Kemi shekuj që njihemi, unë e ti;
pesëdhjetë Papë më parë na bashkoi arti ynë.
Por s'e di pse sot ti larg më rri,
pse shoqërinë tonë sa shumë e pështynë.
Të kujtohen të rejat që ndanim si hurmat
dhe besnikëria që lidhëm një herë në pyll;
mbrëmjet e kandilta kur numëronim zhurmat,
kur përmbi krye na rrezatonte një yll?
Një natë të vakët ra ylli e u shua,
një mëngjes i vllagët larg e degdisi;
në zagushinë e mesditës shoqëria u harrua
në perëndimin e mugët harrimi nisi.
Ti rron e lulëzon sot mes hynjish,
unë humb e mbetem sot pa kënd;
Ti rron e mbretëron mes mbretërish
unë humb e të kërkoj anekënd.
Për shoqërinë dhe fshehtësinë që vuan,
për tisin që endi arti shekullor,
sot unë pres e s'humb toruan,
si ty kërkoj të rroj: mes yjve madhështor!
Nuk ka komente:
Posto një koment