Po shfaqen postimet me emërtimin rama. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin rama. Shfaq të gjitha postimet

09 shkurt 2011

L'intellectuel engagé

Si hulumtues i dukurisë së intelektualit të angazhuar (ose intelektualit publik), më bëhet zemra mal dhe ripërtëritem në punën time kur dëgjoj njerëz të ngritur, që kanë dhënë provë për diturinë e tyre dhe që gëzojnë respekt mes popullit, të flasin haptazi dhe pa drojë për çështje të lëmit politik, etik, shoqëror, qytetar, etj..

Rexhep Qosja vazhdon të më bindë dhe të më tregojë se respekti që kam për të shkon, çdo herë që e dëgjoj, më thellë se nga ç'e kam menduar më parë....

17 janar 2010

Edi Rama për krizat dhe dështimet e qeverisë

Flet pak si Enveri, por ama pak autoritet në fjalë shkon larg. Dhe kësaj radhe, duhet autoritet nga ana e tij dhe dëgjim nga ana e shqiptarëve.

24 qershor 2009

«Shqiptarët janë një popull socialist»

«Shqiptarët janë një popull socialist» më tha dikush para dy vjetësh. Si majtist, m'u bë qejfi për këtë gjë, mirëpo menjëherë u kujtova se qeveria në fuqi në atë kohë (si ende sot) ishte ajo e S. Berishës dhe këto dy pamje—ajo e një populli socialist dhe ajo e një qeverie tepër të djathtë—binin ndesh me njëra-tjetrën dhe kurrsesi nuk mund t'i pajtoja në mendjen time.

Që atëherë jam përsiatur në heshtje për këtë çështje dhe kam bluajtur shumë skenare në mendje. Pas shtjellimesh të shumta, kam arritur tek përfundimi se, me të vërtetë, shqiptarët janë popull socialist; por më tepër, besoj se kam gjetur një shpjegim të kënaqshëm (të paktën për vetveten) për ato që kanë ndodhur në Shqipëri që nga rënia e regjimit (të ashtuquajtur) komunist.

Nuk e vë në dyshim që një ndryshim regjimi në fillim të viteve '90 ishte i domosdoshëm për Shqipërinë, jo vetëm në rastin e saj të veçuar, por edhe si pjesë e valës së ndryshimeve që përshkoi gjithë Evropën lindore. Fundi i këtij regjimi erdhi pas gati pesëdhjetë vjetësh, pra më se dy brezash, çka do të thotë se një pjesë e mirë e popullsisë u rritën nën «komunizëm». Duke marrë parasysh se gjatë po atyre viteve popullsia më se u trefishua, kjo shifër duket edhe më dërrmuese. Shpeshherë, kjo e vërtetë harrohet nga popullsia shqiptare. Gjyshërit tanë, prindërit tanë dhe ne vetë (flas sidomos për ne që i morëm shkollimet e para para vitit 1991) jemi rritur me përshtypjen se gjithçka në Shqipëri kryhet nga shteti: shteti të jep punë, shteti të heq nga puna, shteti të ushqen, shteti të mjekon, shteti të edukon, etj.. Me përjashtime të pjesshme, shumë nga këto institucione kanë mbetur po shtetërore edhe gjatë këtyre viteve «demokratike», prandaj edhe qeveritë e njëzetvjeçarit të fundit i kanë shfrytëzuar për të gllabëruar pushtetin nga partitë kundërshtare. Pikërisht sepse kanë ditur të shfrytëzojnë pushtetin e tyre, partitë dhe qeveritë e administratat e tyre të politizuara kanë mundur të mbajnë në punë ata mësues, mjekë, apo administratorë që përkrahin vijën e partisë së tyre dhe të nxjerrin jashtë pune ata që e kundërshtojnë atë. Nën kërcënimin e humbjes së punës, mirëqenies, e të gjithave, populli shqiptar nuk është lëkundur nga besimi dhe pikëpamja se shteti jep dhe merr gjithçka; përkundrazi, ka vazhduar ta besojë atë më tepër se kurrë, madje e ka lejuar që t'ia politizojë jetën duke e bërë flamurtar të kësaj apo asaj partie, ose që ta bëjë të heshtë e ta dredhë kur bie fjala për pikëpamjet politike.

