Po shfaqen postimet me emërtimin përkthim. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin përkthim. Shfaq të gjitha postimet

07 nëntor 2013

Fjalimi i Suedisë

Fjalimi i mbajtur nga Alber Kamy (Albert Camus) në ceremoninë e dhënies së Çmimit Nobel për Letërsi në dhjetor 1957.

Përkthyer me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

***

Zotëri, Zonjë, Lartmadhëri, Zonja, Zotërinj,

Me të marrë dallimin me të cilin Akademia juaj e lirë pati vullnetin të më nderonte, mirënjohja ime qe edhe më e thellë duke parë se deri në ç’pikë ky shpërblim i tejkalonte meritat e mia vetjake.  Çdo njeri, dhe për arsye më të forta, çdo artist, dëshiron të njihet.  Edhe unë e dëshiroj.  Por nuk më ishte e mundur të mësoja vendimin tuaj pa ia krahasuar jehonën me atë çka jam në të vërtetë.  Si qenkësh e mundur që një burrë pothuajse i ri, i pasur vetëm me dyshime dhe me një vepër ende në ndërtim, mësuar me një jetë në vetminë e punës apo duke u tërhequr mes miqsh, të mos e mësonte me një fare paniku këtë ndalesë që e çonte menjëherë, të vetëm e të thjeshtuar në vetvete, në qendër të një drite të ashpër?  Dhe me çfarë zemër mund ta merrte ai këtë nder në orën kur shkrimtarë të tjerë në Evropë, mes të cilëve edhe më të mëdhenjtë, janë dënuar të heshtin, madje në një kohë kur edhe toka e tij e lindjes po njeh një fatkeqësi të parreshtur?

E njoha këtë rrëmujë dhe këtë tronditje të brendshme.  Për të gjetur sërish paqen, m’u desh, me pak fjalë, të pajtohesha me një fat tepër bujar.  Dhe, në pamundësi për t’u barazuar me të duke u mbështetur vetëm tek meritat e mia, nuk gjeta dot tjetër ndihmë përveç asaj që më ka mbështetur gjatë gjithë jetës sime deri në rrethanat më kundërvënëse:  idesë që kam për artin tim dhe për rolin e shkrimtarit.  Ndaj më lejoni që, me një ndjenjë mirënjohjeje e miqësie, t’ju them, aq thjesht sa të mund, se cila është kjo ide.

Personalisht, nuk mund të jetoj pa artin tim.  Por asnjëherë nuk e kam vendosur artin mbi gjithçka.  Përkundrazi, nëse e kam të nevojshëm, kjo është sepse arti nuk ndahet dot nga kurrkënd dhe më lejon të jetoj, ashtu siç jam, në nivelin e të gjithëve.  Arti në sytë e mi nuk është një galdim vetmitar.  Është një mënyrë për të prekur numrin më të madh të njerëzve duke u ofruar një pamje të privilegjuar të vuajtjeve dhe gazeve të përbashkëta.  Arti, pra, e detyron artistin të mos ndahet; ai e nënshtron atë ndaj të vërtetës më të thjeshtë dhe më të përgjithshme.  Edhe ndokush që shpeshherë ka zgjedhur fatin e artistit sepse ndihej ndryshe, shumë shpejt mëson se nuk ka për të ushqyer as artin e as ndryshimin e vet pa pranuar shëmbëllimin që ka me gjithkënd.  Artisti farkëtohet në këtë ecejak të përhershëm mes vetes dhe të tjerëve, në mes të rrugës midis bukurisë pa të cilën nuk bën dot dhe bashkarisë prej së cilës nuk mund të shkulet.  Prandaj dhe artistët e vërtetë nuk përbuzin asgjë, por përpiqen të kuptojnë në vend që të gjykojnë.  Dhe nëse mbajnë një krah në këtë botë, ai nuk mund të jetë tjetër veçse krahu i një shoqërie ku, sipas fjalës së madhe të Niçes, nuk do të mbretërojë më gjykuesi, por krijuesi, qoftë ai punëtor apo intellektual.

Për të njëjtat arsye, roli i shkrimtarit nuk ndahet dot nga detyrat e vështira.  Sipas përkufizimit të vet, ai nuk mund të vihet sot në shërbim të atyre që e bëjnë historinë:  ai është në shërbim të atyre që e vuajnë atë.  Në rast të kundërt, ja tek del i vetëm dhe i zhveshur nga arti i vet.  Nuk ka ushtri tiranie me miliona njerëz që ta largojë prej vetmisë, edhe pse – apo sidomos kur – ai pranon të ecë me hapin e tyre.  Por heshtja e një të burgosuri të panjohur e të braktisur në poshtërime në skajin tjetër të botës mjafton gjithmonë për ta nxjerrë shkrimtarin nga azili, sepse arrin, më së paku, që në mes të privilegjeve të lirisë, të mos e harrojë atë heshtje, dhe ta përçojë për t’i dhënë jehonë me mënyrat e artit.

Askush nga ne nuk është i madh sa duhet për një prirje të tillë.  Por në cilatdo rrethana të jetës – i harruar apo i njohur aty për aty, i hedhur në hekurat e tiranisë apo i lirë për t’u shprehur për një kohë – shkrimtari mund të gjejë rishtas ndjenjën e një bashkarie të gjallë që ta përligjë atë, me të vetmin kusht që të pranojë, aq sa ka mundësi, dy barrat që përbëjnë madhështinë e zanatit të tij:  shërbimin ndaj të vërtetës dhe lirisë.  Duke qenë se prirja e tij kërkon të bashkojë sa më shumë njerëz që të ketë mundësi, kjo prirje nuk mund të pranojë as gënjeshtrën e as nënshtrimin që, kudo që mbretërojnë, bëjnë të shtohet vetmia.  Çfarëdo të metash vetjake pastë shkrimtari, fisnikëria e zanatit tonë gjithmonë do të lëshojë rrënjë në dy angazhime që mbahen me vështirësi:  të mos pranojë të gënjejë për ato që di dhe t’i bëjë ballë shtypjes.

