Po shfaqen postimet me emërtimin shqipëria. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin shqipëria. Shfaq të gjitha postimet

07 prill 2011

Albanian Socialist Realism ca. 1975

«Jam nga gjithë Shqipëria»

Kush më pyet mua: «nga je o vajzë?»
unë të përgjigjem shpejt, jo nuk di.
Vlora qyteti ku unë kam lindur,
por në Elbasan jam rrit.

Klasën e parë në Fier fillova,
klasën e tretë në Laç e mbarova.
Pastaj kalova në Dejë e në Fierzë;
bijë e kantiereve!

Ju mund të thoni: «e, përse vallë
si zogj shtegëtarë kudo neve shkojmë?»
Se montator e kam unë babanë,
me të kam shkuar shpesh në çdo anë.

Ku s'kemi shkelur, ku s'kemi shkuar,
ne montatorët kantier-kantier?
Me vitet tona shpejt i lartojmë
veprat e reja nëpër atdhe.

»«

Kush më pyet mua: «nga je o vajzë?»
Unë të përgjigjem shpejt, jo nuk di.
Ku s'kemi shkuar, ku s'kemi shkelur,
Nga Jugu në Veri.

Gjithmonë kështu unë dua të mbetem:
midis punëtorëve dua të jem.
Mos ju çudisin fjalët e mia:
Jam unë nga gjithë Shqipëria!


[autori i panjohur, ka gjasa Avni MULA;
këndon Liljana KONDAKÇI;
shkëputur nga filmi Udhëtim në pranverë;
Kinostudioja «Shqipëria e Re», 1975]


09 shkurt 2011

L'intellectuel engagé

Si hulumtues i dukurisë së intelektualit të angazhuar (ose intelektualit publik), më bëhet zemra mal dhe ripërtëritem në punën time kur dëgjoj njerëz të ngritur, që kanë dhënë provë për diturinë e tyre dhe që gëzojnë respekt mes popullit, të flasin haptazi dhe pa drojë për çështje të lëmit politik, etik, shoqëror, qytetar, etj..

Rexhep Qosja vazhdon të më bindë dhe të më tregojë se respekti që kam për të shkon, çdo herë që e dëgjoj, më thellë se nga ç'e kam menduar më parë....

03 shkurt 2011

Mendimi dhe veprimi

Dy autorë të njohur shqiptarë nxorën dje dhe sot mendimet dhe përsiatjet e tyre mbi gjendjen në Shqipëri. Më vjen keq të them se vetëm një syresh ka folur burrërisht dhe me gjuhën që duhet: Elvira Dones. Ismail Kadareja, nga ana tjetër nuk di ta ndajë krijimtarinë dhe analizën letrare nga analiza dhe mendimi shoqëror-politik. Ndoshta do të qe më e saktë të thuhej se nuk do, jo nuk di.

«Vjen gjithmonë një ditë kur duhet zgjedhur midis të menduarit dhe të vepruarit. Kësaj i thonë të bëhesh njeri» - ka thënë një njeri i ndritur i letrave franceze.* Mes njerëzve të letrave shqiptare këto dy ditë vetëm një e ka bërë këtë kapërcim nga mendimi në veprim: Donesi.

Ndërsa Kadareja zbraz në letër diturinë e tij të gjerë dhe të shumanshme, duke folur (shkruar) gjatë pa thënë shumë (se mos largqoftë tund flamurin nga era që s'fryn nesër), Donesi angazhohet siç i ka hije një intelektuali dhe u vihet përkrah kolegëve të saj gazetarë; i del në mbrojtje profesionit jetik dhe të brishtë të gazetarit që sot kërcënohet nga hajdutë e kriminelë të cilëve u dridhen leqet e gjunjve, por nuk pranojnë të zbutin fjalorin dhe dorën, e jo më pak të gjunjëzohen nën peshën e fajeve të tyre për t'i kërkuar ndjesë popullit që vuan pasojat.

Shqipërisë i duhen intelektualë të mirëfilltë e të respektuar që dinë ta kthejnë fjalën në vepër dhe me të të demaskojnë shëmtirat e hipokrizitë e fajtorëve, duke hedhur njëkohësisht dritë, arsye, mendim dhe kthjelltësi në çdo hap të sotëm dhe të ardhshëm të popullit dhe shtetit shqiptar.