Besimi tek të mirat që populli pret nga qeveria që ai zgjedh ta udhëheqë nuk është pa mbështetje dhe pa arsye. Përkundrazi, kjo është arsyeja kryesore e një rendi qeverisës. Që në kohë të hershme njeriu e ka kuptuar se, për t'i përgjigjur instinktit të vet për vetë-ruajtje, i duhet të bashkohet dhe të varet pikërisht për këtë vetë-ruajtje nga qeveria dhe sunduesi në fuqi. Ndonëse «vetë-ruajtja» e kërkuar nënkuptonte fillimisht mbrojtjen e jetës nga hordhi armike, gjatë historisë së qeverive dhe sunduesve deri në ditët e sotme, kuptimi i saj u stërhollua dhe, hap pas hapi, mori kuptimin e një ndihme të shumanshme me të vërtetë shoqërore që njeriu nuk mund t'ia japë vetes si individ.

Qeveritë e dy dhjetëvjeçarëve të fundit në Shqipëri nuk e kanë mundësuar këtë lloj ndihme për popullin shqiptar. Sot e kësaj dite, këto qeveri nuk gëzojnë më përkrahjen e popullit shqiptar siç duhet ta gëzojë çdo qeveri. Ajo që populli shqiptar kërkon vazhdimisht nga qeveria është një punë e frytshme, punë të cilën ai ndoshta është i gatshëm ta bëjë edhe vetë me punë vullnetare, për të rindërtuar dhe modernizuar vendin si i ka hije dhe si e meriton populli. Qeveria, nga ana e saj, rrallëherë u përgjigjet këtyre kërkesave, edhe pse gjatë fushatave partiakëve s'u hyn gjuha brenda duke bërë po ato premtime që populli pret të dëgjojë. Qeveri pas qeverie ka kaluar me pak fryte që në vitin 1991 dhe stafeta e paaftësisë për të qeverisur ka kaluar nga dora në dorë (apo sa majtas-djathtas) e mbushur me korrupsionin që karakterizon këto vite.

Populli shqiptar ka mësuar mirë vetëm një gjë gjatë viteve të pluralizmit politik: se ka në dorë ndërrimin e qeverive kur qeveria në fuqi e ka zhgënjyer. Duke mësuar këtë mësim, ai për fat të keq ka harruar mësimin paraardhës dhe, për më tepër, nuk ka mundur të kthejë sytë edhe më prapa për të bërë një shtjellim të përgjithshëm të politikës së shtetit në Shqipëri. Nëse një shtjellim i tillë do të qe bërë nga populli, sot nuk do të kishim në fuqi S. Berishën dhe asnjë forcë politike të djathtë. Madje, guxoj të them se nuk do të kishim në fuqi as Partinë Socialiste siç e njohëm në qeverisjet e saj të kaluara dhe siç e njohim sot si parti e F. Nanos apo E. Ramës. Vendin e tyre do ta zinte mirë dhe për një kohë të gjatë një shtet social. Le ta quajmë edhe «socialist» duke e shkëputur këtë fjalë nga partia me të njëjtin emër. Partia në fuqi do të qe një parti e udhëhequr nga parimet e një shteti social, një shteti që i njeh popullit të drejtën e zgjedhjes së udhëheqësve (dhe bën çmos për ta ruajtur atë të drejtë), por edhe që di ta udhëheqë kur ajo përgjegjësi i bie në dorë; një shteti që do të dinte të ishte tagrambledhës i drejtë dhe njëkohësisht edhe mundësues i shërbimeve shoqërore të drejta e bashkëkohore që t'ia lehtësonin jetën popullit dhe t'i jepnin kuptim jo vetëm votës së tij, por edhe legjitimitetit dhe raison d'être-it të qeverisë.