Për më se njëzet vjet të një historie të dalë mendsh, të humbur pa shpëtim, si gjithë bashkëmoshatarët e mi, kështu jam mbajtur dhe unë në ndrydhjet e kohës:  nga ndjenja e errët se të shkruaje ishte sot një nder, pasi ky veprim të vinte në detyrim dhe detyrimi nuk ishte thjesht që të shkruaje.  Kjo ndjenjë më vinte sidomos detyrimin të mbaja, ashtu siç qeshë dhe sipas forcave të mia, tok me gjithë ata që jetonin të njëjtën histori, fatkeqësinë dhe shpresën që ndanim bashkarisht.  Këta njerëz të lindur në fillim të Luftës së Parë Botërore që ishin njëzet vjeç në çastin kur po vendoseshin njëherazi pushteti hitlerian dhe gjyqet e para revolucionare, dhe të cilët u përballën mandej, si për të përsosur edukimin e tyre, me Luftën Civile të Spanjës, me Luftën e Dytë Botërore, me botën e përqëndrimit, me Europën e torturës dhe të burgjeve, sot duhet të rritin fëmijët e të ngrehin veprat e tyre në një botë të kërcënuar nga shkatërrimi bërthamor.  Marr me mend se askush nuk mund t’u kërkojë të jenë shpresëplotë.  Dhe për më tepër jam i mendimit se ne duhet të kuptojmë, duke mos rreshtur luftën kundër tyre, gabimin e atyre që, duke rritur dëshpërimin, kërkuan të drejtën për të çnderuar dhe vërshuan drejt nihilizmave të kohës.  Por nuk duhet harruar që shumica mes nesh, në vendin tim dhe në Europë, nuk e pranuan këtë nihilizëm dhe u vunë në kërkim të një përligjjeje.  U desh që të farkëtonin një mënyrë për të jetuar në kohë katastrofe, për të lindur së dyti, e më pas për të luftuar haptazi kundër instinktit të vdekjes që ishte në lëvizje në historinë tonë.

Çdo brez, padyshim, mendon se i takon ta ribëjë botën.  Mirëpo brezi im e di se nuk do ta ribëjë dot.  Sidoqoftë, detyra e tij është ndoshta më e madhe.  Kjo detyrë kërkon që ky brez të shmangë që bota të çbëhet.  Këtij brezi – i cili trashëgoi historinë e korruptuar ku ngatërrohen revolucionet e dështuara, teknikat e çuara deri në çmenduri, zotat e vdekur dhe ideologjitë e rraskapitura, ku pushtete të dobëta kanë sot mundësi të shkatërrojnë gjithçka por që nuk dinë më të bindin, ku intelligjenca u përul deri ku u bë shërbëtore e urrejtjes dhe e shtypjes – iu desh që, si brenda ashtu edhe përreth vetes, e duke filluar vetëm me mohimet e tij, të vinte në vend sadopak nga ajo që përbën dinjitetin e jetës dhe vdekjes.  Përballë një bote të kërcënuar nga shpërbërja, ku hetuesit rrezikojnë të vendosin përgjithmonë mbretëritë e vdekjes, ky brez e di që, në një farë gare të marrë kundër kohës, duhet të vendosë në vend një paqe mes kombesh që të mos jetë ajo e nënshtrimit, të pajtojë përsëri punën dhe kulturën, dhe të bëjë me gjithë njerëzimin një arkë të re besëlidhjeje.  Nuk dihet nësë ky brez do të mundë ta përmbushë këtë detyrë të pamasë, por dihet se kudo në botë ai vë tashmë bastin e tij të dyfishtë për të vërtetën dhe për lirinë, dhe se, kur ia kërkon rasti, di të vdesë pa urrejtje për të.  Pikërisht ky brez meriton të përshëndetet dhe t’i jepet zemër kudo që ndodhet, dhe sidomos aty ku ai flijohet.  I bindur se kam pëlqimin tuaj të thellë, dëshiroj t’ia përcjell pikërisht këtij brezi nderin që më keni bërë.

Në të njëjtën kohë, pasi kam folur për fisnikërinë e zanatit të të shkruarit, besoj ta kem rivendosur shkrimtarin në vendin e tij të vërtetë:  ai nuk ka tituj të tjerë përveç atyre që ndan me shokët e tij të luftës; është i prekshëm por këmbëngulës, i padrejtë dhe i pasionuar pas drejtësisë; ai ndërton punën e tij pa turp e pa lavdi në sy të të gjithëve; është përherë i ndarë mes dhimbjes dhe së bukurës, dhe i taksur më së fundi për të nxjerrë nga qenia e tij e dyfishtë krijimet që përpiqet me vendosmëri të ndërtojnë në mes të lëvizjes shkatërrimtare të historisë.  Kush, mandej, mund të presë prej tij zgjidhje të gatshme dhe morale të bukura?  E vërteta është e mistershme, e pakapshme, gjithmonë për t’u zaptuar.  Liria është e rrezikshme, sa e vështirë për të jetuar aq edhe ngacmuese.  Ne duhet të ecim drejt këtyre dy qëllimeve, me mundim por me vendosmëri, të bindur qysh prej fillit për dështimet tona në një rrugëtim kaq të gjatë.  Në këtë kuptim, cili shkrimtar do të mundte të bëhej me ndërgjegje të pastër predikues i virtytit?  Për sa më takon mua, duhet të them edhe një herë se nuk jam aspak i tillë.  Kurrë nuk kam mundur të heq dorë prej dritës, prej lumturisë së jetesës, prej jetës së lirë ku jam rritur.  Dhe ndonëse kjo nostalgji shpjegon shumë prej gabimeve dhe fajeve të mia, ajo më ka ndihmuar padyshim për të kuptuar më mirë zanatin tim dhe vazhdon të më ndihmojë për t’u mbajtur verbërisht përkrah gjithë atyre njerëzve të heshtur në botë që arrijnë të durojnë jetën që u jepet vetëm në saje të kujtimit ose rikthimit të lumturive të shkurtra e të lira.

I thjeshtuar kështu në atë çka jam vërtet, në kufizimet e mia, në borxhet e mia, ashtu si dhe në besimin tim të vështirë, ndihem më i lirë për t’ju treguar, më së fundi, masën dhe bujarinë e dallimit që më keni dhënë.  Më i lirë gjithashtu t’ju them se dëshiroj ta pranoj atë si një homazh për gjithë ata të cilët, ndonëse ndajnë të njëjtën luftë, nuk kanë marrë prej saj asnjë privilegj, por përkundrazi kanë njohur fatkeqësinë dhe përndjekjen.  Më mbetet, atëherë, t’ju falënderoj për të nga fundi i zemrës, dhe t’ju jap botërisht, si dëshmi vetjake për mirënjohje, të njëjtin premtim të lashtë për besnikëri që çdo artist i vërtetë i bën çdo ditë vetes, në heshtje.

