Po shfaqen postimet me emërtimin letërsi. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin letërsi. Shfaq të gjitha postimet

02 shkurt 2011

«Madlena e vogël»

Shumë vite kishin kaluar nga koha kur, gjithçka që në Kombre nuk pat qenë teatri dhe drama e fjetjes sime nuk ekzistonin më për mua, kur, një ditë dimri, pasi hyra në shtëpi, ime më, me të parë që kisha ftohtë, ofroi të më jepte pak çaj, ndryshe nga ç'e kisha zakon. Në fillim s'pranova dhe më pas, nuk e di pse, ndërrova mendje. Ajo dërgoi dikë të më sillte një nga ato ëmbëlsirat e shkurtra dhe buçka që quhen Petites Madeleines, të cilat duken sikur janë formuar në valvën e valëzuar të një fistoni deti. Dhe, shpejt e shpejt, vetvetisht, i munduar nga dita e zymtë dhe pritja e një të nesërmeje të trishtë, çova drejt buzëve një lugë nga çaji ku kisha lënë të zbutej një copëz madlene. Por, pikërisht në çastin kur gllënjka e përzier me thërrime nga ëmbëlsira preku qiellzën time, fërgëllova, u vëmendësova pas asaj të jashtëzakonshmes që po ndodhte brenda meje. Një ëndje plot kënaqësi më kish pushtuar, tërhequr mënjanë, pa më të voglën dijeni për shkakun e saj. Po njëkohësisht m'i kishte bërë tallanditë e jetës të papërfillshme, rrënimet e saj të parrezikshme, shkurtësinë e saj vegimtare, në të njëjtën mënyrë si vepron dashuria, duke më mbushur me një thelb të çmuar. Ose, thënë më mirë, ky thelb nuk qe brenda meje, ai qeshë unë vetë. Nuk ndihesha më i pamjaftueshëm, i tepërt, i vdekshëm. Nga mund të më paskësh ardhur ky gëzim i fuqishëm? E ndieja që ai kish lidhje me shijen e çajit dhe të ëmbëlsirës, por që e tejkalonte pafundësisht, që s'duhej të qe i të njëjtit soj. Nga vinte? Ç'kuptim kishte? Ku ta kapje? Pi një gllënjkë tejtër dhe në të nuk gjej më shumë se tek e para, një e tretë më sjell edhe më pak se e dyta. Them se duhet ndalur; vetia e pijes duket se po bie. Duket qartë që e vërteta që kërkoj nuk është tek ajo, por tek unë. Ajo e zgjoi atje, por nuk e njeh dhe nuk mund të bëjë gjë tjetër veç të përsërisë pafundësisht, me fuqi gjithnjë e më të pakët, këtë dëshmi të cilës s'di t'i nxjerr kuptim dhe të cilën dua të paktën t'ia kërkoj sërish e ta rigjej pas pak të plotë, në dorën time, për një sqarim përfundimtar. E ul filxhanin dhe kthehem drejt mendjes sime. Asaj i takon të gjejë të vërtetën. Por si? Pasiguri e rëndë qenka sa herë që mendja ndihet e tejkaluar nga vetvetja; kur ajo, kërkuesja, është me gjithsej vetë vendi i errët ku duhet të kërkojë dhe ku gjithçka mbart nuk do t'i hyjë në punë. Të kërkojë? Jo vetëm kaq: të krijojë. Ajo është përballë diçkaje që ende nuk është vetë dhe që vetëm ajo do të mund të stisë, e më pas ta nxjerrë në dritë.
Dhe rinis të pyes veten se ç’mund të ketë qenë kjo gjendje e panjohur që nuk solli asnjë provë logjike, por dëshminë e lumturisë së saj, të vërtetësisë së saj përballë të cilës gjithë të tjerat zhduken. Dua të përpiqem ta bëj të rishfaqet. Ndjek hapat e mendjes prapa, drejt çastit kur piva lugën e parë të çajit. Gjej sërish të njëjtën gjendje, pa asnjë qartësi të re. I kërkoj mendjes dhe një përpjekje më shumë, të sjellë sërish ndjesinë që po arratiset. Dhe, që asgjë të mos ndërpresë vrullin me të cilin do të përçapet ta kapë sërish, largoj çdo pengesë, çdo mendim të huaj, i mbroj veshët dhe vëmendjen nga zhurmat e dhomës përbri. Por duke e ndier mendjen të më lodhet duke mos dalë kurrkund, e detyroj përkundrazi të merret me këtë shkëputje vëmendjeje që pak më parë s’ia lejova, të mendojë për diçka tjetër, të ripërtërihet para një tjetër përpjekjeje madhore. Pastaj për së dyti, boshatis gjithçka para saj, i vë përpara shijen ende të afërt të asaj gllënjkeje të parë dhe ndiej të fërgëllojë benda meje diçka që zhvendoset, që do të ngrihet, diçka si e shpërngulur nga një thellësi e madhe; nuk e di ç’është, por ajo ngjitet ngadalë; ndiej qëndresën dhe dëgjoj zhurmën e largësive të përshkuara.