* «Il vient toujours un temps où il faut choisir entre la contemplation et l'action. Cela s'appelle devenir un homme». - A. CAMUS

28 nëntor 2010

«Për mëmëdhenë»



Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra, se s'ka me prit.
Të vdesim sot me besa-besë
pranë flamurit të kuq q'u ngrit.

Pranë flamurit, pranë flamurit,
me shpatë zhveshur shqipëtarisht,
Për dhen' e babës edhe të burrit
kemi me vdekur sot burrërisht.

E Drini plak me oshëtima
mbi Shqipërinë valët po dredh;
Tosk' edhe Gegë, si vetëtima
armikut bini se dita erdhi.

Ejani burra malit përpjetë
duke u betuar vdekj' a liri.
Se s'ka m'e ëmbël në këtë jetë,
kur vdes shqiptari për Shqipëri!

Mihal GRAMENO

14 nëntor 2010

«Vallja shqiptare»

Tri herë opinga rrahu dheun
sikur kërkoi lejë prej tij;
pastaj shamia palët ndehu
me qetësi dhe madhështi.

Kështu mes qiellit dhe tokës
vallja u lind, vallja u shpall;
këmba sinjale i çon tokës
dhe dora qiellit i jep lajm.

Dhe vallja rrokulliset tutje
mbi kohëra hedhur si hobe;
prilli përsipër i hedh lule,
dhjetori borën shkund atje.

Valle shqiptare, shenja në erë
ylbere tirqesh tej-e-tëhu;
kush ju kërceu ju njëherë
dhe këmbët rob s'i mbenë tek ju?

Kush ra midis vorbullës suaj
dhe s'u përzhit dhe s'u përflak,
ju bubullima me opinga
që nëpër shekuj brodhët varg?

Ismail KADARE

15 shtator 2010

Meritat kujt i ka merituar

Para disa javësh revista amerikane Newsweek botoi një renditje shtetesh të përpiluar nga ajo vetë. Shqipëria u rendit e 57-a midis shteteve në përgjithësi, por mori vend të parë në një renditje më vete, atë të shteteve me të ardhura të pakta. Kriteret e mara parasysh, përveç madhësisë së shteteve dhe të ardhurave, qenë arsimi, shëndeti, niveli i jetesës, gjallëria ekonomike, dhe klima politike.

Lajmi i «çmimit të parë» pushtoi rrjetin shqiptar dhe çdokush u krekos e krenua për përmendjen me emër të Shqipërisë në këtë renditje, e sidomos nga një revistë e respektuar dhe e njohur siç është Newsweek. Gëzimi është i drejtë, por i drejtë duhet të jetë dhe një rishtjellim i faktorëve që na e bënë të mundur atë «çmim». Gjella me kripë dhe kripa me karar....

Duhet vënë në dukje se «mesataren» e Shqipërisë e ulën njëkohësisht klima politike (për të cilën u përftua nota 58.67) dhe gjallëria ekonomike (për të cilën u përftua nota 34.09) dhe, nga ana tjetër, e ngritën arsimi dhe shëndeti me notat 81.02 dhe 71.02, përkatësisht. (Shiko figurën më poshtë.)


Gjithsesi, me sa pashë unë, nuk u duk askush në internet që të lavdëronte ato institucione që bënë të mundur kriteret që na falën «mesataren» tonë të lartë.

Duam apo s'duam, na pëlqen apo s'na pëlqen, duhet njohur këtu merita që i takon regjimit para vitit 1991 në Shqipëri për arritjet e bëra në të dy fushat ku vendi ynë «shkëlqen».

Ja se ç'tha vetë revista për Shqipërinë:

Shqipëria shfaqet rrallë në titujt e parë dhe duket një model i pazakontë për vende të tjera, por, në të vërtetë, kjo demokraci e re i tejkalon gjithë vendet e tjera me të ardhura të pakta. Midis kombeve në kategorinë e vet, ajo merr vazhdimisht renditjen e parë në arsim, shëndet dhe nivelin e jetesës. Pothuajse 99 përqind e shqiptarëve dinë shkrim e lexim. Edhe pse është një nga shtetet më të varfra në Evropë, burrat shqiptarë mund të parashikojnë të jetojnë mesatarisht deri në 78 vjeç, ndërsa gratë deri në 81 vjeç—statistikë kjo mjaft e mirë kur marrim parasysh se një qytetar i Gjermanisë së pasur jeton mesatarisht deri në 79 vjeç.
(përkthimi im)