01 mars 2011

«Lavdi i saj»

Ajo është pikësëpari nga ato që dua t’i lëvdojnë.
I kam ardhur rreth shtëpisë, shkuar poshtë e lart
Siç shkon njeriu që një libër ka botuar,
Apo një vajzë e re që një fustan të ri mbart;
E ndonëse bisedën me hir a pahir e kam drejtuar
Ku tema kryesore të bëhej lavdi i saj
Një grua prapë për përralla ka dashur të fliste,
Apo një burrë hutimthi të ëndërronte pastaj,
Sikur një tjetër emër ndër mend i shkonte e vinte.
Ajo është pikësëpari nga ato që dua t’i lëvdojnë.
S’do të flas më për libra a luftën e gjatë
Por do të ec nëpër ferrat e thata derisa të takoj
Një lypës strehuar nga era dhe me atë të ngratë
Të bëj çmos të dal ku emrin e saj të shqiptoj.
Sa të ketë leckamanë, emrin kanë për t’ia mësuar
Dhe do t’kënaqen të kujtojnë se në kohë të largëta,
Ndonëse të rinjtë e patën lëvduar e pleqtë fajësuar,
Mes të varfërve, si pleq e të rinj, i thurnin lëvdata.

William Butler YEATS

02 shkurt 2011

«Madlena e vogël»

Shumë vite kishin kaluar nga koha kur, gjithçka që në Kombre nuk pat qenë teatri dhe drama e fjetjes sime nuk ekzistonin më për mua, kur, një ditë dimri, pasi hyra në shtëpi, ime më, me të parë që kisha ftohtë, ofroi të më jepte pak çaj, ndryshe nga ç'e kisha zakon. Në fillim s'pranova dhe më pas, nuk e di pse, ndërrova mendje. Ajo dërgoi dikë të më sillte një nga ato ëmbëlsirat e shkurtra dhe buçka që quhen Petites Madeleines, të cilat duken sikur janë formuar në valvën e valëzuar të një fistoni deti. Dhe, shpejt e shpejt, vetvetisht, i munduar nga dita e zymtë dhe pritja e një të nesërmeje të trishtë, çova drejt buzëve një lugë nga çaji ku kisha lënë të zbutej një copëz madlene. Por, pikërisht në çastin kur gllënjka e përzier me thërrime nga ëmbëlsira preku qiellzën time, fërgëllova, u vëmendësova pas asaj të jashtëzakonshmes që po ndodhte brenda meje. Një ëndje plot kënaqësi më kish pushtuar, tërhequr mënjanë, pa më të voglën dijeni për shkakun e saj. Po njëkohësisht m'i kishte bërë tallanditë e jetës të papërfillshme, rrënimet e saj të parrezikshme, shkurtësinë e saj vegimtare, në të njëjtën mënyrë si vepron dashuria, duke më mbushur me një thelb të çmuar. Ose, thënë më mirë, ky thelb nuk qe brenda meje, ai qeshë unë vetë. Nuk ndihesha më i pamjaftueshëm, i tepërt, i vdekshëm. Nga mund të më paskësh ardhur ky gëzim i fuqishëm? E ndieja që ai kish lidhje me shijen e çajit dhe të ëmbëlsirës, por që e tejkalonte pafundësisht, që s'duhej të qe i të njëjtit soj. Nga vinte? Ç'kuptim kishte? Ku ta kapje? Pi një gllënjkë tejtër dhe në të nuk gjej më shumë se tek e para, një e tretë më sjell edhe më pak se e dyta. Them se duhet ndalur; vetia e pijes duket se po bie. Duket qartë që e vërteta që kërkoj nuk është tek ajo, por tek unë. Ajo e zgjoi atje, por nuk e njeh dhe nuk mund të bëjë gjë tjetër veç të përsërisë pafundësisht, me fuqi gjithnjë e më të pakët, këtë dëshmi të cilës s'di t'i nxjerr kuptim dhe të cilën dua të paktën t'ia kërkoj sërish e ta rigjej pas pak të plotë, në dorën time, për një sqarim përfundimtar. E ul filxhanin dhe kthehem drejt mendjes sime. Asaj i takon të gjejë të vërtetën. Por si? Pasiguri e rëndë qenka sa herë që mendja ndihet e tejkaluar nga vetvetja; kur ajo, kërkuesja, është me gjithsej vetë vendi i errët ku duhet të kërkojë dhe ku gjithçka mbart nuk do t'i hyjë në punë. Të kërkojë? Jo vetëm kaq: të krijojë. Ajo është përballë diçkaje që ende nuk është vetë dhe që vetëm ajo do të mund të stisë, e më pas ta nxjerrë në dritë.
Dhe rinis të pyes veten se ç’mund të ketë qenë kjo gjendje e panjohur që nuk solli asnjë provë logjike, por dëshminë e lumturisë së saj, të vërtetësisë së saj përballë të cilës gjithë të tjerat zhduken. Dua të përpiqem ta bëj të rishfaqet. Ndjek hapat e mendjes prapa, drejt çastit kur piva lugën e parë të çajit. Gjej sërish të njëjtën gjendje, pa asnjë qartësi të re. I kërkoj mendjes dhe një përpjekje më shumë, të sjellë sërish ndjesinë që po arratiset. Dhe, që asgjë të mos ndërpresë vrullin me të cilin do të përçapet ta kapë sërish, largoj çdo pengesë, çdo mendim të huaj, i mbroj veshët dhe vëmendjen nga zhurmat e dhomës përbri. Por duke e ndier mendjen të më lodhet duke mos dalë kurrkund, e detyroj përkundrazi të merret me këtë shkëputje vëmendjeje që pak më parë s’ia lejova, të mendojë për diçka tjetër, të ripërtërihet para një tjetër përpjekjeje madhore. Pastaj për së dyti, boshatis gjithçka para saj, i vë përpara shijen ende të afërt të asaj gllënjkeje të parë dhe ndiej të fërgëllojë benda meje diçka që zhvendoset, që do të ngrihet, diçka si e shpërngulur nga një thellësi e madhe; nuk e di ç’është, por ajo ngjitet ngadalë; ndiej qëndresën dhe dëgjoj zhurmën e largësive të përshkuara.
