Ti sot as qesh, as qan,
Rri larg, e qetë,
Në shpirtin tënd ti mban
Një faj përjetë.
Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.
U ngrove ashtu sa mund,
As shumë, as pakë,
S'të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë.
Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarresh un' i ziu
Mi buzë varri!
E nuk më dhemb aspak
Një vdekj' e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;
Ndaj hoqa rëndë ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu,
Për dashurinë!
Për dashurinë, o Zot!
Që shemb një burrë,
Që s'e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;
Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplote
Me dritën drejtpërdrejt
Nga drita jote!
Që qesh e qan e zjen,
E s'gjen të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s'vdes përjetë.
Lasgush PORADECI
Nuk ka komente:
Posto një koment