Afërmendsh, ajo që regëtin kështu në thellësinë e vetes sime duhet të jetë pamja, kujtimi pamor, i cili, i lidhur pas kësaj shijeje, përçapet ta ndjekë deri tek unë. Por mendja përpiqet shumë larg, shumë turbullt; me zor zë të shquaj pasqyrimin e patrajtë ku përzihet vorbulla e pakapshme e ngjyrave të trazuara; por nuk mund t’ia dalloj formën, ta pyes, siç pyetet vetëm përkthyesi, të më përkthejë dëshminë e bashkëkohëses, e shoqes së saj të pandarë, të shijes, t’i kërkojë të më mësojë se për ç’rrethana të veçanta, për ç’epokë të së kaluarës bëhet fjalë.
Do të mbërrijë vallë deri në sipërfaqen e vetëdijes sime të kthjellët ky kujtim, ky çast i lashtë që tërheqja e një çasti të plotngjashëm erdhi nga kaq larg ta kërkojë, ta tronditë, ta ngrehë nga thellësia brenda meje? Nuk di. Tani nuk ndiej më asgjë, ai pushoi, ndoshta zbriti sërish; kush e di nëse do të ngrihet vallë ndonjëherë nga errësira e tij? Dhjetë herë më duhet të rinis, të zgjatem drejt tij. Dhe çdo herë paburrëria që na largon nga çdo detyrë e vështirë, nga çdo punë e rëndësishme, më këshilloi ta lija, të pija çajin tim duke menduar thjesht për mërzitë e mia të sotme, për ëndjet e mia të nesërme që mbeten të ripërtypen pa mundim.
Kur papritur m’u shfaq kujtimi. Kjo shije qenkësh shija e copëzës së madlenës që të dielave në mëngjes në Kombre (pasi atë ditë nuk dilja para orës së meshës), kur shkoja t’i thosha « mirëmëngjes » në dhomën e saj, më jepte të kafshoja ime emtë, Leoni, pasi e kish njomur në çajin ose blirin e saj. Vetë pamja e madlenës së vogël nuk më kujtoi asgjë para se ta shijoja; mbase ngaqë, duke i parë pa i ngrënë që prej asaj kohe nëpër banakët e ëmbëltoreve, pamja e tyre qe larguar nga ditët në Kombre për t’u lidhur me të tjera më të vonshme; apo ndoshta sepse prej këtyre kujtimeve të braktisura për kaq gjatë jashtë kujtesës nuk mbetej më asgjë, gjithçka qe shpërbërë; trajtat – përfshi këtu dhe atë të guackës së ëmbëlsirës, kaq të majmë dhe epshore, nën palat e saj të rrepta dhe fanatike – qenë shfuqizuar, ose, në përgjumjen e tyre, kishin humbur fuqinë e shtrirjes që do t’u kish lejuar të bashkoheshin me vetëdijen. Por, kur nga një e shkuar e lashtë nuk mbetet asgjë pas vdejes së qenieve, pas shkatërrimit të sendeve, mbeten të vetme, më të brishta por më gjallërore, më të palëndëta, më këmbëngulëse, më besnike, për shumë më gjatë, era dhe shija, si shpirtra për t’i kujtuar njëra-tjetrës, për të pritur, për të shpresuar që në rrënojat e gjithçkaje tjetër, me piklat e tyre thuajse të paprekshme, të prurin të papërkulur ndërtesën e pamatë të kujtesës.
Dhe porsa e njoha sërish shijen e kafshatës së madlenës së njomur në çaj bliri që më jepte ime emtë (megjithëse ende nuk e dija dhe duhet të zbuloja shumë më vonë përse ky kujtim më lumturonte aq shumë), menjëherë m’u shfaq shtëpia e vjetër ngjyrë gri buzë rrugës, brenda së cilës ndodhej dhoma e saj, që iu bashkangjit si dekor teatri shtëpizës në anën e saj të prapme me pamje nga kopshti, e cila qe ndërtuar për prindërit e mi (ai cep i cunguar të cilin deri atëherë e pata ëndërruar të vetëm); dhe tok me shtëpinë qyteti, nga mëngjesi deri në mbrëmje e në çdo vakt, sheshi ku më dërgonin para drekës, rrugët ku shkoja shitoreve, udhët që merrnim kur koha ishte e bukur. Dhe, si tek ajo loja me të cilën japonezët zbaviten duke lagur në tasë porcelani të mbushur me ujë copëza letre fillimisht të patrajta por që, me t’u zhytur shtriqen, përdridhen, ngjyrosen, shquhen, bëhen lule, shtëpi, personazhe të prekshme dhe të njohshme, po ashtu gjithë lulet e kopshtit tonë dhe ato të parkut të Z. Suan, dhe zambakët e ujit të Vivonës, dhe njerëzit e mirë të fshatit dhe banesat e tyre të vogla dhe kisha dhe Kombreja dhe gjithë rrethinat e saj, gjithçka që merr formë dhe ngurtësohet, doli, me qytet e kopshte, nga filxhani im i çajit.

