ti nuk je më i vogël
sot nuk i ha gënjeshtrat si gështenjat,
përsheshin s'ta ha macja,
qimen e nxjerr nga qulli
dhe gomarin nga balta
ti nuk je më i vogël
sot nuk je më larvë e jargët
krahët i shpalose
shpejt more fluturimin
dhe ajrin pushtove
ti nuk je më i vogël
sot e ngre zërin në kupë të qiellit
fjalën pa frikë e shqipton
të mosqena fjalë edhe thua
të mirat e të ligat s'i dallon
ti nuk je më i vogël
sot kupton se kryet mund t'i ngresh si zërin
ndaj kokën sot e gjen mbi re
zotit di me grushta t'i kanosesh
dhe vetë të bëhesh mbret atje
Nuk ka komente:
Posto një koment