11 shtator 2007

«zemërimi jonë»

si të ta them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças për ças
atë durim të paduruar të zemërimeve pa gas
tashi zë cel një vrer në buzë, tashi zë ndrin një vaj në sy,
edhe të dhemb më keq se mua, edhe më dhemb më keq se ty

kjo këng' e fellë e heshtjes sate vështrim i derdhur gjithë përdhe
stolitë e hireve të tua ndaj më vështron si nuse e re
dhe kaq mijë dashurira, kaq mall që s'kuvendohet dot
ma mbushin plot të mjerën zemër, vetëm me gas, vetëm me lot

e pata pyetur vetëvehten, me t'ju përgjigjur vetvetiu
pse kaq zi, ti motra ime, pse kaq vrerë un' i ziu
nuk paske qenë vrerë i zi, po qenke vetëm dashuri
qenke një dritë fshehtësie plot bukuri!  plot bukuri!

dhe më pëlqen, ah, zemërimi, ndaj vjen e shkon e qesh e qaj
ndaj rri mendohem duke pyetur a mos ke faj?  a mos kam faj?
dhe ja!  më fal çfardo mërie!  dhe ja!  të fal çfardo mëri!
dhe më mbush prap plot me dritë, plot me të shtrenjtën DASHURI

Lasgush PORADECI

«duke lexuar portretin»

thumboi akrepi i orës
dhe na bëri pleq
na ra me thupra dorës
na la si mos më keq

frynë erërat e veriut
e na plasi thëllimi
i erdhi fundi njeriut
prej dheut s'i bëhet dallimi

shoku-shokut i lëmë shëndenë
pështyhemi sy-mbi-sy
një tjetri i prishim folenë
dhe vetë shëmtohemi aty

në lexim e sipër kaq kuptova:
se jeta të hedh andej-këtej
se trup e shpirt u pleqërova
se s'do më thonë Dorian Grej

10 shtator 2007

«Mos ma kujto!»

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto,
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull më pe në rrugë të pirë, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull pësova diku një disfatë, mos ma kujto,
Dhe gjumi s'më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull më pe duke ngrënë e gënjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shthurur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull në shtrat s'u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm u drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!

Dritëro AGOLLI

07 shtator 2007

«Gremina»

Ti sot as qesh, as qan,
Rri larg, e qetë,
Në shpirtin tënd ti mban
Një faj përjetë.

Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.

U ngrove ashtu sa mund,
As shumë, as pakë,
S'të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë.

Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarresh un' i ziu
Mi buzë varri!

E nuk më dhemb aspak
Një vdekj' e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;

Ndaj hoqa rëndë ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu,
Për dashurinë!

Për dashurinë, o Zot!
Që shemb një burrë,
Që s'e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;

Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplote
Me dritën drejtpërdrejt
Nga drita jote!

Që qesh e qan e zjen,
E s'gjen të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s'vdes përjetë.

Lasgush PORADECI

15 gusht 2007

«Lule mbi varr» [ose «Demain dès l'aube»]

Menatë, nesër kur të zbardhet fush' e shkretë,
Do nisem. Se më pret, e di që jam vonuar;
Do shkonj nga pylli dhe mali i përpjetë;
Më tepër s'mund të pres lark teje i mërguar.

Do të bares me sytë në kujtimet kridhur
Pa par' asgjë, pa ndjer' asnjë shamatë;
I vetëm, i panjohur, krrusur, duarlidhur,
Vrerosur, edhe dita do të bëhet natë.

S'kam për të par' as perëndimin ar e zjarr
As lundrat me pëlhura tutje në luginë,
Dhe kur t'arrinj, më gjunjë do të vë mi varr
Një tufë lule borsilok e trëndelinë.

Viktor HYGO


Shqipëroi Fan S. NOLI. Botuar për herë të parë në gazetën «Dielli», 11 janar 1961, nën pseudonimin Namik NAMAZI.


[Origjinali:

Demain, dès l'aube, à l'heure où blanchit la campagne,
Je partirai. Vois-tu, je sais que tu m'attends.
J'irai par la forêt, j'irai par la montagne.
Je ne puis demeurer loin de toi plus longtemps.

Je marcherai les yeux fixés sur mes pensées,

Sans rien voir au dehors, sans entendre aucun bruit,
Seul, inconnu, le dos courbé, les mains croisées,
Triste, et le jour pour moi sera comme la nuit.

Je ne regarderai ni l'or du soir qui tombe,

Ni les voiles au loin descendant vers Harfleur,
Et quand j'arriverai, je mettrai sur ta tombe
Un bouquet de houx vert et de bruyère en fleur.

Victor HUGO
]

«Gusht e gunë»

Erdhi gushti
dhe gunën e kërkoi
lëkura e holluar
nga djersa verore.

E lypi pastaj
dhe shpirti që s'ekziston
të ngrohet
në ftohtësinë që e rrethon.