»«

Shkëputur nga pjesa Kombre (Combray) e serisë Në kërkim të kohës së humbur (À la recherche du temps perdu) nga Marcel PROUST.

(Në përkthim jam munduar të ruaj pikësimin dhe sintaksën e autorit, duke u munduar, njëkohësisht, të mos rrezikoj shumë kuptueshmërinë e fjalive. Besoj se sintaksa është pjesë e krijimtarisë së Prustit, ashtu si rileximi i fjalive për t'i kuptuar mirë është detyrë që duhet t'i vihet çdo lexuesi të veprës së tij.)

19 tetor 2009

«Monument i bardhë i dashurisë»

— Unë, edhe sot e kësaj dite, nuk e besoj atë që më ndodhi në dimrin e idhët të atij viti.
— E ke histori të dëgjuar apo të ka ngjarë ty? - e ndërpreva rrëfyesin.
— Më ka ndodhur, - tha Toma dhe zgjati para nesh duart e tij si putra ariu, - ja, me këto duar gjysëm të ngrira, unë e Zefi i zbuluam nga dëbora.
Duart e Tomës u drodhën dhe ai, për të mos humbur burrërinë, i fshehu poshtë tryezës. Duart i fshehu, por prej syve s’qe i zoti t’i shmangte lotët. Dhe ashtu, i tronditur nga ç’i shikoni sytë e mendjes, nisi të flasë si i përhumbur.
— Unë e Zefi u nisëm pas gjurmëve të lëna mbi dëborë. Gjurmët na humbën në hyrje të fshatit, tek ura e madhe ku bëjmë sot gërmime arkeologjike. Që këtej me telegraf çuam haber se ata, burrë e grua, s’kishin mbërritur. Edhe ata andej kishin dalë edhe ne këtej. Mjafton t’i gjenim gjallë. Nusja, Havaja, ishte nga fshati ynë, e bija e Remzi Zakës, dhëndrri, Alikoja qe nga fshati tjetër.

Njiheshim, se të dy fshatrat tona ishin si dy lagje. Ne kishim nxjerrë tre barinjtë e stanit dhe te gjithë ishim e mendje të ngritur e me frikë. Të gërmosh nën dëborë nuk është siç gërmojmë në ekspeditë, kur na bërtet zotrote. Me kujdes çuna! Dëbora është e frikshme, të ngjeth mishtë kur e di që nën të flenë të vdekur njerëzit e tu. Një minutë vonesë e të duket se i ke vrarë ti, me dorën tënde. Bëhesh fajtor për hiçgjë e të rëndon në shpirt tërë jetën. Nejse, shyqyr që njeriu është i fortë dhe i çuditshëm, se, për besë, kjo që po rrëfej unë tashti, s’është histori për t’u rrëfyer e për të kaluar kohën, - tha Toma dhe heshti.

