Po shfaqen postimet me emërtimin lasgush poradeci. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin lasgush poradeci. Shfaq të gjitha postimet

26 mars 2011

«Ku shtrohet vala...»

(Romancë)

Ku shtrohet vala përmbi zall
E fryn një këng' e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.

Q'ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë...
Dh'i shtinja sytë gjith përdhe—
Gjithë përdhe m'i shtinje sytë...

Po me t'u ndarë vet e vet,
Më s'kishim turp që s'kishte fjalë...
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith' përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.

. . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . .

Q'ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këngë e pakuptuar.

Se kish kuptim, që s'kish kuptim,
Kuptim' i fellë-i mallit tonë;
Se malli jon' ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s'dashuronja-as un' as ti,
Po dashuronte dashuria:
Një dashuri — një fshehtësi
M'e fshehur sesa fshehtësia.

Lasgush PORADECI

10 tetor 2010

«Vallja e luleve»

Vijnë vashat valle-valle
Gushë-e-gji-stolisura
Një pëllumb, një sysorkadhe
Seç vjen m'e mbollisura.

Ç'm'i ka hije shtat' i hedhur,
Hije kraharuari,
Pa fillon me të dredhur
Motra së kënduari:

Ju që niseni për lule,
Shoqe, moj, të mijëza,
Merr-më-ni as edhe mua
Nër pyje-e korijeza;

Pritni, moj të vi dhe unë
Maleve, lëndinave,
Ndaj shkëlqen pa të përdhunë
Filli-i trëndelinave;

Në mos diça të bëj tufë,
Shoqe, ju dëgjo-më-ni:
Bëni, moj, një tog me lule
Dhe nër to mbulo-më-ni;

Në ju pyeçin për mua:
Ç'u bë flokbanusheja?
Thoni, se më një përrua
E zu gjarpërusheja:

Thoni, se ndaj një burimi
Me-të patë fluturën:
Thoni, seç e zuri trimi
Atë bel-këputurën.

Lasgush PORADECI

21 prill 2010

«Trashëgimi»

Ju më lini të flas unë.
T'ju them fjalë vjershërije,
Në bunacë e në furtunë
Të këndoj siç më ka hije.

Hija ime nuk di dhunë.
Di veç frymëzim lirie,
Dhe di punë, punë, punë,
Mund pa fund për art magjie.

Që të them nga ç'pata shkruar
Me kuvënd të përvëluar:
Ja! një këngë mjeshtërie,
Ja! një iskër bukurie.

Dhe ta shoh të pasqyruar
Vetëveten fije-fije,
fije-fije poezie,
Që mban erë Shqipërie.

Lasgush PORADECI

09 prill 2010

«Dora jote ledhatare»

Dora jote ledhatarja, ësht' e zbehtë si qiri.
Dora jote ledhatarja lëshon dritën e dëborës.
Kur t'a ndjeu magjinë-e pastër që të shtrydheshe prej dorës,
Shpirti im i frymêzuar rëgëtiu në llaftari.

Se me lëndë magjistare u pat bëre tul' i saj;
Tul' i saj u pat gatuar me vaj ere-e brumë dylli;
I dha hëna pak të ndezur, pluhur t'artë-i fali ylli,
E kështu m'u duk hirplotë - haj! o dor'e vashës, haj!

Në vështrim të dorës s'ate ç'pat, o! balli që m'u vdar?
Ç'pat qepall' e përlotur q'i ra pika tatëpjetë?—
Dor' e bryllt' e vashës s'ime, dor' e paqme, dor' e zbetë
Vetëtiu me prush magjije e më bëri mendimtar.

Dora jote që më dhimset, dora jote që më çik;
Dora jote që më shtrihet sipër tëmblave gjumashe;
Dora jote; zemra jote që t'u nda me pesë fashe...
Dh'u bë dorë të më ndali ndaj dyshoj se mos i ik...

Lasgush PORADECI

16 maj 2009

«Pamja»

Sot u pamë-e sot u ndamë
Dhe nuk thamë njëzë fjalë;
Kur u ndamë vamë-e qamë,
Qamë shpejt ca lot me valë.

Edhe shpejt kur me të dalë,
Vamë-u pamë-e shumë thamë,
Thamë fjalë, fjalë, fjalë,
Pastaj kurrë më s’u ndamë.