Afërmendsh, ajo që regëtin kështu në thellësinë e vetes sime duhet të jetë pamja, kujtimi pamor, i cili, i lidhur pas kësaj shijeje, përçapet ta ndjekë deri tek unë. Por mendja përpiqet shumë larg, shumë turbullt; me zor zë të shquaj pasqyrimin e patrajtë ku përzihet vorbulla e pakapshme e ngjyrave të trazuara; por nuk mund t’ia dalloj formën, ta pyes, siç pyetet vetëm përkthyesi, të më përkthejë dëshminë e bashkëkohëses, e shoqes së saj të pandarë, të shijes, t’i kërkojë të më mësojë se për ç’rrethana të veçanta, për ç’epokë të së kaluarës bëhet fjalë.
Do të mbërrijë vallë deri në sipërfaqen e vetëdijes sime të kthjellët ky kujtim, ky çast i lashtë që tërheqja e një çasti të plotngjashëm erdhi nga kaq larg ta kërkojë, ta tronditë, ta ngrehë nga thellësia brenda meje? Nuk di. Tani nuk ndiej më asgjë, ai pushoi, ndoshta zbriti sërish; kush e di nëse do të ngrihet vallë ndonjëherë nga errësira e tij? Dhjetë herë më duhet të rinis, të zgjatem drejt tij. Dhe çdo herë paburrëria që na largon nga çdo detyrë e vështirë, nga çdo punë e rëndësishme, më këshilloi ta lija, të pija çajin tim duke menduar thjesht për mërzitë e mia të sotme, për ëndjet e mia të nesërme që mbeten të ripërtypen pa mundim.
Kur papritur m’u shfaq kujtimi. Kjo shije qenkësh shija e copëzës së madlenës që të dielave në mëngjes në Kombre (pasi atë ditë nuk dilja para orës së meshës), kur shkoja t’i thosha « mirëmëngjes » në dhomën e saj, më jepte të kafshoja ime emtë, Leoni, pasi e kish njomur në çajin ose blirin e saj. Vetë pamja e madlenës së vogël nuk më kujtoi asgjë para se ta shijoja; mbase ngaqë, duke i parë pa i ngrënë që prej asaj kohe nëpër banakët e ëmbëltoreve, pamja e tyre qe larguar nga ditët në Kombre për t’u lidhur me të tjera më të vonshme; apo ndoshta sepse prej këtyre kujtimeve të braktisura për kaq gjatë jashtë kujtesës nuk mbetej më asgjë, gjithçka qe shpërbërë; trajtat – përfshi këtu dhe atë të guackës së ëmbëlsirës, kaq të majmë dhe epshore, nën palat e saj të rrepta dhe fanatike – qenë shfuqizuar, ose, në përgjumjen e tyre, kishin humbur fuqinë e shtrirjes që do t’u kish lejuar të bashkoheshin me vetëdijen. Por, kur nga një e shkuar e lashtë nuk mbetet asgjë pas vdejes së qenieve, pas shkatërrimit të sendeve, mbeten të vetme, më të brishta por më gjallërore, më të palëndëta, më këmbëngulëse, më besnike, për shumë më gjatë, era dhe shija, si shpirtra për t’i kujtuar njëra-tjetrës, për të pritur, për të shpresuar që në rrënojat e gjithçkaje tjetër, me piklat e tyre thuajse të paprekshme, të prurin të papërkulur ndërtesën e pamatë të kujtesës.
Dhe porsa e njoha sërish shijen e kafshatës së madlenës së njomur në çaj bliri që më jepte ime emtë (megjithëse ende nuk e dija dhe duhet të zbuloja shumë më vonë përse ky kujtim më lumturonte aq shumë), menjëherë m’u shfaq shtëpia e vjetër ngjyrë gri buzë rrugës, brenda së cilës ndodhej dhoma e saj, që iu bashkangjit si dekor teatri shtëpizës në anën e saj të prapme me pamje nga kopshti, e cila qe ndërtuar për prindërit e mi (ai cep i cunguar të cilin deri atëherë e pata ëndërruar të vetëm); dhe tok me shtëpinë qyteti, nga mëngjesi deri në mbrëmje e në çdo vakt, sheshi ku më dërgonin para drekës, rrugët ku shkoja shitoreve, udhët që merrnim kur koha ishte e bukur. Dhe, si tek ajo loja me të cilën japonezët zbaviten duke lagur në tasë porcelani të mbushur me ujë copëza letre fillimisht të patrajta por që, me t’u zhytur shtriqen, përdridhen, ngjyrosen, shquhen, bëhen lule, shtëpi, personazhe të prekshme dhe të njohshme, po ashtu gjithë lulet e kopshtit tonë dhe ato të parkut të Z. Suan, dhe zambakët e ujit të Vivonës, dhe njerëzit e mirë të fshatit dhe banesat e tyre të vogla dhe kisha dhe Kombreja dhe gjithë rrethinat e saj, gjithçka që merr formë dhe ngurtësohet, doli, me qytet e kopshte, nga filxhani im i çajit.