Ishim bërë kureshtarë, por ama, as nuk mund ta nxitnim Tomën të fliste. Tomën e kishim punëtor të specializuar mirë për gërmimet arkeologjike dhe ia njihja mirë dorën e papërtuar e të kujdesshme, kur binte me reliket, ia njihja dhe shpirtin e tij të çuditshëm, aty të qetë, aty të trazuar, aty gur apo mermer, aty shtuf, që të shkërmoqet në dorë, aty të ndjeshëm e të prekshëm me një sedër gati fëminore.

Heshtja jonë, ose më mirë të themi, pritja jonë e gjatë, sikur ia përkëdheli sedrën dhe ai vazhdoi si me përtesë.

— Zefi tha të ktheheshim kur mbërritëm tek arat, që atë vit qenë mbjellë me grurë. Arat ishin të fshatit matanë, pra, ne si të huaj, kishim dalë tej zonës sonë. Po të ktheheshim, s’do më thoshte gjë kush, po s’di pse nuk e dëgjova Zefin i cili me siguri do të qe trembur për vete dhe për mua. Se për t’u trembur qenë ato ditë. Syri s’të shihte as tokë, as gur, as qiell. Le yje e hënë ose diell. Jo, jo! Gjithçka e bardhë si të ishte mbledhur bota me qefin. Era e rrëmbente borën e butë dhe ia përplaste në pemë, kallkan e bënte. Pështyma binte përdhe si saçmë. Ç’të them unë i ziu se ç’dimër qe. Pleqtë nuk e mbanin mend, as me të dëgjuar, një dimër të tillë. Jo vetëm në udhë, por në përgjithësi e mira është që në ditë të tilla të mos kesh shok si Zefin. Jo se është i lig, po s’ka shumë besim dhe sikur i trembet këmba kur nuk e di se ku e vë. Zefi më shumë do veten, pastaj të tjerët. Tashti, edhe unë nuk jam kush e di çfarë.

As trim, as frikacak, por të them të drejtën, s’ma donte zemra të ktheheshim te Zefi. Do të vinte behari, do të zbuloheshin ata nga bora e shkrirë e trupi do të më mbetej mua, Zefit dhe fshatit tonë. S’do të kishim më sy e faqe; fjala vjen, edhe juve do t’ju vinte zor të më merrnit në punë kur të fillonte ekspedita, ë? Nuk do të më shikonit si vrasës? Le që as unë s’do të kisha sy e faqe të vija te ju, të nisja nga gërmimet e të nxirrja statujat. Ndërgjegjia qenka punë e ngatërruar. Vetëm kur shtrihesh në shtrat, kur e vë kokën në jastëk, njeriu bëhet gjykatës i vetes. Ndërgjegjia më vret edhe për Zefin dhe s’bëj mirë që e shaj. Njeriun duhet ta gjykosh edhe nga rrethanat. Nejse se u zgjata ca. Vazhduam të ecnim. Unë para e Zefi pas, i gatshëm që të kthehej se, si të thuash ecnim nëpër errësirën e bardhë, për të gjetur një burrë e një grua, por ama ecnim edhe drejt vdekjes sonë.

Dhe njeriu, sado i fortë që të jetë, me vdekjen e ka zor të matet. Vdekja ngaherë është tinzare, sidomos vdekja e dëborës, që të mbyll sytë, të jep gjumë, të ndjell, të josh, të palos. Kishim filluar të ecnim afër njëri-tjetrit. Frikën që shikoja te Zefi fillova të ndjeja dhe unë. Sytë na qenë skuqur nga suferina, nga era me borë. Vetullat na qenë trashur e na ishin bërë si mustaqe të ngrira. Avulli që na dilte nga goja, aty për aty kthehej në flokë bore e na ngjishej në fytyrë e mezi e hiqnim me dorën e futur në dorashka. Çdo gjë ishte e kallkanosur, gjithë rrobat e trupit dukeshin sikur ishin endur, prerë e qepur me fije akulli. Zefi u pengua e ra në një pirg bore mes arës së mbjellë me grurë, që s’di si na doli përpara. Zgjata duart, mezi e ngrita Zefin dhe shtanga. Nën dëborën që kishte hapur Zefi kur qe rrëzuar, sytë më panë një këmbë të ngrirë kallkan.