09 gusht 2007

«Tingëllima LXI»

Ti do që nuri yt hapur t'më mbajë
Të rëndat qepalla netëve plot mall?
Ti uron që vegimet t'm'i shpërndajë
Hija jote që dritn' e syve më tall?
Mos vallë shpirtin tënd dërgon prej teje,
Së largu t'u hyjë bëmave t'mia,
Q'orë kote, turp të nxjerrë prej meje,
Arsyen, thelbin ku lind xhelozia?
O, jo! Dashuria jote ka një fund:
Është e imja që më zgjon këtë rast;
Vetë e imja që prehjen time mund,
Për hirin tënd të bëjë rojë çdo çast.
Ty të ruaj ndërsa zgjohesh tjetërkund,
Larg prej meje, ku një tjetër të përkund.

Uilljam SHEKSPIR

SHËNIM: Për herë të parë bëra një përkthim poetik (jo fjalë-për-fjalë) dhe vendosa ta nis me tingëllimën time të parapëlqyer të Shekspirit. U mundova të ruaja formën e rimës dhe kuptimet e vargjeve të pacënuara.

[Origjinali:

Is it thy will thy image should keep open
My heavy eyelids to the weary night?
Dost thou desire my slumbers should be broken,
While shadows, like to thee, do mock my sight?
Is it thy spirit thou send'st from thee
So far from home, into my deeds to pry,
To find out shames and idle hours in me,
The scope and tenour of thy jealousy?
O, no! Thy love, though much, is not so great:
It is my love that keeps mine eye awake;
Mine own true love that doth my rest defeat,
To play the watchman ever for thy sake:
For thee watch I whilst thou dost wake elsewhere,
From me far off, with others all too near.

William SHAKESPEARE]

08 gusht 2007

«Shokut artist që njoha një jetë të shkuar»

Kemi shekuj që njihemi, unë e ti;
pesëdhjetë Papë më parë na bashkoi arti ynë.
Por s'e di pse sot ti larg më rri,
pse shoqërinë tonë sa shumë e pështynë.

Të kujtohen të rejat që ndanim si hurmat
dhe besnikëria që lidhëm një herë në pyll;
mbrëmjet e kandilta kur numëronim zhurmat,
kur përmbi krye na rrezatonte një yll?

Një natë të vakët ra ylli e u shua,
një mëngjes i vllagët larg e degdisi;
në zagushinë e mesditës shoqëria u harrua
në perëndimin e mugët harrimi nisi.

Ti rron e lulëzon sot mes hynjish,
unë humb e mbetem sot pa kënd;
Ti rron e mbretëron mes mbretërish
unë humb e të kërkoj anekënd.

Për shoqërinë dhe fshehtësinë që vuan,
për tisin që endi arti shekullor,
sot unë pres e s'humb toruan,
si ty kërkoj të rroj: mes yjve madhështor!

«vargje ujore»

e shtrydh temën e dashurisë
si shakullin në shkretëtirë
për të nxjerrë dy currila vargje

kërkoj të më rrëshqasin lehtas mbi gjuhë
si orteku i mekur i dëborës së parë
për të shuar zjarrin që digjet diku

ëndërroj më kot për përrenj të shteruar në shkrepa
si kandrra mjerane ditëshkurtra
që jetën e shuajnë para etjes

rrokullisem dhe unë si guri në lumë
nën rrjedhën mihëse të ndjenjave
kërkoj më kot ta zbus relievin
të bëhem shok me valën e marrosur
t'ia kthej dhe vrullin në ledhatim

«Kundërshtarëve të mi»

Ju aq baltë po hidhni mbi mua
Sa në baltën që kam përmbi trup
Mund të mbijë një dardhë a një ftua
Një korije e madhe me dushk.

Në korije dhe dru mund të mbani
Mund të shkoni për gjah me langonj
Mund të ngjiti në pemë të hani
Po të doni dhe dardha dhe ftonj.

Balta ngrihet mbi mua e pasur
Sa mbi baltën korija bleron...
Trupin tim ma bleruat pa dashur
Dhe ma bëtë vërtet plantacion.

Dritëro AGOLLI

05 gusht 2007

Vendimmarrje

Vendosa të shkruaj një libër me stilin e librit Sikur t'isha djalë të Haki STËRMILLIT.  

Nuk e di nëse do t'ia dal mbanë, nuk e di nëse në këto çaste po flet zelli që kam pasur për librat kohët e fundit, por besoj se ka ardhur koha ta lag edhe unë penën me atë bojë.  Shpresoj ta kem këtë mendim edhe nesër në mëngjes.  Besoj se po, pasi ka disa ditë që po e ripërtyp këtë mendim në mendje.  

Do të mundohem të pasqyroj ecurinë e punës këtu, pa nxjerrë të fshehtat e librit, padyshim....

04 gusht 2007

«Ti me sy të zinj!»

O moj ti me sy të zij,
     Q'i ke flokët porsi ar,
     Eja mezin të ta marr;
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij,
     Q'i ke buzët si qershi,
     Falma dorën e mos rri;
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij,
     Me vështrimet si rrufe,
     Falmi sytë që më sheh;
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij,
     Me ato lule rreth në bres,
     Nem një lule të mos vdes;
Se po s'ardhe do t'të vij!

ASDREN