Po shfaqen postimet me emërtimin hatibi. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin hatibi. Shfaq të gjitha postimet

19 nëntor 2011

«Ndjenjë e dashuruar»

Me ndjenjat jam ulur në dhomë e bisedoj
ato janë dashuruar me ty, unë nuk i besoj
me hire trëndafilash dimri, që celin mbi re,
të krahasojnë
si harqe ylberësh hutuar
rreth flokëve të tu duan të qëndrojnë

Mbi udhët e fletës sime fillojnë të vrapojnë
dhe tingujt nga pas po i ndjekin
unë për një çast ndaloj
të gjithë më shikojnë dhe nisin e presin
u them po shkoj, hej, ta takoj

Nga duart e hënës të marr, nga yjet e ftohtë.
Mbi krahët e mia të mbaj, nga ëndrrat të mbroj.
Rreth teje ndjenjat e mia dhe tingujt e lashtë
njëherazi thonë
ky djalë që ju shihni pranë ka shekuj me radhë
që po ju kërkon

Harrohemi në brigje prekjesh, në këngë vetëtimash
në dete të artë buzëqeshjesh
ecim mbi perla vargjesh, në maja të lira
ku vetëm një zë është dëgjuar
heeej, heeeej jam dashuruar.....

Ervin HATIBI

17 mars 2011

«5 minuta pas orës tetë në një fshat të vogël»

Terri po ulet ngadalë si një zog i plagosur me flatra të mëdha e të rënda.
Disa gjethe pranë meje fërfëllijnë ëmbël.
Në shtëpitë e kacavjerrura pas kodrës kujtohen të ndizen dritat,
Që me yjet ngatërrohen lehtë
E në oxhakun e një shtëpie mbështet butë hëna e njomë.
Pulat në një kotec rrotullojnë sytë dhe nxjerrin pasthirrma të tulatura nga gjumi.
Dhe përroi pa fjalë që ndrin pjesë-pjesë
Ështe me siguri gjerdan argjendi i zbuluar papritur në një tempull antik.
Një qen sakaton heshtjen, pas tij të tjerë.
Muallin e trembur një lopë që kthehet vonë nga kullota
E cila tërhiqet me zor me litar nga një vajzë e heshtur;
Gërvin një qerre mes fushës paanë,
Qerrtari këndon me zë të shpejtë
(Mos do të largojë frikën vallë?)
Fshatarët kthehen nga puna,
Dyer që hapen dhe mbyllen,
Unë përkëdhel një mace të përvuajtuar,
Që perëndon sytë orë e çast.
Tani ime më lan enët – tek unë e ka mendjen,
Tani im atë dëgjon lajmet – tek unë e ka mendjen,
Tek unë mendjen dhe vëllai atje në Tiranë...
Ora tetë e pesë.

Ervin HATIBI
Përditë shoh qiellin, 1989

24 shtator 2010

[unknown title]

In my pockets sleep
unsent letters
I feel under my skin verses that whisper
envelopes that tremble
philately that loved ones will not be able to
pluck from my flesh
they are letters that I perhaps wrote
but sent to myself
in far-away addresses
as though I want to explain myself
with others' reasons
for my shortcomings
under my skin sleep
letters
a whole bunch of them
letters that will perhaps be sent
in fact, that have been sent, but to me
who, like a stolen mailbox,
accumulate for myself a certain warmth, good words
that I myself wrote about others better
than anybody could write to me.

Ervin HATIBI

13 korrik 2010

«Këngë për veten time»

Unë isha i mitur, i vogël, si harabel,
I çiltër kur nisa të udhëtoj.
Udhëtova ëndrrat në fillim, më pas rrugën e madhe
Si heronjtë e lashtë të përrallave.
Fatin për të gjetur. Ej, ku je, fat?
Por hero unë nuk isha,
Asgjë heroi s’kisha.
Rruga si në përrallë ndahet:
Të kthen njëra,
E dyta jo,
Megjithëse shumë ka kthyer ajo.
Në mes të rrugëve, sigurisht, një plak,
Një plak madhështor me mjekër të derdhur
Nën një ah.
Dhe plaku të thotë recetën pa u lodhur,
«Bir, kjo rrugë të çon e të kthen,
Kjo të çon e s’të kthen.»
Unë i vogël u tremba, hero s’isha, asgjë heroi s’kisha
Zgjodha rrugën që të kthen,
Megjithëse dhe ajo shumë s’ka kthyer...
Por tani që më duket se jam rritur
E kuptoj që plaku më ka gënjyer.