»«

Shkëputur nga pjesa Kombre (Combray) e serisë Në kërkim të kohës së humbur (À la recherche du temps perdu) nga Marcel PROUST.

(Në përkthim jam munduar të ruaj pikësimin dhe sintaksën e autorit, duke u munduar, njëkohësisht, të mos rrezikoj shumë kuptueshmërinë e fjalive. Besoj se sintaksa është pjesë e krijimtarisë së Prustit, ashtu si rileximi i fjalive për t'i kuptuar mirë është detyrë që duhet t'i vihet çdo lexuesi të veprës së tij.)

05 nëntor 2010

«Lemzë»

Pour Vashti, et Mercer Cook

E më kot gëlltis shtatë gllënjka ujë
tre a katër herë në njëzet e katër orë
më vjen sërish fëmijëria ime
në një lemzë që troshit
instinktin tim
si hafija rrugaçin

Gjëmë
Më flisni për gjëmën
më flisni për të

Ime më që i kërkonte të birit një qëndrim shumë të mirë në tryezë
Duart mbi tryezë
buka nuk pritet
buka thyhet
buka nuk çohet dëm
buka e Zotit
buka e djersës së ballit të Atit tuaj
buka e bukës
Kocka hahet me të matur dhe me kujdes
stomaku duhet të jetë i shoqërueshëm
dhe çdo stomak i shoqërueshëm
bën pa gromësitur
piruni nuk është kruajtëse dhëmbësh
ndalohet të fshihen buzët
në dijeni
në sy të gjithë botës
pastaj mbahuni dhe drejt
një hundë e rritur mirë
nuk fshin pjatën

E pastaj e pastaj
e pastaj në emër të Atit
të Birit
të Shpirtit të Shenjtë
në fund të çdo vakti

E pastaj e pastaj
e pastaj gjëmë
më flisni për gjëmën
më flisni për të

Ime më që i kërkonte të birit memorandum

Nëse s'e keni mësuar mësimin e historisë
nuk do të shkoni në meshë
të diel
me rrobat tuaja të së dielës

Ky fëmijë do të bëhet turpi i emrit tonë
ky fëmijë do të jetë qoftë-largu ynë
Heshtni
Ju kam thënë apo s'ju kam thënë se duhet të flisni frëngjisht
frëngjishten e Francës
frëngjishten e frëngut
frëngjishten franceze

Gjëmë
Më flisni për gjëmën
më flisni për të

Ime më që i kërkonte të birit
një djalë mamaje

Nuk e përshëndetët komshijen
këpucët i keni ende të ndotura
dhe se mos ju gjej në rrugë
mbi bar a në Savanë
nën hijen e Monumentit të të Rënëve
duke luajtur
duke lodruar me një Filan
me një Filan që s'është pagëzuar

Gjëmë
Më flisni për gjëmën
më flisni për të

Ime më që i kërkonte të birit shumë do
shumë re
shumë mi
shumë fa
shumë sol
shumë la
shumë si
shumë do
re-mi-fa
sol-la-si
do

Mora vesh se prapë nuk kishit shkuar
në mësimin tuaj të vi-o-li-nës
Një banxho
një banxho thoni
si thënkeni
një banxho
thënkeni vërtet
një banxho
Jo zotrote
ta dini se nuk vuajmë në shtëpinë tonë
as ban
as xho
as ki
as tarë
s’janë për mulatët ato
prandaj lëruani zezakëve

Léon-Gontran DAMAS
Pigments, 1937

24 shtator 2010

[unknown title]

In my pockets sleep
unsent letters
I feel under my skin verses that whisper
envelopes that tremble
philately that loved ones will not be able to
pluck from my flesh
they are letters that I perhaps wrote
but sent to myself
in far-away addresses
as though I want to explain myself
with others' reasons
for my shortcomings
under my skin sleep
letters
a whole bunch of them
letters that will perhaps be sent
in fact, that have been sent, but to me
who, like a stolen mailbox,
accumulate for myself a certain warmth, good words
that I myself wrote about others better
than anybody could write to me.

Ervin HATIBI

28 shkurt 2010

«Cloths of Heaven»

Had I the heavens' embroidered cloths,
Enwrought with golden and silver light,
The blue and the dim and the dark cloths
Of night and light and the half-light,
I would spread the cloths under your feet:
But I, being poor, have only my dreams;
I have spread my dreams under your feet;
Tread softly because you tread on my dreams.

William Butler YEATS


[«Pëlhura qiejsh»

Të paskësha pëlhurat e qëndisura të qiejve,
Punuar me dritë ari dhe argjendi,
Të kaltrat të zbehtat të errëtat pëlhura
Të natës të ditës e të mugëtirës,
Do t'i shtroja pëlhurat nën këmbët e tua:
Por, i varfër siç jam, kam vetëm ëndrrat e mia;
I kam shtruar ëndrrat e mia nën këmbët e tua;
Shkel me ngadalë se shkel mbi ëndrrat e mia.]

26 qershor 2009

«Pop botëror: Michael Jackson në Shqipëri»

Ja një histori e vogël për Michael Jackson-in për t'u hedhur në pirg, një histori që tregon shtrirjen dhe fuqinë botërore të muzikës pop.

Shqipëria jetoi në izolim të plotë nga pjesa tjetër e Europës për katër dhjetëvjeçarë. Ajo i shkëputi lidhjet me Bashkimin Sovjetik gjatë ndryshimeve de-stalinizuese të Hrushovit sepse diktatori i saj, Enver Hoxha, e pëlqente stalinizmin. Aleati i saj i vetëm që nga ajo kohë qe vetëm Kina maoiste, por edhe ajo marrëdhënie u pre pas rënies së Grupit Katërsh dhe vdekjes së Maos. Në Shqipëri, edhe të zotëroje një automobil qe kundër ligjit.

Si Korea e Veriut sot, Shqipëria qe një shtet i mbyllur që nuk lejoi pothuajse asnjë të huaj të hynte dhe që lejoi edhe më pak qytetarë të saj të dilnin nga shteti. Edhe dëgjimi i transmetimeve në media të huaja qe krim. Mbërrita atje më 1991 si pjesë e valës së parë të këshilltarëve të jashtëm që u dërguan për të ndihmuar me ndryshimet. Populli kishte stisur asokohe «makina» duke salduar dritare në pjesën e përparme të traktorëve. Predikues Wahhabi nga Arabia Saudite kishin instaluar një altoparlant dhe një muexin në xhaminë e zonës, e cila nuk përdorej prej dyzet vjetësh. Ndonëse qeveria më dërgoi të ndihmoja me financimin e kujdesit shëndetësor, m'u bë shpejt e qartë se nevojat që ata kishin për ushqim dhe pajisje mjekësore qenë shumë më urgjente se nevoja për riorganizim ekonomik.

Mikpritësi dhe përkthyesi im qe një mjek i ngrohtë e shpirtmirë që kishte mësuar anglisht duke dëgjuar BBC-në fshehurazi. E kishte kallëzuar një herë një fqinj që kishte dëgjuar zhurma të një radioje angleze dhe për këtë kishte kaluar një ditë tmerruese në zyrat qendrore të sigurimit të shtetit para se të lirohej me një paralajmërim. Ditën kur u nisa për në shtëpi e pyeta se ç'mund t'i dërgoja si dhuratë.

«Albume nga Connie Francis» - më tha. (Connie Francis për ata mes jush që nuk e mbani mend, qe një yll i epokës para Beatles-ave, që nxori këngë të suksesshme si «Lipstick on Your Collar» dhe «Where the Boys Are».)