Nuk u ndamë-e vetë thamë:
Ç’këto fjalë? Ç’këto lotë?
Ç’ky vajtim q’u vramë-e ramë
Shkrumb e pluhur nënë botë?

Ah kur ramë, kur u dhembmë,
Ndritej dhembja dritë-e artë…
Kur u dhembmë, kur u shembmë,
Shkrepej yll në qjell të lartë…

Yll e dritë bukurija,
Qjell i lartë perëndija,
Ç’vjen e shkon e vjen si hija,
Plas e s’plas kjo dashurija.

Lasgush PORADECI

«E mora shoqezën përkrah»

E mora shoqezën përkrah,
E matmë rrugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka.

Pa zu dita perëndoj,
Pa zu nata na mbuloj,
Pa zura shoqen ta pushtoj.

Përse buçet, liqer i qet!
Liqer, ti ç'thua ndaj buçet!
Ç'far' pe, liqer, mi zall të shkretë?

E çasin kur e sjell nër mend,
Kur sjell nër mend, ah! atë vend,
As rroj as vdes, po jam pa mend.

Lasgush PORADECI

03 shkurt 2008

«Ku shtrohet vala» [shkëputje]

Se s'dashuronja-as un' as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri - një fshehtësi
M'e fshehur sesa fshehtësija.

[For I was not in love, nor were you;
Love itself was in love:
A love - a secret
More hidden than secrecy.]

Lasgush PORADECI

28 tetor 2007

«Ti po vjen që prej së largu»

Ti po vjen që prej së largu magjiplote-e dal-nga-dal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mi lëndina.
Nënë thembërzat e tua përgëzohet trëndelina,
Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t'u fal.

E si shkon me hap të matur më pushton një dhemshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës sate,
T'i pushtoj i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkelë këmba jote.
Të të shtroj nga dhembja ime një çudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhembj' e dëshirim.

Të ma shkelësh hije-letë! të ma shkelësh mes-për-mes!
Të të shoh si më lëkundesh me sy fjetur e fatuar,
Brenda lotëve të mia të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht, e le të vdes.

Lasgush PORADECI

07 shtator 2007

«Gremina»

Ti sot as qesh, as qan,
Rri larg, e qetë,
Në shpirtin tënd ti mban
Një faj përjetë.

Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.

U ngrove ashtu sa mund,
As shumë, as pakë,
S'të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë.

Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarresh un' i ziu
Mi buzë varri!

E nuk më dhemb aspak
Një vdekj' e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;

Ndaj hoqa rëndë ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu,
Për dashurinë!

Për dashurinë, o Zot!
Që shemb një burrë,
Që s'e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;

Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplote
Me dritën drejtpërdrejt
Nga drita jote!

Që qesh e qan e zjen,
E s'gjen të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s'vdes përjetë.

Lasgush PORADECI

18 dhjetor 2006

«Kur në flakë»

Kur në flakë të qiririt zë mendonem net-për-net
Dh'e ndjej shpirtin e kulluar nëpër dritën që më tret
Prej skëterrës së pa matë më del bot' e ëndërruar,
Vetëm ti, o im-e dashur net-për-net më rri larguar.

Po çdo ëndërr që më shfaqet prej skëterrës së pafund,
Çdo mendim i llaftaruar që më dhemb e më përtund,
Duke rënë prej së lartash posi pikë zemërate
T'i përshkohet për-së-felli bukuris' së qenies sate.

T'i përshkohet mes-për-mesi dlirësis' së shpirtit tënd,
Ta merr pamjen e fytyrës, bëhet shkronjëz e kuvënd.
Ai del prej shkretëtire mënt' e mi të m'i stolisë
E ka tingull llaftarie, ka verbimin e magjisë,
Ndrin i kthiellt e i pastër si pasqyrëz' e një kroj
Pa nër të fytyrën tënde ta vështroj... nuk ta vështroj...

O! fytyr' e vjershëruar që më mbush me dëshirime!
Q'i fal gaz përjetësie dashuris' së zemrës sime!
Që më bën kur mënt' e mia rëgëtijnë varg e varg
Të të ndjej aq fare pranë, të më jesh aq shumë larg.

Lasgush PORADECI