Po shfaqen postimet me emërtimin baudelaire. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin baudelaire. Shfaq të gjitha postimet

23 qershor 2009

«Një kalimtareje»

Rruga shurdhuese rreth meje ulërinte.
E gjatë, e hollë, në zi të madh, dhimbje madhështore,
Kaloi një grua, me dorë të madhërishme
Tek ngrinte, tundte fistonin e azhurin;

E shkathët e fisnike, me këmbën e saj prej shtatoreje.
Unë pija, i tendosur si një shkapërdar.
Në syrin e saj, qiell mavi, ku mbin uragani,
Ëmbëlsia që josh e kënaqësia që vret.

Një vetëtimë... e më pas nata! —Bukuri levarashe,
Shikimi i të cilës më bëri befas të rilindja,
S'do të të shoh vallë jashtë përjetësisë?

Tjetërkund, shumë larg këndejmi! shumë vonë! mbase kurrë!
Se nuk di ku degdisesh, ti nuk di se ku shkoj,
O ti që do të kisha dashuruar, o ti që e dije!

Charles BAUDELAIRE

«Helmi»

Vera di si të mbushë honet më të ndyrë
Me luks të mrekullueshëm,
Dhe të shfaqë më se një derë përrallore
Në arin e avullit të saj të kuq,
Si një diell tek perëndon në qiell të vranët.

Opiumi zmadhon të pakufishmen,
Zgjeron të paanën,
Thellon kohën, zbraz epshin,
Dhe me kënaqësi të zeza e të zymta
E mbush shpirtin më sa mban.

Gjithë këto s'vlejnë sa helmi që rrjedh
Prej syve të tu, syve të tu të blertë,
Liqene ku shpirti im dridhet e duket përmbys...
Ëndrrat e mia turren kuturu
Për të shuar etjen në zbrazëtirën e tyre të hidhur.

Gjithë këto s'vlejnë sa mrekullia e tmerrshme
E pështymës tënde që kafshon
Që zhyt në harresë shpirtin tim pa pendesë
Dhe, hipur karrocës së marramendjes,
E çon të rraskapitur në brigjet e vdekjes!

Charles BAUDELAIRE