Gjurmët e muzikës pop qenë të zbehta por të dukshme edhe gjetiu në shtetin-garnizon. Kur hymë në «restorantin» e vetëm të Tiranës—një garazh ende i pashndërruar dhe i mbushur me tryeza lojrash, karrige të palosshme dhe punëtorë bamirës nga kudo në botë—zëri i Garth Brooks-it dilte nga një magnetofon. Ndërsa, në një takim diplomatik të nivelit të largë, disa shqiptarë biseduan për këngëtarin e tyre më të njohur të muzikës së lehtë dhe thanë se përdorimi i anglishtes në publik qe aq i ndaluar sa atë e kishin dënuar me dy vjet burg ngaqë kishte kënduar «Let It Be» në një festival të muzikës së lehtë.

«Ai që dëgjova ta këndonte për herë të fundit nga vij unë duhet të kish bërë pesë» - u thashë unë. Për fat të mirë qeshën.

Pastaj, kur shkuam të shikonim disa klinika mjekësore të largëta në Malet Sar, makina jonë u ndalua në fshatra të largëta nga turma kureshtare për të parë një Perëndimor ballë-për-ballë. Në një rrugë të mbushur me gurë na ndaloi një bandë adoleshentësh disi të trembur, me fytyra të ndotura dhe gurë nëpër duar. Kur më panë, më i gjati—doemos i pari i tyre—futi dorën në xhep, nxori një dorashkë të vetme dhe e vuri në dorë. Hodhi prapa perçen e flokëve që i ra mbi ballë me një lëvizje si të të fortëve kudo. Kaloi një çast qetësie. Pastaj....

«Michael Jackson!» - thirrën. «Michael Jackson!» Vazhduan të flisnin ndërsa mjeku përkthente. «Duan të dinë nëse e njeh Michael Jackson-in» - më tha. Nuk e njihja. Na lanë të kalonim.

Nuk do të them se Michael Jackson përmbysi komunizmin në Shqipëri. Ai kurrë nuk e takoi Enver Hoxhën në një betejë epike, edhe pse ajo fotografi në kopertinën e albumit History bënte të dukej sikur vërtet e pat takuar. Qeshë në Pragë kur Vaklav Haveli u përpoq ta bënte Frank Zappa-n ministër në qeverinë e tij, por s'do të thosha se muzika pop e përmbysi komunizmin as atje. Por këtë do ta them: nuk bëri keq.

A qe Michael Jackson i pari ylli i pop-it në botë? Turma njerëzish në Indi mbajtën zi për vdekjen e këngëtarit country Jim Reeves më 1964. Ndërsa mua m'u desh pak kohë të kuptoja se këngëtari në një album të vjetër afrikan të quajtur «Çimiraxha», i shoqëruar vetëm nga një kitarë e akorduar dosido dhe nga dikush tjetër që godiste një shishe Koka Kole, këndonte në të vërtetë për «Jimmie Rodgers»-in, «Trenistin këngëtar» të muzikës country.

Jimmy Rodgers vdiq më 1933.

Muzika popullore ka qenë gjithmonë botërore. Por Michael Jackson u bë yll botëror në vitet e para që pati transmetime satelitore. Njerëzit jo vetëm e dëgjonin muzikën e tij. Ata e shihnin. Ata e ndjenin atë—ose të paktën një dukuri të tijën. Michael Jackson rrëzoi kufij racash, gjuhësh, kombësish. Sjellja e tij vetjake pati ndikim të thellë tek disa njerëz. Por muzika e tij mbërriti tek miliarda dhe bëri diçka të mirë në botë.

Kjo sigurisht do të ketë sadopak vlerë para çfarëdo gjyqi që ai do të ndodhet, edhe sikur ky të jetë vetëm gjyqi i opinionit publik.

RJ ESKOW
Origjinali, 'Global Pop: Finding Michael Jackson in Albania', këtu dhe këtu.

23 qershor 2009

«Një kalimtareje»

Rruga shurdhuese rreth meje ulërinte.
E gjatë, e hollë, në zi të madh, dhimbje madhështore,
Kaloi një grua, me dorë të madhërishme
Tek ngrinte, tundte fistonin e azhurin;

E shkathët e fisnike, me këmbën e saj prej shtatoreje.
Unë pija, i tendosur si një shkapërdar.
Në syrin e saj, qiell mavi, ku mbin uragani,
Ëmbëlsia që josh e kënaqësia që vret.

Një vetëtimë... e më pas nata! —Bukuri levarashe,
Shikimi i të cilës më bëri befas të rilindja,
S'do të të shoh vallë jashtë përjetësisë?

Tjetërkund, shumë larg këndejmi! shumë vonë! mbase kurrë!
Se nuk di ku degdisesh, ti nuk di se ku shkoj,
O ti që do të kisha dashuruar, o ti që e dije!

Charles BAUDELAIRE

«Helmi»

Vera di si të mbushë honet më të ndyrë
Me luks të mrekullueshëm,
Dhe të shfaqë më se një derë përrallore
Në arin e avullit të saj të kuq,
Si një diell tek perëndon në qiell të vranët.

Opiumi zmadhon të pakufishmen,
Zgjeron të paanën,
Thellon kohën, zbraz epshin,
Dhe me kënaqësi të zeza e të zymta
E mbush shpirtin më sa mban.

Gjithë këto s'vlejnë sa helmi që rrjedh
Prej syve të tu, syve të tu të blertë,
Liqene ku shpirti im dridhet e duket përmbys...
Ëndrrat e mia turren kuturu
Për të shuar etjen në zbrazëtirën e tyre të hidhur.

Gjithë këto s'vlejnë sa mrekullia e tmerrshme
E pështymës tënde që kafshon
Që zhyt në harresë shpirtin tim pa pendesë
Dhe, hipur karrocës së marramendjes,
E çon të rraskapitur në brigjet e vdekjes!

Charles BAUDELAIRE

«Dashnorja»

Ajo është më këmbë mbi qepallat e mia
Dhe me flokët e saj ndër të miat,
Ajo ka formën e duarve të mia
Ajo ka ngjyrën e syve të mi
Ajo përpihet në hijen time
Si një gur në qiell.

Ajo i ka sytë përherë të hapur
Dhe nuk më lë të fle.
Ëndrrat e saj në dritë të plotë
Bëjnë diejt të avullojnë
Më bëjnë të qesh, të qaj e të qesh,
Të flas pa pasur gjë për të thënë.

Paul ÉLUARD

20 qershor 2009

«Ndjenjë»

Netëve të kaltra të verës, shtigjeve do të shkoj përtej,
I çukitur nga grunjërat, të shkel të imëtat lëndina:
Ëndërrimtar, freskinë në këmbë do t'ua ndiej
Nga erërat atje le të më laget kaptina.

