Po shfaqen postimet me emërtimin kadare. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin kadare. Shfaq të gjitha postimet

03 shkurt 2011

Mendimi dhe veprimi

Dy autorë të njohur shqiptarë nxorën dje dhe sot mendimet dhe përsiatjet e tyre mbi gjendjen në Shqipëri. Më vjen keq të them se vetëm një syresh ka folur burrërisht dhe me gjuhën që duhet: Elvira Dones. Ismail Kadareja, nga ana tjetër nuk di ta ndajë krijimtarinë dhe analizën letrare nga analiza dhe mendimi shoqëror-politik. Ndoshta do të qe më e saktë të thuhej se nuk do, jo nuk di.

«Vjen gjithmonë një ditë kur duhet zgjedhur midis të menduarit dhe të vepruarit. Kësaj i thonë të bëhesh njeri» - ka thënë një njeri i ndritur i letrave franceze.* Mes njerëzve të letrave shqiptare këto dy ditë vetëm një e ka bërë këtë kapërcim nga mendimi në veprim: Donesi.

Ndërsa Kadareja zbraz në letër diturinë e tij të gjerë dhe të shumanshme, duke folur (shkruar) gjatë pa thënë shumë (se mos largqoftë tund flamurin nga era që s'fryn nesër), Donesi angazhohet siç i ka hije një intelektuali dhe u vihet përkrah kolegëve të saj gazetarë; i del në mbrojtje profesionit jetik dhe të brishtë të gazetarit që sot kërcënohet nga hajdutë e kriminelë të cilëve u dridhen leqet e gjunjve, por nuk pranojnë të zbutin fjalorin dhe dorën, e jo më pak të gjunjëzohen nën peshën e fajeve të tyre për t'i kërkuar ndjesë popullit që vuan pasojat.

Shqipërisë i duhen intelektualë të mirëfilltë e të respektuar që dinë ta kthejnë fjalën në vepër dhe me të të demaskojnë shëmtirat e hipokrizitë e fajtorëve, duke hedhur njëkohësisht dritë, arsye, mendim dhe kthjelltësi në çdo hap të sotëm dhe të ardhshëm të popullit dhe shtetit shqiptar.

* «Il vient toujours un temps où il faut choisir entre la contemplation et l'action. Cela s'appelle devenir un homme». - A. CAMUS

14 nëntor 2010

«Vallja shqiptare»

Tri herë opinga rrahu dheun
sikur kërkoi lejë prej tij;
pastaj shamia palët ndehu
me qetësi dhe madhështi.

Kështu mes qiellit dhe tokës
vallja u lind, vallja u shpall;
këmba sinjale i çon tokës
dhe dora qiellit i jep lajm.

Dhe vallja rrokulliset tutje
mbi kohëra hedhur si hobe;
prilli përsipër i hedh lule,
dhjetori borën shkund atje.

Valle shqiptare, shenja në erë
ylbere tirqesh tej-e-tëhu;
kush ju kërceu ju njëherë
dhe këmbët rob s'i mbenë tek ju?

Kush ra midis vorbullës suaj
dhe s'u përzhit dhe s'u përflak,
ju bubullima me opinga
që nëpër shekuj brodhët varg?

Ismail KADARE

16 gusht 2009

«Kristal»

Ka kohë që s'shihemi dhe ndiej
Si të harroj unë, dalëngadalë,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj unë posht' e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë, notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s'të pranoftë asnjë varr
Asnjë mermer a morg-kristal
Mos duhet vallë prapë të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

Në s'gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t'ik pa kthim
Dhe nuk do të dimë as ne, askush
Harrim ish ky, a s'ish harrim.

Ismail KADARE