Kam disa ditë që po kërkoj të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 1989—regjistrimi i fundit para eksodit që plakosi Shqipërinë—dhe nuk po i gjej kurrkund, madje as tek faqja e Institutit të Statistikave. Megjithatë mbaj mend se deri në vitin 1989 popullsia e Shqipërisë u trefishua nga periudha e para-luftës. Për më tepër, prania e shërbimeve shëndetësore dhe e arsimit të përgjithshëm u shtri në të gjithë vendin, që nga kryeqyteti e deri në fshatrat më malore të veriut të Shqipërisë. Masat e marra nga regjimi i asaj kohe synonin të shtonin popullsinë tonë dhe ta rrisnin atë të shëndoshë dhe, duke mbajtur parasysh pikëmbërritjen e tyre, ata ndihmuan në mirëqenien e popullit edhe pas rënies së regjimit të tyre. Për këtë duhen përgëzuar sepse ia arritën qëllimit dhe çuan mjekë dhe dituri aty ku asnjëra s'kishte shkelur më parë.

Ndonëse ky shkrim mund të duket si fletë lavdërimi për një diktaturë të së shkuarës, nuk e synoj si të tillë. E pranoj se ajo ishte bardhë-e-zi si shumë regjime të tjera dhe, sot për sot po e lavdëroj, por nesër ka gjasa ta shaj. Synoj më tepër të vë në dukje mungesën e nismës dhe vullnetit për të ndërtuar sot mbi atë që ngritën prindërit dhe gjyshërit tanë për pesëdhjetë vjet; synoj të theksoj mangësitë e çdo qeverie që ka pasur mundësinë të vërë dorë mbi shëndetin e qytetarëve që e sollën në fuqi por ka parapëlqyer të mbushë xhepat e saj; synoj të dënoj rrënimin e institucioneve që e mbajtën gjallë shëndetin dhe popullin e që sot lëngojnë vetë....

Me pak fjalë, përplas grushtat pa dobi....

08 shtator 2010

E vërteta na vjen nga jashtë

Që shqiptarët ta kuptojnë se ku ndodhen në lidhje me historinë e tyre, duhet që pasqyrën të na e mbajnë nga jashtë. Një profesor amerikan i quajtur Bernd Fisher (jam ende në kërkim të CV-së së tij) na vë në dukje tiparet e udhëheqësve që kemi pasur deri më sot, që nga Enver Hoxha e deri tek Saliu I dhe Saliu II. Ai nuk harron të tregojë këtë të fundit dhe Fatos Nanon si pasardhës të Enver Hoxhës, në saje të mentalitetit të tyre politik, por edhe të mënyrës se si ata kanë vepruar dhe veprojnë politikisht.

06 maj 2010

Demokracia në veprim

Videoja më poshtë (dhe pjesët në vijim të saj) tregojnë atë që, me plot gojë, do ta quaja çastin më demokratik në Shqipëri, si nga ana e cilësisë së dialogut qytetar, ashtu edhe nga ana e mirëkuptimit midis qeverisë dhe popullit intelektual. Për më tepër, ajo vë në dukje hipokrizinë dhe ironinë që është fshehur (ose ka shfaqur fytyrën e pacipë) prapa demokracisë që ka ekzistuar në Shqipëri që nga ai vit e deri në ditët e sotme. Vlen të theksohet, gjithashtu, se kjo ka ndodhur plotësisht nën kujdesin e një regjimi që ishte, në thelbin e tij, jo-demokratik.

Asgjë nuk humbet. Asgjë nuk harrohet.

Ia vlen koha që duhet për ta ndjekur.

26 prill 2010

Dituri

PYETJE
A ka tregëtuar kripë Shqipëria?

PËRGJIGJE
Prodhimi dhe tregtimi i kripës njihet në bregdetin shqiptar që në kohë të lashtë dhe ka qenë zhvilluar sidomos në zonën e Vlorës dhe Durrësit.

Kripshmëria e lartë e detit Adriatik (3-4%) dhe kushtet klimaterike janë të përshtatshme për këtë lloj prodhimi. Sipas të dhënave historike nga kriporet e Durrësit e të Vlorës (më pak nga ato të Butrintit, Kavajës e Lezhës), kripa shqiptare tregtohej me rrugë detare në Ulqin, Tivar, Raguzë dhe gjithë bregdetin dalmat deri në Venedik, nga ku shpërndahej më pas në Evropën Qendrore.