Nuk do të flas, me në mendje asnjë mendim:
Por dashuria pafund tek shpirti do të më ngrejë mua,
E do të shkoj larg, si një cigan, larg në mërgim,
Pranë Natyrës, — i lumtur si me një grua.

Mars 1870.

Arthur RIMBAUD

«Ngurrim»

Jashtë në fusha e pyje
E mbi mure kam shkuar;
Jam ngjitur kodrave plot pamje
Botën kam parë e poshtë kam vrapuar;
Rrugën për në shtëpi kam marrë,
Dhe ja, gjith' ka mbaruar.

Gjethet janë tharë e kanë rënë,
Veç disave që lisi do të shtrëngojë,
T'i endë një nga një
E të gërvishten e zvarriten t'i lëshojë
Përmbi dëborën e ngrirë trokë,
Kur të tjerët gjumi t'i zaptojë .

Dhe gjethet e thata mblidhen qetësisht,
Jo më të fryra tej-tëhu;
E fundmit lule-ylli shkoi,
Vyshket hamameli përmbi dru;
Zemra ende theron të kërkojë,
Por këmbët pyesin: «ku»?

Ah, kur zemrës së njeriut
Iu duk më pak se një tradhëti
Të shkojë me valën e jetës,
Arsyes t'i dorëzohet me bukuri,
Të përulet dhe të pranojë
Se merr fund një stinë a një dashuri?

Robert FROST

03 prill 2009

«Dhe sikur ti të mos ekzistoje»

Dhe sikur ti të mos ekzistoje,
Thuamë përse do të ekzistoja unë?
Për t'u zvarritur në një botë pa ty,
Pa shpresë e pa mall.

Dhe sikur ti të mos ekzistoje,
Do të përpiqesha të shpikja dashurinë,
Si një piktor që sheh si nën gishta
Lindin ngjyrat e jetës
Dhe më nuk del syresh.

Dhe sikur ti të mos ekzistoje,
Thuamë përse do të ekzistoja unë?
Për kalimtaret e përgjumura në krahët e mi
Që s'do të dashuroja kurrë.

Dhe sikur ti të mos ekzistoje,
Do të isha veç një pikë më tepër
Në këtë botë që vjen e shkon
Do të ndihesha i humbur,
Do të kisha nevojë për ty.

Dhe sikur ti të mos ekzistoje,
Thuamë si do të ekzistoja unë?
Mund të shtiresha si vetja
Por i vërtetë s'do të isha.

Dhe sikur ti të mos ekzistoje,
Besoj se do të kisha gjetur
Të fshehtën e jetës, pse-në,
Thjesht për të të krijuar
dhe për të të parë.

Joe DASSIN

23 janar 2009

Përsiatje mbi gijotinën

Pak kohë para luftës së 1914-s, një vrasës që kishte kryer një krim veçanërisht të neveritshëm (kishte masakruar një familje fermerësh dhe fëmijët e tyre) u dënua me vdekje në Algjeri. Bëhej fjalë për një bujk që kishte vrarë në një farë verbimi nga gjaku, por që e kishte përkeqësuar krimin duke vjedhur prej viktimave të tij. Çështja pati një jehonë të madhe. Në përgjithësi mendohej se prerja e kokës ishte një dënim tepër i butë për një monstër të tillë. Po i tillë, më kanë thënë, qe dhe mendimi i tim eti, të cilin e kishte acaruar vrasja e fëmijëve në veçanti. Një nga të rrallat gjëra që di mbi të është se, për herë të parë në jetën e tij, deshi të merrte pjesë në këtë ekzekutim. U ngrit me natë për të shkuar tek vendi i dënimit, në anën tjetër të qytetit, në mes të një turme të madhe njerëzish. Nuk i foli askujt për ato që pa atje atë mëngjes. Mamaja tregon vetëm se u kthye rrëmbyeshëm në shtëpi, me fytyrë të tronditur, nuk kthente fjalë, u shtri një çast në shtrat dhe papritur filloi të villte. Sapo kishte zbuluar të vërtetën që fshihej nën formulat që e maskonin. Në vend që të mendonte për fëmijët e masakruar, nuk mundi të mendonte për tjetër gjë veçse për atë trup gulçues që e hodhën mbi një dërrasë për t'i prerë kokën.

Albert CAMUS
Réflexions sur la guillotine

14 dhjetor 2008

«Të nisem...»

Të nisem. Zemra më gumëzhinte me bujari të theksuara. Të nisem... do të mbërrija i mbajtur dhe i ri në këtë vendin tim dhe do t'i thosha këtij vendi llumi i të cilit më hyn deri në përbërjen e mishit tim: «Shumë gjatë jam endur dhe rikthehem drejt shëmtirës së braktisur të plagëve të tua.»

Do të vija tek ky vendi im dhe do t'i thosha: «Më përqafoni pa frikë... Dhe në ditsha vetëm të flas, për ju do të flas.»

E mandej do t'i thosha:

«Goja ime do të bëhet goja e mjerimeve që s'kanë gojë; zëri im liria e atyre që batisen në qelinë e vetmisë së pashpresës.»

Dhe duke ardhur do t'i thosha vetes:

«E sidomos ju, trupi im, shpirti im, ruhuni të mos rrini duarkryq me sjelljen e shterpë të shikuesit, sepse jeta nuk është shfaqje, sepse një det me dhimbje nuk është paraskenë, sepse një njeri që bërtet nuk është një ari që kërcen...»

Aimé CÉSAIRE
Fletore e një rikthimi në vendlindje

22 tetor 2007

«When your sadness will be too much»

I won't be here, I'll have awayed apace,
Dissolved in the ground like many before,
And in my favourite coffeeplace,
Waiters will see me no more.

And on the streets where I have passed
My dry cough will not be heard;
Over my tomb with silence amassed
A monk-like cypress tree will loom absurd.

Sad you will be and that won't pass,
For in your room my life will not be felt;
And when the wind will blow against the glass
You slowly with the wind will melt.

But when your sadness will be too much
In the bookcase look for me,
For behind a word or letter or such,
There, in hiding I shall be.

You'll but have to move the book
And I will descend, come after you
And like a torrent feeds a brook
So, then, your laughter, like once, will run anew.

Dritëro AGOLLI

P.S.: One of my favourite poems, put in English verse by yours truly, with infinite apologies to the poet and Albanian readers who are familiar with and appreciate the original.

