Sot në mëngjes kur dola për të bërë vrap, u shkëmbeva rrugës me një grup fëmijësh të shoqëruar nga një edukatore. Nuk duhet t'i kishin kaluar pesë vjeç. Ishin ende topolakë e njomakë sa që të ftonin t'u afroheshe e t'u shkulje faqkat. Mes tyre kishte të bardhë, të zinj, aziatikë, djem edhe vajza. Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti se ishin zënë për dore dy-nga-dy. Duart e tyre—më saktë, doçkat—shtrëngonin ato të shokut a shoqes, pa dallim race. Kështu më lindi pyetja: deri në ç'moshë janë fëmijët aq të pafajshëm sa të mos e kenë aspak problem—madje, as të mos mendojnë—se fëmija që kanë zënë dorë-për-dore është i një race tjetër? Përgjigja m'u kthye menjëherë: derisa të dalë një më i rritur e disave syresh t'u thotë se mes tyre dhe shokëve ka dallim dhe ky dallim mbështetet tek pamja e tyre e jashtme. Mos i prishni fëmijët, ju lutem shumë. Të njëjtën gjë mund të them edhe për ato «çifte» fëmijësh me dy vajza edhe me dy djem, përsëri të zënë dorë-për-dore. Kush do t'u thotë se të zësh një djalë tjetër apo një vajzë tjetër për dore duket keq? Se një gjë e tillë të çon në homoseksualizëm që është gjë e keqe? Lërini të jetojnë në padjallëzinë e tyre. Në mos ju si prindër ose si të rritur tek të cilët ata kanë besim, do t'i djallëzojë një ditë bota, shoqëria. Kjo është e pashmangshme.
Ndryshim teme: jargavanët kanë filluar të çelin, çka vërteton edhe një herë (jo se e vija në dyshim) se klima në Paris është më e butë se në Drenovë, ku jargavanët fillonin të çelnin apo kishin çelur pak para 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve.
Dalje fare nga tema: përkthimit po i afrohet fundi... ndryshimet e fundit kam shpresë t'i bëj para së mërkurës dhe libri do të jetë gati për botim. Po kush do ta botojë?!
Nuk ka komente:
Posto një koment