Kurse nga Shirgji i Shkodrës, kripa shpërndahej në Kosovë e vise të tjera të Ballkanit. Pas 1944-ës, kanë funksionuar kripore të mëdha si ajo e Skrofotinës në Vlorë dhe e Lagunës së Nartës.

Burimi: Shekulli

12 prill 2010

«Zogu & thesari» - përrallë nga e kaluara

Ka pak dyshim se me fluturimin e Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 fluturoi dhe thesari i Shqipërisë për të mos u kthyer më.

Kjo vepër përshkruhet me një fjalë: vjedhje.

Sot ne nderojmë ata anëtarë të vjetëruar të familjes së tij që vazhdojnë ta quajnë veten «mbretër» e «princër» ndërsa gëzojnë e (padyshim) ruajnë fshehur diku pasurinë e gjithë shqiptarëve.

Fletë-rrufe

Si lindi, si u zhvillua dhe si u përdor fletë-rrufeja në vitet e regjimit komunist në Shqipëri.

Shekulli rrëfen.

25 mars 2010

Shqipëria falimenton

Ministri i Financave, Ridvan Bode, i ka kërkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar kredi për të larë borxhin që ka arritur tashmë në 59,5% të PBB-së.

Një editorial tek gazeta Shekulli vë në dukje jo vetëm mangësitë që tregoi Ridvan Bode si Ministër i Financave duke e lënë ekonominë të përfundonte këtu ku ndodhet pa vepruar më parë, por edhe dështimin e qeverisë që e ka atë si anëtar.

Me mbarë Shqipërinë të përmbytur, me prodhimin vendas gjithnjë e në ulje, me kokëfortësinë dhe papërthyeshmërinë që ka treguar qeveria Berisha politikisht, si dhe me gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet pjesa dërrmuese e popullit Shqiptar, më vjen keq të them se i druhem një grusht-shteti alla-1997.

15 mars 2010

S'mbahet shtëpia me miell hua

Sipas gazetës Shekulli, çmimet ushqimore kanë pësuar rritje të ndjeshme kohët e fundit në Shqipëri. Rritja më e shpejtë ka qenë gjatë gjashtë muajve të fundit të vitit 2009, por ajo ka vazhduar edhe në fillimin e vitit ku ndodhemi.

Shkak për këtë është inflacioni prej 4,4%, por edhe importimi në masë i fruta-perimeve dhe mallrave të tjera nga jashtë.

Shqipëria po vidhet; kaq di të them. Më falni, se gënjeva. Mund të shtoj edhe kaq: se vjedhja ngjan me atë të viteve para '97-s, gjë që i duhet kujtuar Salës sa më shpejt, se s'mban më pilafi ujë deri në zgjedhjet e ardhshme.

06 mars 2010

Në pritje të 7 Marsit

Urime gjithë arsimtarëve shqiptarë, kudo që ndodhen!

Rikujtoni 7 marsin e vitit 1887 dhe përpjekjet e shumta të paguara dhe me jetë njerëzish që çuan në hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. Kësaj ngjarjeje i këndon më së miri Naim Frashëri:

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq' e mir'e kaq'e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit'e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q'e bekoi zot'i vërtetë
Dh'e dërgoi me shumë dritë,
T'i mbes' emëri përjetë.

Sot e vumë gur'e parë,
Sa' ësht'e bekuar kjo ditë!
Zot'i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh'e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht'e shtije,
Mbretëron fjal'e vërtetë,
Dhe të mirat gjith'i bije.

Zot'i math qoft'i lëvduar,
Q'e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo si ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj Korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo është mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gazthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.

S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Ne kët' emër nder'e kemi.

Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën'e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë me perëndinë.

Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

01 mars 2010

«Dita e Verës»

Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare «Verore», u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S'e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.

Ç'është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t'anë, kur s'kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit' e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t'ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t'anë ndiejin një detyrë t'u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit' e Verës.

Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtme të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t'rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t'këputin degë të gjelbra dhe do t'i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t'odave.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të racës s'onë. Nuk i bëjën dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.

Faik KONICA

13 shkurt 2010

«Dua më shumë Shqipërinë»

Kënduar nga grupi «Lira».

Teksti dhe videoja më poshtë. Pamjet e videos i kam marrë vetë në Drenovë. Ndonëse jo krejt të përshtatshme për këngën, përsëri nuk janë keq për të kullotur sytë.

