Po shfaqen postimet me emërtimin konica. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin konica. Shfaq të gjitha postimet

17 korrik 2011

«Mësime mbi shqipen e re»

I
Zoti Hekur,

Ju njoftoj se rekllamasioni juaj nuk u muar në konsiderasion.

Zgjebua, prefekt, d.v.


II
Zoti Prefekt,

E këndova kartën tuaj, ku më bëni të njohur se ankimi im nuk u muar në sy. Po më vjen keq që nuk shtuat edhe arsyet për të cilat nuk u dëgjua kërkimi im.

Hekuri, d.v.


III
Zoti Hekur,

Nukë jam oblizhé të ju reveloj motifet enterne që e desiduan administrasionin të refyzojë rekllamasionin tuaj.
Ballafaqimi rrjedh vetvetiu nga elementet.

Zgjebua, prefekt, d.v.


IV
Zoti Prefekt,

Nuk ju jam lutur të më zbuloni të fshehtat e shtetit. Po më duket se, kur hidhet poshtë një qarje, kam të drejtën të pyes përse.
Elementat rrjedhin vetvetiu nga ballafaqimi.

Hekuri, d.v.


V
Zoti Hekur,

Në paçi lodas të më shkruani përsëri një letre ensollave si atë të fundit, nosolman nuk do t’ju përgjigjem, po do të marr demëzyr regretabl.

Zgjebua, prefekt, d.v.


VI
Monsieur le préfet,

Il y a évidemment un malentendu. J’ai le plus profond respect pour les autorités, et je crois n’avoir fait preuve envers elles ni d’audace ni d’insolence. Je voudrais simplement demander les motifs pour lesquels ma réclamation n’a pas été prise en considération.

Hekuri, m.p.


VII
Zoti Hekur,

Do t’ju bëj rëmarke se lalangofisiel e Shqipërisë është shqipja. Parkonsekan letra juaj e fundit nuk është amisibl se është redizhé në një gjuhë të huaj.

Zgjebua, prefekt, d.v.


VIII
Zoti Prefekt,

Nuk kuptoj si mund të quhet e huaj frëngjishtja, kur është pranuar si ortake gjysmë për gjysmë me shqipen. Ortakësia është gjë shumë e mirë në tregti: po në shesh të gjuhësisë pema e ortakërisë është një doç. Më të shumtët nëpunës të Shqipërise sot s’dinë as shqip as frëngjisht; po meqë duket sheshit se frëngjishtja u pëlqen më tepër se shqipja, do ta nxënë kohë frëngjishten, në qoftë se kjo bëhet gjuha zyrtare e vendit. Në të dy mijë vjetët e fundit, më parë latinishtja, pastaj greqishtja më në fund turqishtja, kanë qenë gjhuët zyrtare të Shqipërisë. Pse të mos kenë përsëri si gjuhë zyrtare një gjuhë të huaj, po këtë herë të zgjedhur lirisht nga ne vetë? Sikur të kasnecohej frëngjishtja si gjuha zyrtare e vendit, do të kishim dy fitime: do të përdornim në punë të Guvernës një gjuhë të bukur, dhe pak a shumë të përbotshme; edhe do t’i lejim popullit lirinë të flasë gjuhën e tij të pavërlasur.

Hekuri, d.v.


IX
I paditur A.B.C. Hekuri urdhërohet formelman të dalë përpara tribynalit, të hënën që vjen, purrepondr disa aqyzasioneve kundrë lasyrëte të shtetit, të bëra nga zoti prefekt Zgjebo.

Inajetullahu, komisar i policisë, d.v.


X
Desizion i Tribynalit:

Unë, zhyzhi i Ubjedullahut, u silloisa këtej, u silloisa andej, edhe desidova se i pandehuri A.B.C. Hekuri, i cili, si nga letrat odasioze, ensollane, dhe in admisible, që i dërgoi Zotit prefekt Zgjebo, ashtu edhe nga reponset që i bëri tribynalit, u revelua trathtor, bolshevik, ankelan alasedision, sanmoral dhe sanpatri të bëhet kondanë në dhjetë vjet burg otravo forsé.

(këtu vula)

I «pandehuri», i «padituri», i dënuari Hekur tani thyen gurë në udhë të re të Tomorit.


Faik KONICA

30 dhjetor 2010

Kujt t'ia prishësh, kujt t'ia ndreqësh?!

një faqe të forumit Respublica lexova disa fjalë me mend nga Faik Konica dërguar një shqiptari që donte dhe ai të botonte gazetë.

Duke mos dashur të kopjoj gjithë tekstin e Konicës, për të mos përsëritur pa leje pak a shumë përmbajtjen e artikullit tek Respublica, ju ftoj të ndiqni lidhjen e mësipërme për ta lexuar.

01 mars 2010

«Dita e Verës»

Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare «Verore», u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S'e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.

Ç'është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t'anë, kur s'kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit' e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t'ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t'anë ndiejin një detyrë t'u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit' e Verës.

Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtme të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t'rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t'këputin degë të gjelbra dhe do t'i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t'odave.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të racës s'onë. Nuk i bëjën dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.

Faik KONICA

10 dhjetor 2006

«Malli i Atdheut»

Kur vete njeriu, i lirë dhe i vetëm, larg atdheut – viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos vejë tek ajo aq dendur mendja. Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S’di ç’të mungon, ç’të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar, që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut....

Faik KONICA