Por e vërteta i ka qëndruar larg kësaj shprese. Dhe ja, këtu rikthehem tek pika e nisur në fillim prej së cilës u largova për pak: tek pyetja se si një popull të cilin unë e quaj socialist mund të ketë në fuqi një qeveri të djathtë. Përgjigja vijon. Që prej rënies së regjimit «komunist», Partia Demokratike ka zhvilluar një fushatë të parreshtur për të djallëzuar regjimin e para-'91-shit. Kjo me të drejtë, por vetëm pjesërisht. Një pjesë e popullsisë ka vuajtur vërtet rëndë gjatë atyre viteve dhe ka paguar shumë haraç që regjimi të mundte të ruante jetëgjatësinë e tij. Gjithsesi, shifrat e vuajtësve që japin PD-istët dhe përshtypjet që ata ngjallin me demagogjinë e tyre janë të fryra deri në prag të shpërthimit dhe me të vërtetë do të shpërthejnë një ditë. Të gjithë ata që e kanë jetuar regjimin nuk mund të harrojnë radhët e gjata në dyqane, mungesën e shumë ushqimeve, tallonet që i shoqëronin ato, punët e rënda në kooperativë, etj.; por të thuash se i gjithë populli ka qenë i përndjekur e mandej të bësh çdo përpjekje për ta thelluar këtë demagogji është shtrembërim i së vërtetës historike. Për më tepër, po të thuash se ato plagë nuk janë mbyllur në shumicën e popullit është fyerje ndaj aftësive ripërtëritëse të popullit shqiptar. Ka plagë edhe më të thella që rikthehen sot tek disa si dhimbje nga plagët e luftës, por në përgjithësi populli shqiptar është shëruar nga vitet e regjimit në fjalë, madje mund të them se me vullnetin e vet dhe me një kujtesë zgjedhëse ka ditur ç'të ruajë në kujtesë dhe ç'të harrojë prej atyre viteve. Por ja që kësaj ripërtëritjeje i kundërvihet gjithmonë retorika demagogjike e PD-së dhe gjithë atyre rasteve të veçuara në çdo parti të djathtë (apo dhe të majtë e pushtet-lakmuese) që rendit në krye të propagandës së saj identifikimin e regjimit «komunist» me partitë e të majtës së sotme e në veçanti me Partinë Socialiste.

Është pikërisht kjo plaga që i është ngjitur keq popullit shqiptar dhe që i garanton të drejtën e pushtetit PD-së dhe partive-lakeje të saj. Sapo populli kupton se jeton në një kohë (disi) demokratike kur nuk duhet t'i druhet qeverisë dhe masave të saj dënuese, PD-ja ndodhet aty për t'i kujtuar se ka vuajtur në një të kaluar tashmë të harruar nga shumë vetë dhe se e vetmja mënyrë për ta vënë popullin, shtetin dhe të ardhmen e tyre në vijë të drejtë është të votojnë për të. Ndonëse PD-së i takojnë meritat e saj si e para parti e krijuar kundër Partisë së Punës, ajo nuk ka ditur t'i përdorë ato merita qysh prej zanafillës së saj. Krerët e saj kanë punuar—dhe këtë e them me plot gojë dhe pa kurrfarë ngurrimi—për xhepat dhe ithtarët e tyre shumë më tepër se për popullin që i përkrahu dhe i solli në pushtet. Provën duhet ta shohim vetëm në vitet 1996-1997 kur, fill pasi vodhi votën me një shumicë të paparë, kjo qeveri lejoi që popullit t'i vidhej dhe ai pak plëng që pat vënë mënjanë, e mandej pati sy e faqe t'i premtonte se do t'i rikthehej, siç pritet të bëhet ende sot, pas dymbëdhjetë vjetësh. Po të njëjtën rrugë ndoqi dhe gjatë mandatit të saj të dytë kjo qeveri berishiane, madje mund të them se edhe qeveritë e ndërmjetme që frynë egon e F. Nanos sa më s'mbante, nuk iu larguan kësaj vije të shtrembër të pushtetit.

Sot, populli shqiptar është dëshmitar (dhe vuajtës) i paaftësisë që e ka pllakosur atë si zgjedhës për të zgjedhur një qeveri për aftësitë e saj të mirëfillta dhe për arsye që pijnë vërtet ujë. Para katër vjetësh ai bëri gabimin të sillte në pushtet ata pushtetarë të vjetër e të zvetënuar të PD-së, të cilët nuk ditën ta qeverisin vendin ndryshe dhe ditën të pasuronin veten po ashtu siç bënë vite më parë. Ky ujk vërtet e ndërroi qimen dhe zakonin vërtet s'e harroi. Por ujqërit janë të shumtë në skenën e politikës shqiptare. I ballafaquar me detyrën për të zgjedhur mes tyre, zgjedhësi duhet të shohë më tepër punën, jo gunën. Prandaj, Shqipërisë sot i duhet një parti ndryshe nga Partia Demokratike e këtyre dy dhjetëvjeçarëve e ndryshe nga Partia Socialiste si ajo ka qenë deri më sot. Detyra më e rëndë për t'iu përgjigjur kësaj nevoje i bie po kësaj të fundit, sepse nevojat e popullit i kërkojnë asaj t'i qëndrojë pranë e besnike emrit të saj si një parti që i ndodhet pranë shoqërisë; që i ndih asaj me çdo mënyrë; që në çdo hap të vendimeve të marra prej saj mendon për pasojat ndër popull e në shoqëri; dhe që mirëqenien e shumicës që e solli në pushtet dhe të mbarë popullit e kthen në detyrë parësore.