Dua mëngjezë e majit
kur këndon bilbili i bukur,
kur fryn erëza e malit
edhe qarku është i skuqur.

Dua lulet e fushës
në mëngjes kur janë plot me vesë;
doçkat e bardha të çupës
vete me vrap që t'i pres.

Po nga gjith' ato më parë
dua më shumë Shqipërinë
që të vejë puna mbarë
edhe përjetë të ketë lirinë.

Dua natën në verë
kur të ndritin yjt' e artë,
kur fryn Zefiri me erë
veç dëfren kët' zemrën e zjarrtë.

Zogjtë që ëmbël ligjërojnë
nëpër lisat mbushur me fletë
o sa gas që mua më bëjnë
për natyrën e vërtetë....

Po nga gjith' ato më parë
dua më shumë Shqipërinë
që të vejë puna mbarë
edhe përjetë të ketë lirinë!


10 dhjetor 2009

«Deklarata e Partisë»

Një deklaratë e dyfishtë e «partisë». Për t'u lexuar!

Mund ta gjeni tek Tirana Calling.

Mos harroni të lexoni post scriptum-in dhe të ndiqni udhëzimet e tij.

18 tetor 2009

Intervistë me Ramiz Alinë

Gazeta Shekulli interviston ish-presidentin Ramiz Alia mbi shumë çështje lidhur me regjimin «komunist» dhe sidomos me marrëdhëniet e qeverisë së asaj kohe me Bashkimin Sovjetik, Bllokun Komunist dhe Jugosllavinë.

Mes të tjerash, Ramiz Alia shpjegon se vendimi për ngritjen e Murit të Berlinit u mor nga i gjithë Blloku Komunist me përjashtimin e Shqipërisë për arsye se ajo u përjashtua nga mbledhja kur nuk u përfaqësua nga Sekretari i saj i Parë apo nga Kryeministri, por nga vetë Ramiz Alia si i dërguar fuqiplotë i P.P.Sh.-së.

17 tetor 2009

Brezi i lënë pas dore

Kiço Blushi boton një artikull në Balkanweb, ku mëton të rikujtojë brezat e rinj për të mirat që brezi i tij i dha Shqipërisë. Është një artikull shumë prekës e me plot të vërteta që demaskojnë karrierizmin e sotëm në Shqipëri, i cili lë pas dore, shpërfill, fyen, e madje nënvleftëson brezin e gjyshërve tanë.
Brezit tim nuk i dihet për nder as puna madhështore që bëri jo vetëm për elektrifikimin dhe zhdukjen e analfabetizmit, të sëmundjeve dhe të epidemive kronike, si malarja, por edhe të rekordeve në sport, në arsim e në kulturë, pasi këto merita, kur bie fjala, shpesh i atribuohen sistemit, e konkretisht «kohës së Enverit», për të mos thënë edhe vetë diktatorit, nj’ashtu si sot rruga e kombit Durrës-Kukës i faturohet Berishës…
Nuk jam i prirur të lëvdoj e as të lartoj kotekot brezin tim, dhe gjithaq të ul brezat e tjerë. E di që kjo do të ishte një punë e kotë e një veprim krejt i padobishëm. Por, për të hyrë më në thelb të arsyetimit, nëse vërtet brezi im ishte apo nuk ishte si e paraqita më lart, kjo përsiatje le të vlejë të paktën si një metodë modeste arsyetimi apo edhe krahasimi mes brezave të sotëm, të cilët, për shkak të ndryshimeve demografike dhe politike, për shkak të nakatosjes pa kriter të botës rurale me atë urbane, për shkak të «përplasjes» së dy qytetërimeve dhe fuqisë që ka marrë konsumizmi ndaj idealizmit, më duket se në mënyrë artificiale po injektohet një përplasje absurde brezash, duke thelluar qëllimisht përçarjen kombëtare, si dhe duke shkatërruar lidhjen organike që kanë kombet e qytetëruar me tri njësitë kohore: me të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen...

12 tetor 2009

Kultura në rrezik

Kolektivi vajton—me plot të drejtë—shkatërrimin dhe përçudnimin e ndërtesave dhe objekteve të tjera kulturale në Shqipëri. Në disa raste, shkatërrimi është i ligjshëm, çka do të thotë se shteti përkrah e përshpejton humbjen e karakterit tonë historik e kulturor.