Ervin HATIBI

1989

02 gusht 2009

«toshkëz»

toshkëz o toshkëz me emër peshku
toshkëz o toshkëz
o fshat dyfeku
që s'të kam parë fare
veç kam parë vajzën lozonjare
almën që s'është më fshatare
toshkëz-toshkëz me kasht' e baltë
toshkëz moj
me hu e lopatë
po të këndon ervini i ngratë
ndryshe nuk e qasin gratë
toshkëz o toshkëz
përparimtare
me çizme e shami basme
shami basme nëpër gardhe
gardhet janë nëpër ugare
ugaret plot me fshatare
të turpshme që punojnë
punojnë që të rrojnë
të rrojnë që të punojnë
e jetë të gëzojnë
toshkëz
me gardhe e varre
toshkëz
s'ke male fare
toshkëz
plot me traktorë
plot kombajna e zetorë
brigadierë e revizorë
shefa, dizenjatorë
stallierë, viça e lopë
kryetarë e agronomë
kapistra, shalë, hamshorë
pula, qena e milorë
plot mullarë hamullorë
kallamishte e piktorë
plot flamurë tranzitorë
dhe mësues provizorë
që nga shkodra gjer në vlorë
toshkëz
toshkëz me lëndina
me lëndina e kodrina
dele tulla edhe shina
duhan rrugë e makina
rendimente e vitrina
plepa thana qepë vidha
e kuti me aspirina
që të mos na dhembë kaptina
ka më pas xhama e tjegulla
por edhe vreshtë edhe pjergulla
plot bute e fuçia
rroftë vera! lart rakia!
pellgje pellgje edhe çezma
që në verë i zë lemza
plaka plaka pleq shumë
që i hyjnë gjithkujt në punë
toshkëz me zhaba
toshkëz pa kishën
kishëzën e prishëm
toshkëz me kanalin
kanalin s'e ndalin
pengesat që dalin
për toshkëzën këngë thur tërë jetën
o toshkëz...
o t... shkë...to...ëz t.

25 nëntor 1988

Ervin HATIBI

«Mërzia»

Mërzia varfëron veç pjesë të trupit
Të cilat fshihen nën bust
Mërzia, piedestali që më larton
Kësaj rruge pa tradita, pa barrikada
Të pjek mërzia, mërzia, mërzia
Siç piqet një pikturë antike, plasaritet verniku
Pluhuri mbi pikturë i josh qepallat të ulen
E tonet kuqërreme të burojnë nga mërzia
Prej pikturës e sajojnë dhomën e vetëvrasjes, ku perdet u ulën
Është dhoma e mirë e miqve, me veles
I je qepur një karrigeje të rëndë dhe nuk del kurrë
Nga titulli i librit, brenda të cilit sigurisht që ti ekziston
Nën emra të rremë e kujtesë të njëllojtë
Në një cep të bibliotekës do ta gjej të vjetër librin
Mërzia, mërzia
Merri gjymtyrët e mia dhe hidhi në ndonjë lojë
Ku veç mund të humbet
Veç të mos e prek më trupin
As të falem me to nuk dua
Ose i ndërroj gjymtyrët me flokët e mi
Ah, flokët e mi dy herë të prerë, aq të gjatë
Mes tyre gjendesha mes një kopshti trëndafilësh ujitur pa gjak
Ku stolat këndonin me zë të harruar shatërvani...
Aty midis flokësh i shpëtoja njerëzisë
Tek me sy të mbyllur ecja e s'më shihnin
Kërkoj flokët e mi që qenë të verdhë
Po krejt ma thithnin të keqen dhe më linin mua
Veç mërzira të mira
Po tani që pa flokë kam mbetur, pa njerëz kam mbetur
Mërzia
Është diçka e hidhur që nuk bën dot pa të më
Si edhe pa e quajtur pikëllim apo me fjalë më të ndera
Ështe diçka që vërtet të kthen në bust
Barkun me qime e kofshët t'i fsheh e t'i ruan
Në ujë të mbyturish
Që t'i kesh për pleqëri
Tani që zhduka edhe flokët e shenjtë
Një figurë e lojës me letra jam bërë
Duke buzëqeshur me një lule gazi në dorë
Me ca rroba të stolisura fort
Bust, bust spathi, si fant
Me dy kokë e katër duart me thika e gjethe të gjumit
Tanimë mërzia si një gjarpër pëllumb
Në një fole thurur prej flokësh të ngordhur
Ngroh si vezë dy kokat e mia
Njëra është për vrasje, tjetra për vetëvrasje.

Ervin HATIBI

22 tetor 2007

[titull i panjohur... ndoshta «Letrat e padërguara»]

Flenë në xhepa
Letrat e padërguara
I ndiej nën lëkurë rreshtat të pëshpërijnë
Zarfat tek dridhen
Filateli që të dashurit nuk do të mundin
Të ma shqisin nga mishi
Janë letra që mbase edhe i shkrova
Por vetes ia dërgova
Në adresa të largëta
Thuaj se veten dua të sqaroj
Me arsyet e të tjerëve
Për pamundësitë e mia
Më flenë nën lëkurë
Letra
Një tufë e tërë
Letra që mbase edhe do të nisen
Në fakt u nisën, por për tek unë
Që si kuti postare e vjedhur
Grumbulloj për vete një farë ngrohtësie, fjalë të mira
Që vetë i shkrova për të tjerë aq mirë
Sa nuk mundet askush të më shkruajë.

Ervin HATIBI