Ndonëse hapa vigane janë bërë vitet e fundit drejt një partie që futet në përkufizimin e mësipërm, shumë më tepër duhet bërë. Sot, në retorikën e ndryshuar të PS-së dhe në jehonën që ajo gjen ndër popull duket mirë prirja që ka populli shqiptar për t'iu bashkuar një partie sociale. Historia jonë e bashkëjetesës paqësore e të palëkundur si popull i njësuar qëndron si bazë e një besimi tek një parti që, në emër të atyre që kanë mundësi (e vërtet duan), u zgjat dorën atyre që nuk kanë mundësi. Rinia e angazhuar në radhët e PS-së vërteton për mua se shqiptarët janë vërtet një popull socialist i mirëfilltë; se edhe pas njëzet vjetësh egoizmi e shfrytëzimi të paparë në Shqipëri që prej kohës së para-luftës, kemi mundur të përcjellim tek brezat e rinj mesazhin se, kur ke mundësi, nuk është keq të japësh pak më shumë për të bërë të mundur që në kohët tona, në shekullin e XXI, të mos vdesë foshnja e i moshuari nga mungesa e ushqimit e barnave; të mos lypë fëmija që familja e vet të shtyjë edhe një ditë; të mos ended i riu dhe e reja rrugëve ec-e-jak se nuk gjen punë; të mos mbushen xhepat e politikanëve që politikën e shfrytëzimin e kanë bërë karrierë; të mos shpërngulen familje të tëra për në mërgim; të mos ketë më njeri synim t'i largohet realitetit shqiptar, etj., etj., etj.....

20 shkurt 2007

Zgjedhjet vendore [ose «Sa djathtas majtas... dhe aty mbaje»]

Nuk jam socialist sipas përkufizimit që i jepet sot në Shqipëri, por duke qenë majtist i palëkundur dhe njeri i arsyeshëm, nuk kam se si të mos gëzohem nga fitorja e së majtës dhe nga pushteti që po i rrëshqet nga duart Salës si ngjala në ujë. Të paktën është bërë si pulë dhe s'po pëllet shumë; madje tha se do t'i pranonte përfundimet e zgjedhjeve, sido që të ishin. Të ketë vënë mend thua? Zor se po....

Që PD-ja do të fitonte në qytetet dhe komunat e ashtuquajtura «bastione» të saj—Shkodër, Kukës, Tropojë, etj.—pritej. Që ajo të humbiste në disa të tjera, si Shijaku, ishte e papritur. Që ajo të pranonte kaq lehtë dhe pa bujë e rrëmujë humbjet e saj ishte gjithashtu një befasi dhe nuk gënjej po të them se ishte madje edhe e këndshme.

Numri i pakët i organizmave vëzhguese që ndiqnin hap-pas-hapi zhvillimin e zgjedhjeve dhe numërimin e votave—veçoj këtu bashkëpunimin midis MJAFT-it dhe ECA-s—bëri që lajmi kryesor orë pas ore të mbetej se bashkimi i majtë kishte epërsi votash dhe së fundmi fitore—të thella ose të përcipta—në tetë nga bashkitë kryesore të vendit, kundrejt tri bashkive të PD-së dhe aleatëve të saj. Edhe pse u vjetërua shpejt, ky lajm mbeti gjithashtu i këndshëm. Por gjendja shtrihet edhe më tej. Në këto zgjedhje kishte rëndësi dhe komuna më e vogël në rrethin më të humbur të vendit, pasi edhe vendimi nëpërmjet votës i popullsisë së saj ishte shprehje e pakënaqësisë që ndihet (dhe rëndon) ndër popull. Shkaku i kësaj pakënaqësie është puna e papërfiillshme (për të mos thënë e panisur) e qeverisë të së djathtës që nuk i kurseu premtimet gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, por që mbeti duartharë gjatë vitit kur ajo qeverisi vendin.

