo punë e rëndësishme, më këshilloi ta lija, të pija çajin tim duke menduar thjesht për mërzitë e mia të sotme, për ëndjet e mia të nesërme që mbeten të ripërtypen pa mundim.
Kur papritur m’u shfaq kujtimi. Kjo shije qenkësh shija e copëzës së madlenës që të dielave në mëngjes në Kombre (pasi atë ditë nuk dilja para orës së meshës), kur shkoja t’i thosha « mirëmëngjes » në dhomën e saj, më jepte të kafshoja ime emtë, Leoni, pasi e kish njomur në çajin ose blirin e saj. Vetë pamja e madlenës së vogël nuk më kujtoi asgjë para se ta shijoja; mbase ngaqë, duke i parë pa i ngrënë që prej asaj kohe nëpër banakët e ëmbëltoreve, pamja e tyre qe larguar nga ditët në Kombre për t’u lidhur me të tjera më të vonshme; apo ndoshta sepse prej këtyre kujtimeve të braktisura për kaq gjatë jashtë kujtesës nuk mbetej më asgjë, gjithçka qe shpërbërë; trajtat – përfshi këtu dhe atë të guackës së ëmbëlsirës, kaq të majmë dhe epshore, nën palat e saj të rrepta dhe fanatike – qenë shfuqizuar, ose, në përgjumjen e tyre, kishin humbur fuqinë e shtrirjes që do t’u kish lejuar të bashkoheshin me vetëdijen. Por, kur nga një e shkuar e lashtë nuk mbetet asgjë pas vdejes së qenieve, pas shkatërrimit të sendeve, mbeten të vetme, më të brishta por më gjallërore, më të palëndëta, më këmbëngulëse, më besnike, për shumë më gjatë, era dhe shija, si shpirtra për t’i kujtuar njëra-tjetrës, për të pritur, për të shpresuar që në rrënojat e gjithçkaje tjetër, me piklat e tyre thuajse të paprekshme, të prurin të papërkulur ndërtesën e pamatë të kujtesës.
Dhe porsa e njoha sërish shijen e kafshatës së madlenës së njomur në çaj bliri që më jepte ime emtë (megjithëse ende nuk e dija dhe duhet të zbuloja shumë më vonë përse ky kujtim më lumturonte aq shumë), menjëherë m’u shfaq shtëpia e vjetër ngjyrë gri buzë rrugës, brenda së cilës ndodhej dhoma e saj, që iu bashkangjit si dekor teatri shtëpizës në anën e saj të prapme me pamje nga kopshti, e cila qe ndërtuar për prindërit e mi (ai cep i cunguar të cilin deri atëherë e pata ëndërruar të vetëm); dhe tok me shtëpinë qyteti, nga mëngjesi deri në mbrëmje e në çdo vakt, sheshi ku më dërgonin para drekës, rrugët ku shkoja shitoreve, udhët që merrnim kur koha ishte e bukur. Dhe, si tek ajo loja me të cilën japonezët zbaviten duke lagur në tasë porcelani të mbushur me ujë copëza letre fillimisht të patrajta por që, me t’u zhytur shtriqen, përdridhen, ngjyrosen, shquhen, bëhen lule, shtëpi, personazhe të prekshme dhe të njohshme, po ashtu gjithë lulet e kopshtit tonë dhe ato të parkut të Z. Suan, dhe zambakët e ujit të Vivonës, dhe njerëzit e mirë të fshatit dhe banesat e tyre të vogla dhe kisha dhe Kombreja dhe gjithë rrethinat e saj, gjithçka që merr formë dhe ngurtësohet, doli, me qytet e kopshte, nga filxhani im i çajit.

»«

Shkëputur nga pjesa Kombre (Combray) e serisë Në kërkim të kohës së humbur (À la recherche du temps perdu) nga Marcel PROUST.

(Në përkthim jam munduar të ruaj pikësimin dhe sintaksën e autorit, duke u munduar, njëkohësisht, të mos rrezikoj shumë kuptueshmërinë e fjalive. Besoj se sintaksa është pjesë e krijimtarisë së Prustit, ashtu si rileximi i fjalive për t'i kuptuar mirë është detyrë që duhet t'i vihet çdo lexuesi të veprës së tij.)