Po shfaqen postimet me emërtimin naim frashëri. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin naim frashëri. Shfaq të gjitha postimet

06 mars 2010

Në pritje të 7 Marsit

Urime gjithë arsimtarëve shqiptarë, kudo që ndodhen!

Rikujtoni 7 marsin e vitit 1887 dhe përpjekjet e shumta të paguara dhe me jetë njerëzish që çuan në hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. Kësaj ngjarjeje i këndon më së miri Naim Frashëri:

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq' e mir'e kaq'e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit'e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q'e bekoi zot'i vërtetë
Dh'e dërgoi me shumë dritë,
T'i mbes' emëri përjetë.

Sot e vumë gur'e parë,
Sa' ësht'e bekuar kjo ditë!
Zot'i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh'e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht'e shtije,
Mbretëron fjal'e vërtetë,
Dhe të mirat gjith'i bije.

Zot'i math qoft'i lëvduar,
Q'e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo si ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj Korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo është mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gazthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.

S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Ne kët' emër nder'e kemi.

Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën'e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë me perëndinë.

Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

01 mars 2010

«Zogu dhe djali»

Një zok të bukur zuri një djalë,
Ay po dridhej dh'e i thosh ca fjalë:
«Nukë të vjen keq që jam i mitur,
Si ti i vogël e s'jam dhe rritur?
Jam bir i vetëm e mëma më pret,
E kam lënë keq brenda në folet.
Dheu me dëborë gjith' u mbulua,
Më s'ka mbetur dhe gjëkunt pothua!
Vuanj i gjori dit' edhe natë
E s'gjenj dot asnjë druthë të thatë!
E sheh sa u prish fort i shkreti mot,
Urie vdiqmë, më s'durojmë dot,
Zemërsë sime i lidhe gur,
Po mëm' e zezë q'ësht' e sëmurë?
Kërkonj e kërkonj, e kam që dije
Që s'munt të gjenj dot gjëzë t'i shpije.
Ah! Kjo e keqe këtu më pruri,
E gracka jote ra e më zuri!

Më pret im mëzë, si ty jot ëmë.
Të mos t'i vete, ç'bënetë prëmë?
Të zesthitë na, përse na ngini?
Në punët tënë përse s'na lini?
Kam dhe unë shpirt dhe dua të rronj,
Të lëçinj, të breth, të los, të këndonj,
Unë, që s'kam ment, (si thotë njeriu),
Kujt i bëra keq? Ç'bëra un' i ziu?
Le, mos më mundo, se Zoti të sheh,
Të mirën' edhe të ligën' e njeh,
E s'do të ligën, po do të mirën,
Do butësinë, nuk' egërsirën,
Të drejtënë do dhe urtësinë,
S'do faqezinë e babëzinë,
Mua të lirë më bëri Zoti
përse me bën rob? Nga un' ç'do ti?...»

Fjalët' e zogut djali i dëgjoi,
Qau edh' e puthi, pastaj e lëshoi.

Naim FRASHËRI

15 gusht 2009

«Ferexheja dhe qytetërimi»

Tajar Zavalani tek faqja e internetit «Ateistët» flet për ferexhenë dhe përpjekjet që po bëhen për ta përhapur dhe për ta ruajtur atë në shoqërinë shqiptare. Mes argumenteve të tij për heqjen e ferexhesë si hap i domosdoshëm për emancipimin e gruas, ai citon edhe poetin tonë kombëtar dhe pikëpamjen e këtij të fundig për ferexhenë dhe mbulimin e grave në përgjithësi:

Të mëshehurit dhe të mbuluarit e fytyrës së gruas s’ka qenë në kohën e profitit por është çpikur më von. Ndalim i math në përparimin e një kombi! Si mund të vejë mbroth një komb kur gratë, domethënë gjysma e njerëzisë rron e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar e i mbarë një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmijës, dhe këto qysh mund të bëhen kur burri rrin veç gruas? Ç’dashuri, ç’arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë në një të tillë familje... Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë nga burri se fëmija së pari nga mëma e marrin arsimin dhe mësimet... Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt i njerëzisë.
Naim FRASHËRI