Para një viti, bashkimi i partive kryesore të djathta (plus qelepirëve kinse «mjedisorë» dhe sahanlëpirësve të partive «nga fryn era») fitoi jo në saje të meritës dhe të mirëbesimit ndër masa, por falë korrupsionit të paraardhësve të tyre me Fatos Nanon në krye. Ata erdhën në pushtet në saje të krupës që kishte kallur qeveria e Fatos Nanos (kryesisht ai vetë)—një pështirosje aq e thellë sa bëri të harroheshin bëmat (dhe gjëmat) e Berishës para '97-s dhe t'i viheshin sërish në dorë frerët e Shqipërisë. Djathtistët patën gjithashtu fatin se ai korrupsion Nanoist nuk kishte cënuar sistemin zgjedhor dhe përfituan nga zgjedhjet që edhe unë (lexo: cinik i madh) i njoha si zgjedhjet më demokratike që ka pasur Shqipëria pas 1990-s, në mos ndonjëherë.

Por le t'i lëmë mënjanë premtimet boshe që bëhen në kurriz të popullit dhe t'i rikthehemi përgjigjes-goditje të këtij të fundit që i dha Berishës dhe ithtarëve të tij nëpërmjet votave të 18 shkurtit. Krenohem me ata qytetarë shqiptarë që nuk u treguan syleshë dhe i treguan Berishës se nuk ishin të kënaqur me të. Njëkohësisht, më vjen keq për ata të tjerë që vazhdojnë të gënjehen edhe pa iu thënë gënjeshtra dhe që, pavarësisht nga gjendja e mjeruar që sa vjen e thellohet në qytetet e tyre, vazhdojnë të votojnë për kandidatë bashkish të së djathtës që s'janë veç kukulla me duart të thara, të lidhura, dhe qulle (ose, siç do thoshte e ndjera gjyshja ime, «me duar në bythë»). Shembulli që ia vlen të përmendet është Shkodra. Ndonëse prej së largu, e kam dashur gjithmonë këtë qytet, duke filluar nga gjuha e tij që tingëllon ëmbël në ligjëratë dhe në këngë e deri tek paralelet kulturore me qytetin e Korçës (muzika qytetare, kinemaja, teatri, etj.); por ndërsa e shoh të pështjellohet me duart e veta në vorbullën shkatërruese të bashkiakëve të djathtë që e lënë në mëshirën e fatit, më duket krejt vetëcënuese dhe nuk di ç'mendoj më për të, për popullin e saj. Ka ardhur koha që Shkodra të mësojë se një votë kundër PD-së nuk do të thotë kthim në (të ashtuquajturin) komunizëm. Sado mllef që popullsia e saj mund të ndiejë ndaj së kaluarës së sipërpërmendur, nuk ka si ta qetësojë me votën për PD-në, që çon në rrënimin e saj. Këtu nuk flas veresie, por duke parë se sa hapa kanë bërë përpara qytete si Tirana, Korça, Vlora, Fieri, etj. nën drejtimin e bashkiakëve të së majtës, që kanë si përparësi mirëqenien e popullit dhe qytetit, e jo lepe-peqet që kërkon Berisha prej kryebashkiakëve të tij. Uroj që ky kryetar bashkie i Shkodrës të më tregojë se jam në gabim kur flas kështu. Uroj....

Tani për tani, gëzohem të paktën me fitoret e së majtës dhe sidomos të bashkive Korçë dhe Tiranë. Me sa kam pyetur e dëgjuar, kryetari i së parës është burrë i ndershëm, ndërsa të dytit ia kemi parë punën. Përgojosjet për «paudhësitë» e tij i kam dëgjuar vetëm nga Berisha dhe nga ithtarë-gjuhët (se s'janë mendje më vete) e tij, prandaj edhe s'u vë shumë rëndësi. Por ja se Berisha dhe kopili i tij Olldashi kanë dy ditë që janë tutur dhe kanë mbetur gjuhëprerë. Gjithë humbjet e tjera nëpër vend të marra bashkë nuk krahasohen me humbjen e thellë që pësuan në Tiranë kundër Edi Ramës. Guxoj të shpresoj se fitorja e këtij të fundit ishte një hap tjetër drejt një së ardhmjeje ku parësi mbetet populli dhe mirëqenia e tij.

Fituesve të tjerë—të majtë e të djathtë—u uroj punë të mbarë në udhën e tyre, si dhe mbarëvajtje të mendimeve shoqërore-politike përparimtare në rang pleqësie, komune, bashkie, prefekture dhe qeverie. Një zot(?!) e di se Shqipërisë i nevojiten. Së majtës në veçanti, i uroj ta mbledhë kallaballëkun (kjo shprehje për Enin) dhe t'i jepet me mish e me shpirt punës për përparimin e popullit, siç i ka hije një krahu politik që mbron të drejtat e vegjëlisë.