19 tetor 2007

«Tingëllima XVIII»

Të të përqas me një ditë në verë?
Ti je mot më i bukur e i dlirë:
Se gonxhet në maj i shkund ndonjë erë
Dhe verën koha shpejt e lë të lirë;
Me raste syri i qiellit nxeh shumë
Dhe shpesh çehren e florinjtë ia zbeh diç
Se çdo bukuri e rrëmben një lumë
Prej fatit a prej natyrës bëhet hiç.
Por verën ti do ta kesh përjetë pas
Dhe bukurinë tënde do ta shpëtosh;
As hija e vdekjes ty s'ka për t'u qas
Me dritë përjetësie do të rrosh.
Sa rron njeriu a sa shikon një sy
Aq rron ky varg të japë jetë për ty.

Uilljam SHEKSPIR

09 gusht 2007

«Tingëllima LXI»

Ti do që nuri yt hapur t'më mbajë
Të rëndat qepalla netëve plot mall?
Ti uron që vegimet t'm'i shpërndajë
Hija jote që dritn' e syve më tall?
Mos vallë shpirtin tënd dërgon prej teje,
Së largu t'u hyjë bëmave t'mia,
Q'orë kote, turp të nxjerrë prej meje,
Arsyen, thelbin ku lind xhelozia?
O, jo! Dashuria jote ka një fund:
Është e imja që më zgjon këtë rast;
Vetë e imja që prehjen time mund,
Për hirin tënd të bëjë rojë çdo çast.
Ty të ruaj ndërsa zgjohesh tjetërkund,
Larg prej meje, ku një tjetër të përkund.

Uilljam SHEKSPIR

SHËNIM: Për herë të parë bëra një përkthim poetik (jo fjalë-për-fjalë) dhe vendosa ta nis me tingëllimën time të parapëlqyer të Shekspirit. U mundova të ruaja formën e rimës dhe kuptimet e vargjeve të pacënuara.

[Origjinali:

Is it thy will thy image should keep open
My heavy eyelids to the weary night?
Dost thou desire my slumbers should be broken,
While shadows, like to thee, do mock my sight?
Is it thy spirit thou send'st from thee
So far from home, into my deeds to pry,
To find out shames and idle hours in me,
The scope and tenour of thy jealousy?
O, no! Thy love, though much, is not so great:
It is my love that keeps mine eye awake;
Mine own true love that doth my rest defeat,
To play the watchman ever for thy sake:
For thee watch I whilst thou dost wake elsewhere,
From me far off, with others all too near.

William SHAKESPEARE]

10 maj 2007

«Mos më lër»

Mos më lër
Duhet harruar
Gjithçka mund të harrohet
Nga ç'ka kaluar
Të harrojmë kohën
E keqkuptimeve
Dhe kohën e humbur
Duhet të dimë se si
Të harrojmë ato orë
Që me goditje 'pse'-je
Vrisnin ndonjëherë
Zemrën e lumturisë
Mos më lër

Mos më lër
Unë do të të dhuroj
Perla shiu
Të sjella nga vende
Ku shi nuk bie
Do të rrëmoj dheun
Deri pas vdekjes
Për të mbuluar trupin tënd
Me ar e me dritë
Do të ndërtoj një mbretëri
Ku dashuria do të jetë mbret
Ku dashuria do të jetë ligj
Ku ti do të jesh mbretëreshë
Mos më lër

Mos më lër
Për ty do të shpik
Fjalë të pakuptimta
Që ti do t'i kuptosh
Do të të flas
Për ata dashnorët
Që dy herë panë
Zemrat e tyre të përflaken
Do të të tregoj
Historinë e atij mbretit
Që vdiq ngaqë
S'mundi të të takonte
Mos më lër

Mos më lër
Shpesh kemi parë
Të shpërthejë zjarri
I një vullkani të lashtë
Që e dinim tepër plak
Duket se ka
Dhe toka të zhuritura
Që japin më shumë drithë
Sesa një prill i mbarë
Dhe kur mbrëmja bie
Edhe e kuqja dhe e zeza
Martohen bashkë
Që qielli të flakërojë
Mos më lër

Mos më lër
Më nuk do të qaj
Më nuk do të flas
Do të fshehem atje
Duke të parë
Tek kërcen e buzëqesh
Duke të dëgjuar
Tek këndon e qesh
Më lër të bëhem
Hija e hijes tënde
Hija e dorës tënde
Hija e qenit tënd
Mos më lër
Mos më lër
Mos më lër
Mos më lër

Zhak BREL

03 maj 2007

Përkthimi & unë

Pse përkthej?

Për ju. Për mua. Për ata që do të kenë aq kërshëri sa të zënë të lexojnë gjepurat që shkruaj e përkthej unë.

Kur përkthej?

Kur frymëzohem, qoftë nga rastësitë e ditës, qoftë nga ajo që lexoj. Kur në përkthimin e çastit për të kuptuar diçka kuptoj se mund ta bëj të tingëllojë bukur në shqip. Kur në lexim e sipër e ndiej nevojën për të shkruar në anë të faqes një fjalë a më shumë në shqip.

Po sot?

Sot s'përktheva asgjë, por dëshiroj të ndaj me ju disa poezi të njërit poetëve të mi të parapëlqyer francezë, Pol Elyar, të cilat i përktheva rreth një vit më parë.

»«

LAKURIQËSIA E SË VËRTETËS

«E di mirë.»

Dëshpërimi nuk ka flatra,
As dashuria,
Nuk kanë fytyrë,
Nuk flasin,
Unë nuk lëviz,
Nuk vështroj,
Nuk u flas
Por jam po aq i gjallë sa dashuria e dëshpërimi im.



X (nga Të drejtët e vegjël)

E panjohur, ajo ishte forma ime e parapëlqyer,
Ajo që më hiqte merakun e të qenit burrë,
Dhe e shoh dhe e humbas dhe vuaj
Dhimbjen, si pakëz diell në ujin e ftohtë.



XV (nga Së pari)

Ajo mbështetet mbi mua
Me zemër të paditur
Për të parë nëse e dua
Ajo ka besim, harron
Nën retë e qepallave të saj
Koka e saj përgjumet në duart e mia
Ku jemi
Së bashku të pandarë
Të gjallë të gjallë
I gjallë e gjallë
Dhe koka ime rrokulliset në ëndrrat e saj