Politikën, politikën e kuptojpluralizmin e kërkova, e pranoj.....
Kur shqiptarët kërkuan pluralizëm politik në vitin 1990, ata kishin parasysh një skenë politike me të paktën një aktor më shumë se aktori që kish luajtur monologun e deriatëhershëm. Dyndja në skenë që e shoqëroi këtë pluralizëm në ditët e tij të para shërbeu si shembull për vitet që vijuan. Prandaj dhe sot shohim të krijohen herë pas here parti që, si në emër, si në qëllime, synime, ideologji, nuk ndryshojnë shumë nga pararendëset e tyre.
Fleta e votimit që do të përdoret në zgjedhjet e 28 qershorit është përpiluar tashmë dhe ka të renditura në të plot tridhjetë e katër parti. Po i rendit më poshtë:
01. Aleanca Demokratike02. Bashkimi Liberal Demokrat03. Lidhja Demokristiane Shqiptare04. Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë05. Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian06. Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet07. Partia Balli Kombëtar08. Partia Balli Kombëtar Demokrat09. Partia Democracia e Re Europiane10. Partia Demokratike11. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re12. Partia Forca Albania13. Partia Lëvizja e Legalitetit14. Partia Ora e Shqipërisë15. Partia për Drejtësi dhe Integrim16. Partia Republikane Shqiptare17. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar18. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar19. Partia Demokristiane e Shqipërisë20. Partia e Reformave Demokratike Shqiptare21. Partia Konservatore Shqiptare22. Partia Rruga e Lirisë23. Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut24. Lëvizja Socialiste për Integrim25. Partia e Gjelbër26. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve27. Partia Socialiste e Vërtetë 9128. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë29. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut30. Partia Demokracia Sociale31. Partia G9932. Partia Socialdemokrate33. Partia Socialiste e Shqipërisë34. Partia Ligj dhe Drejtësi
Nuk di si mund të krijohen partitë në Shqipëri e të njihen si të tilla nga shteti. Di vetëm një gjë që e kam ditur prej kohësh dhe që ma rikujtoi lista e mësipërme: ka shumë parti. Copëzimi në role dytësore ose krejt figurante i këtyre partive nuk qe krejt rastësi. Lakmia e çdo figure që mori sadopak pjesë në lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri bëri që edhe ato dy-tre parti që u themeluan në fillim të copëzoheshin më tej në të ardhmen. Figurat e sipërpërmendura ranë pre e makutërisë për pushtet që karakterizon shumë politikanë të ditëve të sotme. Nëse dikush u ndodh i pranishëm në themelimin e filan partie, ai mund të pretendojë se meriton një pozitë të lartë dhe, si rrjedhim, nuk mund të kënaqet thjesht me një «sekretar», «arkëtar», «zëdhënës», apo më the e të thashë. Çdokush kërkon të bëhet «kryetar».
Nga kjo lakmi për t'u bërë «kryetar» lindën dhe partitë me shumë emra në listën e mësipërme. Nuk flas për përdorimin e panevojshëm të fjalës «parti» përkrah fjalës «aleancë» apo «bashkim», për përdorimin e fjalëve të huaja si «Albania», apo për fjalët që tingëllojnë boshe si «europiane» (se mos ndokush mendon se është aziatike), «legalitet» (e kujt?), «integrim» (ku?), «solidaritet» (me kë?), por për përcaktorët si «e re», dhe «e vërtetë». Këta përcaktorë janë rrjedhim i drejtpërdrejtë i lakmisë së çdo figure me pak domethënie në parti që ka dashur të krijojë parti të re kur e para «ka dalë nga vija e partisë», siç mund ta thoshte dikush vite më parë. Vetëm duke shpallur këtë dhe vijën e tyre si të vërtetë apo të re këta vetë do t'i mundësonin vetes titullin «kryetar». Dhe pikërisht kështu ka ndodhur.
Nuk di se ç'kushte duhet të përmbushë një parti për t'u quajtur e tillë, por di se ajo merr subvencione nga shteti. Kur shteti shpenzon shuma të ndryshme për të mbajtur gjallë partitë që nuk marrin as një përqind të votave në popull, diçka nuk shkon mirë në sistemin që i mban ato gjallë. Do të qe mirë sikur çdo parti e porsakrijuar t'i nënshtrohej provës së zgjedhjeve dhe, në rast moskalimi të një caku të caktuar të përqindjes së votave, të bëhej thjesht një organizatë më vete e mbështetur thjesht nga përkrahësit e saj. Por kjo do të qe një zgjidhje shumë e arsyeshme për dramën e politikës shqiptare dhe një zgjidhje krejt e papranueshme për morinë e kryetarëve të partive që s'do të qenë më të tillë.
Kjo lakmi e paepur më kujton vargjet e La Fontenit nga «Bretkosa që do të trashet sa një ka» (përkthim i drejtpërdrejtë):
Bota është plot njerëz që s'janë më të zgjuar se bretkosa.Çdo borgjez do të ndërtojë si fisnikët e mëdhenj,Çdo princ ka ambasadorëÇdo markez kërkon të ketë kasnecë.
Nuk ka komente:
Posto një koment