Në fillim u hutova e thashë mos qe këmba e Zefit, mos qe një ëndërr gjumi e borës, por jo, Zefi i kishte të dyja këmbët.
U afrohemi dhe vumë re se ishte tamam një këmbë, veçse lakuriq, si ajo e statujave. U ula në gjunj dhe nisa të zbuloja më tej këmbën. Duart nisën të më dridheshin e në çdo lëvizje zbulonim atë që zor do të ma besoni. Po të mos ishte Zefi, unë do të kisha luajtur nga mendtë. Zefi e mblodhi i pari veten dhe u ul pranë meje e filloi të hiqte borë me të dyja duart. Meqë ishim dy vetë, sikur morëm zemër nga njëri tjetri. Syve s’doja t’u besoja, por duarve s’kisha se si të mos u zija besë. Ato zbuluan dy trupa krejt të zhveshur, si të ishin dy trupa të mermertë, po me ngjyrë të errët, mavi.

Të dy ishin kruspullosur me njëri tjetrin, sikur donin të mbronin njëri tjetrin nga të ftohtët ose nga ndonjë rrezik i pashpjegueshëm. Mezi e mbajta veten kur ua hoqa borën nga fytyra. Ishin Alikoja dhe Havaja, e bija e Remzi Zekës. Trupat e tyre ishin të plotë, nuk u mungonte asgjë veçse ishin të ngrirë kallkan, të dy të vdekur dhe të dy lakuriq. Unë pashë Zefin, Zefi më pa mua. Dhe mes nesh, aty ku ishin ngrirë burrë e grua, ngriu dhe vështrimi ynë. S’na bënin duart t’i çlironim nga ai pushtim. Le që ishte e pamundur të lëvizte dorën e njërit ose të tjetrit. S’ka skulptor që t’i bëjë ato dy statuja me atë përqafim ose shtëngim aq të veçantë, sikur donin që ndërmjet tyre të krijonin një fole të ngrohtë ose të mbronin nga acari dy zemrat e tyre që të mos ngrinin. Po pse ishin zhveshur? Kush mund t’i zhvishte ata të dy mes asaj bardhësie të pashkelur nga asnjë gjurmë? Zefi rënkoi. Atëherë unë e mblodha veten, por u tremba. U tremba ngaqë kishim një copë herë që rrinim të shtangur, pa lëvizur para atij monumenti të bardhë të dashurisë së pashpjegueshme, të asaj çudie që po më shikonin sytë.

— O Zef, ç’është kjo kështu, o Zef? - i fola dhe do të çlirohesha nga shtangia vetëm po të dëgjoja zërin e Zefit. Po ai s’lëvizte as qepallat. Në vend të tyre Zefi kishte dy saçme të akullta.
Zgjata duart dhe shkunda Zefin, e përmenda dhe i fola prapë:
— Zef, ti kap Havanë, unë Alikon dhe t’i ndajmë. Mbase i çojmë deri në fshat.
Zefi u bind. Bëmë çmos t’i ndanim, por qe e pamundur. Ata ishin ngurtësuar.
— Ja ku qenkan rrobat, - thirri Zefi. Ai kish parë midis trupave të ngrirë e pa jetë pirgun e rrobave të tyre të mbledhura si lëmsh midis gjokseve të tyre.
Mezi e nxorëm atë lëmsh rrobash. Këmisha e bardhë e Havasë, këmisha e trupit të saj ishin ngrirë dhe mezi zbuluam këmishën e dytë të Alikos, e nën të, një nga një hiqnim me zor rrobat e tjera të ngrira, derisa ramë në shtresën e tretë, të katërt, tek trikot, te bluzat, ku të ftohtët, akulli, s’kish mundur të hynte dot.

Ato i shpështollëm shpejt e shpejt e mes tyre, mbuluar me pelena, gjetëm një lëmsh të dytë me rroba që ruanin ende ngrohtësi. I hapëm dhe ato dhe ç’të shihnim? Fëmija i tyre flinte i qetë. Lëkura e tij, buzët e tij ishin të qeta, si sy fëmije që fle në gji të nënës. E mblodha me të shpejtë. Zefi më bëri shenjë të zbërtheja gunën.
— Të gjitha zbërtheji! - thirri Zefi.
Dhe unë i hapa të gjitha rrobat e trupit. Zefi ngjeshi në trupin tim fëmijën dhe m’i mbërtheu rrobat e gunën.
— Eshtë i gjallë, është i gjallë, shpejt të kthehemi! - tha Zefi e u nis nëpër shtegun që kishim lënë në të ardhur. Unë ktheva kokën dhe pashë se si bora kishte zbardhur sërish dy trupat, të të atit dhe nënës, ashtu të përqafuar, siç i kishim zbuluar më parë.

Dhimitër XHUVANI, R.I.P.

13 tetor 2009

«Disidenca» e Kadaresë

Një artikull i nxjerrë nga arkivat e viteve '70 tregon se sa «disident» ka qenë Kadareja, i cili jo vetëm shkrimtarë të tjerë të kohës në Shqipëri, por edhe veten e cilëson si shkrimtar të realizmit socialist.

Ai dënon «dekadencën» dhe «antiheronjtë» e Kamysë dhe Beketit, mes të tjerëve, duke i cilësuar këta të fundit si «borgjezë» dhe antiheronjtë e tyre si trashëgimtarë të heronjve «mjekërgjatë» të ngjizur dhe përdorur nga feja gjatë shekujve.

10 tetor 2009

«Nëno-bir»

— Nëno!...
— Bir!
— Dua bukë!
Mëma hesht.
— Nëno!
— Bir!
— Ngriva!
Mëma psherëtin.
— Nëno!
— Bir!
— Më dhemb koka!
Mëma s’pëgjigjet.
S’ka bukë, s’ka zjarr, s’ka të holla për doktor. Dhe djali psherëtin. Mëma s’përgjigjet. Psherëtin edhe ajo ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës. Mëma dëgjon tiktaket e zemrës së të birit. Një grua plakë e rreckosur, me fytyrën rrudha-rrudha, rri mbi kokën e një djali dhe vështron me sy të zgurdulluar. Dy lot helmi shkasin prej syve të neveritur. Ngadalë, pa zhurmë, mbështet dorën e vet mbi ballin e djalit dhe djali zgjohet përsëri.
— Nëno!
— Biri i nënos.
— Dua bukë!
Nëna hesht.
— Nëno!
— Xhani i nënos!
— Më ngrinë këmbët!
Nëna psherëtin.
Dhe djali fle përsëri; dhe nëna rri dhe e vështron, dhe ngadalë qan e psherëtin. Në heshtjen tragjike të një nate dimri, në odën pa dritë luhet një nga mijëra tragjeditë e jetës njerëzore. Dhe çdo tragjedi është një poemë e gjallë! Poema e shekullit njëzet!
Një mëmë; pranë saj një dhogë, kora e Shën Mërisë. Mëma e vështron korën e shenjtë, i afrohet, e puth dhe kthehet pranë djalit. Një shkëndijë shprese shkëlqen në sytë e saj.
Shën Mëria hesht!

Që nga larg, zhurma e muzikës së radios tingëllon në veshët e mëmës. Dhe djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë.
— Nëno!
— Bir!
— S’jam mirë!
— T’u bëftë nëna, fli!
Dhe djali fle përsëri. Dhe mëma qëndron si shtatore! Hedh sytë tej e përtej, vështron korën, vështron djalin dhe psherëtin thellë. Dhe djali fle! Mëma i vë dorën në ballë! Balli është i ftohtë! Mëma i trazon dorën. Dora ka ngrirë. Mëma e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjetë. Mëma qan me zë, por djali nuk zgjohet. Dhe zërit të mëmës i përgjigjet heshtja e natës. Kora përkarshi vështron dhe hesht. Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje. S’u prish bota, as fukarallëku s’mori fund.

Nonda BULKA